Grushte në Kuvend, Bizhga përplaset me Strazimirin
Aristir Lumezi
Parlamenti shqiptar nuk shmangu dot përplasjet, deri fizike mes deputetëve. Pas 17 orë debat me akuza dhe kundër-akuza, deputeti socialist Gazmir Bizhga dhe ai demokrat Gent Strazimiri pas sharjesh dhe ofendimesh shkëmbyen grushte mes tyre. Nëse nuk do ishte ndërhyrja e shpejtë e punonjësve të Gardës së Republikës, situata do ishte acaruar në mënyrë dramatike, pasi tensioni kishte arritur kulmin. Gjatë gjithë seancës së djeshme, që nisi në orën 9:00 të paradites, deputetët e të dy krahëve kanë provokuar njëri-tjetrin me batuta dhe replika. Pas fjalës së deputetit demokrat të qarkut të Durrësit, Igli Cara, ishte deputeti socialist Bizhga, i cili kërkoi të bënte replikë me kolegun e tij. Por drejtuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit, Nasip Naço nuk ia dha fjalën pasi sipas tij, emri i Bizhgës nuk ishte përmendur në fjalën e deputetit demokrat. Por insistimi i Bizhgës, bëri që disa deputetë demokratë, mes të cilëve dhe Gent Strazimiri e Igli Cara, i kërkuan drejtuesit të seancës që të mos i jepte fjalën deputetit socialist. Kjo kërkesë e Strazimirit nuk i ka pëlqyer socialistit Bizhga, i cili i ka thënë atij të ulet dhe të mos insistojë. "çfarë ke ti? Na çave tr..in. Kush të ka frikë ty?", është shprehur Bizhga. Në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e Gardës së Republikës, ndërsa drejtuesi i seancës, Naço ndërpreu seancën. Por edhe pas pushimit prej 10 minutash, situata nuk është qetësuar. Në drejtimin e Kuvendit u kthye Topalli, e cila i dha të drejtën e replikës Bizhgës, në një përpjekje për të qetësuar situatën. Gjatë replikës së tij, Bizhga akuzoi Igli Carën se është pjesë e grupeve mafioze që e kanë kokën në Qeveri. "Shpeshherë deputeti Cara më është shprehur se është i djathtë, por më ka thënë se PD nuk vjen kurrë në pushtet për sa kohë do të ketë në krye Sali Berishën. Unë asnjëherë nuk kam qenë doganier apo agjenci doganore në portin e Durrësit, por kam treguar korrektësi në plotësimin e detyrës sime. Më vjen shumë keq që parafolësi im që sot drejton degën e PD në Durrës, është i prodhuar nga një klan mafioz, i cili sot kontrollon ekonominë dhe tregjet e Durrësit, dhe më vjen shumë keq se ai sot nuk është përfaqësues i vetvetes, por i një grupi të tmerrshëm klanor e mafioz, fijet e të cilit fillojnë në Durrës e përfundojnë deri në kupolën qeveritare", u shpreh Bizhga. Menjëherë në përfundim të fjalës së tij, ai është provokuar siç tha dhe vetë nga deputetët demokratë. Bizhga u drejtua nga tavolina ku rrinin Strazimiri, Cara dhe Olldashi, ku iu përgjigj me grushte provokimeve në adresë të tij, por ishte ndërhyrja e shpejtë e Gardës që shmangu përleshjen në një situatë me nerva të tensionuara. Menjëherë kryeparlamentarja shpalli 10 minuta pushim për herë të dytë, deri sa situata u qetësua krejtësisht.