E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestat, Rama mbledh drejtuesit lokalë



Socialistët do të nisin protestat që javën e ardhshme. Kreu socialist mblodhi dje në "Hotel Tirana" të gjithë drejtuesit socialistë në bazë, me të cilët sqaroi situatën politike në vend, pas mohimit nga maxhoranca e hetimit të plotë të zgjedhjeve. Rama ka kërkuar nisjen e protestave në të gjithë vendin, duke filluar që javën e ardhshme. Ndryshe nga protestat e kaluara, ato që u mbyllën para vitit të ri, këto protesta do të zhvillohen në çdo lagje, komunë dhe bashki, duke synuar sensibilizimin e popullit për këtë padrejtësi që i bëhet opozitës. Drejtuesit socialistë të degëve, janë shprehur në mbështetje të plotë të kauzës së transparencës së PS dhe kanë shprehur angazhim për realizimin e protestave. Pas këtij takimi me kryetarin Edi Rama, kryetari Partisë Socialistë të Beratit, Selman Hodo deklaroi në emër të gjithë degëve të opozitës, se do të mbështesin deri në fund kauzën e transparencës së zgjedhjeve. Socialistët e Shqipërisë kanë dalë në një konkluzion se vota nuk është numëruar si duhet dhe në vendin ku është votuar. Madje, kryetarët socialistë të rretheve sipas Hodos, kanë shprehur vendosmërinë e tyre në plotësinë e hetimit ose largimin e Qeverisë aktuale. Bashkë me çështjen e hetimit të zgjedhjeve, protestave të opozitës do t'i bashkëngjitet dhe kriza ekonomike që ka ardhur dhe si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por dhe e çmimeve të artikujve të konsumit të përditshëm. Socialistët pas një turi të parë protestash, pritet të zhvillojnë një protestë të madhe në Tiranë, që sipas selisë rozë do të jetë më e madhe se ajo e 20 nëntorit 2009 dhe nuk do ndalet deri në largimin e Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›