E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, mbi 5 milionë euro vetëm për reklamë dhe konsulencë

Partitë bëhen gati të derdhin shpenzime marramendëse për fushatë. Pjesa më e madhe e fondeve pritet të shkojë në media dhe afishe

Për të bërë make up-in e tyre, partitë do të duhet të derdhin miliona euro gjatë fushatës elektorale. Shpenzimet për reklamat në media dhe në forma të tjera pritet të arrijnë në nivele marramendëse në këto zgjedhje. Kjo shpjegohet me motivet që ka pasur një rritje të ndjeshme të tarifave të reklamave në mediat vendase apo kanë hyrë forma të reja marketingu të kushtueshme. Ndonëse nuk ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore, partitë kanë nisur aktivitetet elektorale dhe betejat mediatike. Në këto momente, më e favorizuar është qeveria, e cila ka nisur që prej gati 8 muajsh të transmetojë spote publicitare të llojeve të ndryshme në emër të institucioneve të saj, duke treguar rezultatet e arritura. Ndërkaq, Partia Socialiste nuk e ka nisur ende fushatën publicitare, me përjashtim të pak spoteve që transmetoi Bashkia e kryeqytetit.
Reklama, zbrazen arkat e partive
Duke bërë një përllogaritje të thjeshtë të shpenzimeve që do të pasojnë fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit, pa frikë mund të thuhet se do të ketë një rritje të ndjeshme të kostos për spotet publicitare për shkak të rritjes së tarifave, krahasuar me vitet e kaluara. Mesatarisht, një sekondë reklamë në televizionet kryesore kushton rreth 10 euro. Duke qenë se një spot televiziv zgjat 30 sekonda, çdo transmetim i tij do t’u kushtojë partive 300 euro. Meqenëse për 30 ditë, gjatë fushatës, spotet e partive kryesore mund të transmetohen rreth 15 herë, mesatarisht, një ditë çdo subjekti i kushton 4500 euro. Në muaj, secila nga partitë, vetëm një televizioni kryesor duhet t’i paguajë 135 000 euro. Por edhe pse kjo shumë nuk është e vogël, tradita e do që një reklamë politike të transmetohet në të gjitha televizionet kryesore. Duke marrë mesatarisht pesë televizione, rezulton se gjatë një muaji, partitë që e kanë marrë seriozisht fushatën, do të paguajnë rreth 675 000 euro. Nëse do të bënim një përmbledhje të përgjithshme, katër formacionet kryesore zgjedhore do të shpenzojnë në fushatën elektorale të këtij viti rreth 2.8 milionë euro vetëm për spote publicitare.
Të paktën 250 mijë euro do të harxhohen për spotet publicitare. Duke llogaritur se të gjitha partitë do të prodhojnë rreth 60 spote të llojeve të ndryshme, kjo e shton ndjeshëm koston e publicitetit.
Format e reja të reklamimit
Duke iu referuar çmimeve të agjencive publicitare, stendat e afishimit që janë poshtë përmasave (8 x 4) kushtojnë mesatarisht 16 euro/m2 në muaj; shtypja e një banderole kushton mesatarisht 20 euro/m2, ndërsa në formatin me ngjitje kushton rreth 10 euro/m2.
Billdborderat, city-light, stacionet e autobusëve do të mbushen me afishet e partive pjesëmarrëse në zgjedhje. Po ashtu, ato pritet që të vendosen edhe nëpër linjat urbane dhe interurbane, në Tiranë dhe në rrethe. Sipas kalkulimeve, ato pritet të arrijnë mbi 500 mijë euro. Një vend të rëndësishëm në buxhetet e partive zënë edhe kostot për prodhimin e posterave, banderolave, broshurave të ndryshme, me programet dhe mesazhet e partive etj. Këtu përfshihet kostoja për shpërndarjen e tyre nga toka apo ajri, me forma dhe mjete të ndryshme.
Në këto zgjedhje do të jenë pjesë e shpenzimeve edhe reklamat në ueb. Ashtu siç është paralajmëruar nga krerët e dy partive të opozitës, Rama dhe Meta, facebook dhe video-promocionet do të jenë pjesë e rëndësishme e fushatës. Përmes tyre do të synohet të mbahet një komunikim i gjallë mes partive dhe fansave, që janë përdorues interneti. Sidoqoftë, kjo përbën për momentin një zë jo shumë të përfillshëm në shpenzimet e partive.
Shpenzime të tjera
Shpenzimet administrative për organizimin e mitingjeve elektorale zënë pjesën kryesore të buxheteve të partive. Shpenzimet më të mëdha do të vijnë për aktivitetet hapëse dhe mbyllëse të fushatës. Një nga arsyet që do t’i bëjë subjektet politike “ta lëshojnë dorën” ka të bëjë edhe me faktin se ndryshimi i sistemit zgjedhor ka ndërruar edhe modelet e fushatës. Kjo ka anën e vet pozitive, pasi ka ulur shpenzimet për reklamimin e kandidatëve të veçantë, por tashmë, thuajse të gjitha energjitë dhe kostot përqendrohen vetëm te partitë. Në listën e shpenzimeve të tjera, shuma të konsiderueshme pritet të harxhojnë partitë me kompanitë e huaja që i konsultojnë gjatë fushatës. Tashmë, të gjitha partitë dhe koalicionet kryesore kanë marrë firma të huaja për të kuruar fushatat e tyre. Po ashtu, në buxhetin e tyre janë edhe qiratë për sallat ku do të bëhen takimet, zyrat elektorale, pagat e punonjësve, vëzhguesve dhe komisionerëve etj. Gjithsesi, këto zgjedhje po japin shenja se do të kenë kosto marramendëse, pasi kemi një kryeministër që ka në dorë buxhetin e qeverisë për ta përdorur për fushatën e PD-së dhe të majtët në anën tjetër, që mund të përdorin infrastrukturën apo buxhetet modeste të pushtetit vendor. Me gjithë përpjekjet që janë bërë për monitorimin e fondeve të fushatës nga institucione dhe OJF, është shumë e vështirë për t’u realizuar një gjë e tillë.

SHPENZIMET PËR REKLAMIM

Spote televizive 2 800 000 euro
Prodhim spotesh 250 000 euro
Bildborderat 500 000 euro
Postera, broshura, fletëpalosje 500 000 euro
Kompanitë e huaja të konsulencës 1 000 000 euro

Kontabilistët, verifikuesit e shpenzimeve të partive

Çdo parti, e cila do të hyjë në zgjedhjet kuvendore, do të jetë e detyruar të bëjë publike të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës elektorale për t’i dorëzuar 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. KQZ-ja ka si detyrë të marrë financimet, pa kontrolluar vërtetësinë e tyre, por në bazë të Nenit 91 të Kodi Zgjedhor, për herë të parë përcaktohet se kontrolli i deklarimeve për shpenzimet e fushatës do të bëhet nga ekspertë kontabiliste të licencuar, të cilët vetëm do të zbardhin pasqyrat e bilanceve që do të dorëzohen. Nëse më parë institucioni i KQZ-së mjaftohej vetëm me mbledhjen e tabelave të shpenzimeve, tashmë ekspertët duhet të bëjnë edhe verifikimin e deklaratave.

Zgjedhjet e 2005-s, të varfra sipas statistikave

Ndonëse kemi parë luks dhe fonde të derdhura anembanë, sipas statistikave, zgjedhjet e vitit 2005 ishin të varfra. Të dhënat flasin se në proces morën pjesë 28 parti dhe katër deputetë të pavarur. Komisioni Qendror Zgjedhor pohon se shumat e deklaruara nuk e tejkalojnë 265 milionë lekët. Ndërkohë që, edhe të ardhurat nga burime të ndryshme janë pothuajse në të njëjtin nivel, rreth 217 milionë lekë. Nga të dhënat e raportuara bie në sy fakti se Partia Demokratike nuk ka deklaruar asnjë shumë donacionesh, madje shpenzimet janë në nivele shumë të ulëta; edhe më të ulëta se partitë aleate të saj, në rreth 2.3 milionë lekë. Në të kundërt, Partia Socialiste ka deklaruar shumën prej rreth 193 milionë lekësh, por nuk ka dhënë një pasqyrë të detajuar të shpenzimeve, duke deklaruar se janë të dhëna operative, që do të plotësoheshin më vonë, por, në arkivin e KQZ-së zotërohej vetëm një fletë e deklaratës. Nëse i hedhim një sy shpenzimeve të deklaruara nga subjektet kryesore partiake në vend, do të shohim se shumat më të mëdha janë shpenzuar për aktivitetet e kandidatëve, por edhe promocione mediatike apo edhe banderola, stenda afishimi, fletë-fluturuese apo edhe fletëpalosje. Sipas të dhënave zyrtare të vëna në dispozicion nga KQZ-ja, shpenzime jo te vogla kanë kryer edhe kandidatët e pavarur.
Në KQZ, zakonisht subjektet politike paraqesin vetëm një listë të reduktuar të shpenzimeve. Në të jepen vetëm pikat kryesore se ku janë shpenzuar paratë për zgjedhje. Vlerat modeste të spoteve televizive, reklamave në rruge, pagesa e artistëve që “festojnë” për kandidatet, karburanti, lokalet, sallat e mbyllura dhe hollet e hoteleve kryesore ne qytete. Në këtë listë është shtuar edhe një zë i fundit, ai i pagave te padeklaruara të anëtarëve të komisioneve të votimit dhe të numërimit të votave.

SHPENZIMET E 2007-s

PS-ja, rreth 45 milionë lekë
PD-ja, rreth 34 milionë lekë
LSI-ja, rreth 11 milionë lekë

Shqipëria, rekord në rajon për shpenzimet zgjedhore

Shqipëria pa dyshim që do të shënojë rekordin në vendet e rajonit përsa u përket shpenzimeve zgjedhore. Ajo ia kalon edhe Maqedonisë, Malit të Zi, Kroacisë, Kosovës, apo Bosnjës. Sipas të dhënave, në Maqedoni u shpenzuan mbi 4 milionë euro nga partitë në zgjedhjet që sapo mbaruan. Shifra të larta u regjistruan këtë vit edhe në Malin e Zi, të cilat arritën mbi 2.7 milionë euro. Fushata më e kushtueshme në botë ka qenë ajo e zgjedhjeve të fundit në Amerikë, ku presidenti Obama mblodhi mbi 600 milionë dollarë nga mbështetësit e tij.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›