E Diel, 1 Nëntor 2026

Sali Berisha ben poker helikopterësh me italianet e francezet

Marrëveshja prej 10 milionë eurosh pasohet nga blerja e 17 helikopterëve. Firma franceze, e preferuara e kryeministrit për blerjet miliardere ushtarake

Tiranë - Poker helikopterësh, kjo është “loja me spec” e luajtur më së fundi nga kryeministri Berisha. Ai ka siguruar dy ditë më parë një vizitë në Francë, duke negociuar blerjen prej 150 milionë eurosh të 17 helikopterëve, por duket se kryeministri, nga ana tjetër, ka premtuar te italianët dhe amerikanët një tender të ndershëm për këtë blerje. Përtej suazës së komplikuar të premtimeve dyfishe të kryeministrit, ai ka gjetur dhe mënyrën për të shmangur vëmendjen nga lobimet e tij të kushtueshme ndërkombëtare, duke i klasifikuar të gjitha raportimet e mediave të huaja për këtë biznes si spekulime të opozitës.

Në mënyrë krejt të papritur kryeministri Berisha ka akuzuar dje liderin e opozitës, Edi Rama, duke e fajësuar atë për artikujt e nxjerrë në shtypin francez. Ndërsa mediat franceze raportonin se qëllimi primar i vizitës së Berishës në Francë lidhej me blerjen nga ana e Shqipërisë të 17 helikopterëve ushtarakë, kryeministri, në vazhdimësi të tezës së tij mbi “spekulimet mediatike”, ka fajësuar sërish kreun e opozitës shqiptare, por kësaj here për kontroll barbar mbi mediat e Francës. Duket se kryeministri e ka kthyer në mburojë mbrojtëse këtë tezë, qoftë dhe kur për të shkruajnë gazeta australiane apo senegaleze. Sipas tij, të gjitha shkrimet stisen nga kreu shqiptar i opozitës. Duket pak i çuditshëm dhe shumë i guximshëm ky pretendim i kryeministrit, pasi lajmin për marrëveshjen e 17 helikopterëve e raportuan të parat media ndërkombëtare si “Reuters” apo gazeta franceze “L’Exspres”. Mbi këto media kaq prestigjioze do ta kishte thuajse të pamundur të imponohej dhe lideri i opozitës franceze. Por gjithsesi, kryeministri ynë nuk ka kurrfarë dyshimi se edhe kësaj here bëhet fjalë për të njëjtin “grup armiqësor” që saboton sukseset e tij në rangje ndërkombëtare. “Është trillim i turpshëm i Edi Ramës, që fillon që nga ora e Bushit. Sarkozi me ftoi mua në Elize para së gjithash për të shprehur mbështetjen e tij të plotë dhe totale ndaj këtij vendi dhe ndaj këtij kombi, por edhe një njohje miqësore e kemi. Ky zotëri, që çdo sukses të kundërshtarit të tij do ta përjetojë si ferr, si disfatë, pavarësisht se është interesi më i mirë i vendit, i trajton në mënyrë barbare mediat”, - deklaroi dje kryeministri i vendit.
Mashtrimi
Shqipëria i ka premtuar qeverisë franceze se do të jetë kompania franceze “Eurocpter” ajo që do t’i shesë vendit tonë 17 helikopterë, vlera e të cilëve mund të shkojë deri në 200 milionë euro. Por duket se lidhjet e qeverisë “Berisha” me këtë firmë janë edhe më të hershme, pasi në vitin 2006 qeveria shqiptare i bleu një numër helikopterësh kësaj firme në shumën e 10 milionë eurove. Helikopterët e blerë në vitin 2006 ishin të përdorur dhe të modifikuar, ndërsa në njoftimet e kohës kjo blerje u cilësua si dhurim i qeverisë gjermane ndaj qeverisë shqiptare. Një raport i agjencisë “Reuters”, së cilës i referohet dhe revista e mirënjohur franceze “L’Express”, theksonte dje se për këtë qëllim është mbajtur dhe takimi në Pallatin Presidencial. Sipas saj, kompania “Eurocopter”, një kompani me shumicë aksionesh të shtetit francez, synon marrjen e këtyre helikopterëve, që Shqipëria ka planifikuar t’i blejë pas anëtarësimit në NATO. Ajo çka është e rëndësishme është që në garë janë tri kompani; “Eurocopter”, për të cilën lobojnë francezët, “Agusta”, një kompani italiane që i përket grupit “Finmeçania”, dhe kompania amerikane “Sikorski”, që i përket grupit “United Technologies”.
Mediat
Siç raporton “L’Express”, firma “Eurocopter” e dëshiron këtë tender pasi bëhet fjalë për një shumë të madhe, e cila është parashikuar tashmë në buxhet. “Presidenti francez dhe Sali Berisha ranë dakord, veç të tjerash, që të intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike mes Parisit dhe Tiranës, që janë pak të zhvilluara, dhe Nikola Sarkozi nënvizoi rëndësinë, nisur nga ambiciet europiane të Shqipërisë, e projektit të blerjes së 17 helikopterëve ushtarakë. ‘Eurocopter’, filiali i EADS-së, është në garë për këtë kontratë të shumëdëshiruar edhe nga italianët e ‘Agusta’-s (grupi ‘Finmeçanica’) dhe amerikanët e ‘Sikorsky’ (filial i grupit ‘United Technologies’)”, - raporton “L’Express”. Nga ana tjetër mësohet se firma “Eurocopter” ka hapur një filial dhe përfaqësi të sajën në Tiranë, ku ofron shërbime udhëtimi dhe urgjencash në këmbim të pagesave. Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se prej kohësh kjo firmë ka lobuar pranë qeverisë shqiptare për të siguruar kontratën e shitjes së 17 helikopterëve, vlera totale e të cilëve mund të shkojë deri në 200 milionë euro. Kjo blerje është gati një detyrim i Shqipërisë pas hyrjes në NATO, pasi blerja kompenson shkatërrimin e një sërë mjeteve ajrore të demoduara pasi ishin tejet të vjetra.

Kontrata e vitit 2006, 10 milionë euro për kompaninë franceze

Ministria e Mbrojtjes dhe filiali gjerman i firmës “Eurocopter” (“Eurocopter Deutchland GmbH ) “kanë nënshkruar në vitin 2006 kontratën për dorëzimin e 12 helikopterëve të tipit ‘BO 105’, të akorduar si dhuratë. Marrëveshja u nënshkrua në praninë e ministrit të Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, si dhe ambasadorit të Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, z. Hans Peter Anen, nga komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral brigade Astrit Jaupi dhe zëvendëspresidenti i kompanisë ‘Eurocopter’, z. Mathias Obermayer. Vlera e kësaj kontrate është 10 milionë euro dhe zgjat tre vjet. Pjesë e kontratës së përbashkët do të jetë edhe riparimi i helikopterëve nga ana teknike nga kjo kompani, përshtatja e tyre sipas nevojave tona si dhe trajnimi i pilotëve. Dorëzimi i helikopterëve të tipit ‘BO 105’ nga kompania gjermane ‘Eurocopter Deutchland GmbH’, është një tjetër shenjë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe do të synojë në modernizimin e mëtejshëm të strukturave tona ushtarake. Ministri i Mbrojtjes, z. Mediu, ka falënderuar, në emër të qeverisë shqiptare, ambasadorin Anen për ndihmën e vazhdueshme që Republika Federale e Gjermanisë ka dhënë dhe jep në ndihmë të modernizimit të strukturave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, - sqaron një njoftim i Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2006.

Shpenzimet për armatimin, qeveritë, të paqarta për blerjet afatgjata

Studimi i kryer nga Ministria e Mbrojtjes në prag të aderimit në NATO, ka theksuar se Shqipëria duhet të ketë si prioritet të sajin hartimin e një metodologjie standarde mbi mënyrën e shpërndarjes buxhetore për Forcat e Armatosura. Shifrat lidhur me buxhetin e mbrojtjes janë rishikuar çdo vit si pjesë e një programi afatmesëm, por Ministria e Mbrojtjes gjithnjë ka marrë më pak se sa ka parashikuar. P.sh., për vitin 2004, buxheti i Mbrojtjes, sipas përcaktimit të bërë në dokumentin e Politikës së Mbrojtjes të vitit 2000, parashikohej të ishte 13 000 milionë lekë. Në realitet, Ministria e Mbrojtjes mori 10 374 milionë lekë, apo 1.35 për qind e GDP-së, që duket se është mjaft larg nga shifra e mësipërme. Për më tepër, nga Ministria e Financës, që i disburson fondet Ministrisë së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura, në mënyrë të rregullt, çdo vit, marrin 40-60 për qind të fondeve të kërkuara. Kjo ka çuar në reduktimin e shumë prej veprimtarive të planifikuara në të gjitha shërbimet e ushtrisë. Për vitin 2006, me një angazhim më të madh të Ministrisë së Mbrojtjes, qeverisë dhe Parlamentit, u sigurua rritja prej 0.1 përqindësh e GDP-së dhe buxheti i mbrojtjes aktualisht është 14 169 milionë lekë, apo 1.57 për qind e GDP-së. Përsëri, shifrat e mësipërme janë larg kërkesave për financim të FA-së, të paraqitura nga Ministria e Mbrojtjes. ”Për përcaktimin se cila nga alternativat e shpërndarjes buxhetore është më e saktë duhet ndërmarrja e studimeve në këtë drejtim, duke marrë në konsideratë edhe faktin se autoritetet shqiptare dhe këshilltarët e huaj, duke marrë parasysh ndryshimet e kohëve të fundit në sigurinë rajonale, kërkojnë pritje më realiste të buxhetit të Mbrojtjes, bazuar në mirëqenien ekonomike të Shqipërisë”, - thekson studimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›