E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi fizik, qeveria ka gati vendimin me zonat turistike

Ish-pronarët do të kompensohen me toka shtetërore në bregdet. Brenda dhjetë ditësh qeveria pritet të miratojë projektvendimin

Eljona Ballhysa
Këshilli i Ministrave pritet të miratojë brenda dhjetë ditëve të ardhshme projektvendimin për kompensimin fizik të ish-pronarëve me toka shtetërore në zonat bregdetare të vendit. Burime informacioni kanë bërë të ditur se Komisioni i posaçëm qeveritar, i ngritur për këtë qëllim, është duke përfunduar shënjimin e zonave kryesore turistike, të cilat do të vihen në dispozicion të kompensimit në natyrë. Të njëjtat burime zyrtare informojnë se zonat kryesore që do të përfshihen në këtë proces janë tokat e pikasura në zonat pranë vijës bregdetare, por edhe pranë brigjeve të liqeneve. Këtu përfshihen zonat nga Shkodra deri në Durrës, si dhe zonat turistike si Shishtaveci, Shëngjini, në breg të liqenit të Ohrit etj. Sipas burimeve në fjalë, zona e veriut është pjesa më e pikasur dhe më e predispozuar për të ofruar vende të lira turistike për këtë proces, në krahasim me zonën e jugut. Kjo për arsyen se në zonën jugore të Shqipërisë janë të përqendruara edhe hapësirat më mëdha dhe më aktive të shërbimeve turistike. Ndërkaq, specialistët e Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave deklarojnë se janë në pritje të përcaktimit të vendimit nga ana e qeverisë për procedimin e mëtejshëm të këtij kompensimi. Por, në të njëjtën kohë, këto burime konstatojnë se procedurat për kompensimin e ish-pronarëve nga qeveria për këtë vit po ecin me një ritëm më të shpejtë, me qëllim që të realizohen brenda një kohe të shkurtër. Ndoshta para zgjedhjeve, për të dëshmuar mbi eficencën e premtimeve të qeverisë aktuale dhe për shtuar kredibilitetin në marrjen e votave.
Kompensimi fizik
Për kompensimin e pronarëve do të përdoren tokat publike në zonat turistike. Deklaratën e ka bërë disa javë më parë kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ai ka informuar se një grup Ad-hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë dhe kjo do të konkretizohet së shpejti në një paketë të re aktesh nënligjore. Sipas tij, këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet dhe platformën e zhvillimit të turizmit. Ai garantoi se në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë dhe territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe i Pogradecit. Pas kësaj do të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës.
Kompensimi financiar
Projektvendimi për procedurat e shpërndarjes së fondit monetar për vitin 2009 është gati. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, ka përfunduar tashmë projektvendimin, i cili përcakton kriteret dhe dokumentet e nevojshme që duhen për të përfituar nga kompensimi financiar prej 600 milionë lekësh për këtë vit. Burimet nga AKKP-ja kanë bërë të ditur se është gati projektvendimi, ku fiksohen të gjitha procedurat e duhura për kompensimin në vlerë monetare për subjektet e shpronësuara. Sipas tij, ky projektvendim pritet të kalojë këto ditë në qeveri, për të marrë shqyrtimin dhe miratimin përkatës.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›