Nuk ka marrëveshje në Kuvend
bledar hoti
Maxhoranca miraton pa konsensusin e opozitës nismën për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, duke lënë në fuqi krizën politike në vend. Vetëm me 73 votat e të djathtëve u votua mbrëmë ngritja e komisionit hetimor kuvendor për hetimin e zgjedhjeve. Partia Socialiste, duke mos arritur ndonjë konsensus në lidhje me kërkesën e tyre për hetimin e zgjedhjeve sipas propozimit të tyre, pas 20 orë debati parlamentar kërkoi tërheqjen e nismave. "Në bazë të nenit 72 të rregullores, unë tërheq nismat e Partisë Socialiste për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit" - deklaroi Ruçi. Por kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk e ka pranuar një kërkesë të tillë, duke theksuar se nisma për krijimin e komisionit hetimor dhe ndryshimin e ligjit të hetimit parlamentar nuk është paraqitur në emër të grupit parlamentar të PS-së, por me firma deputetësh, pra në mënyrë individuale."Po krijoni një precedent penal pas 20 vjetësh, bëni kërkesën tuaj, po ju nuk mund të votoni nismën tonë, kur ne e tërheqim, ju nuk mund ta votoni, ky është skandal. Bëni nismën tuaj, firmat e deputetëve tuaj dhe jemi dakord, nuk mund të votoni për një nismë që nuk ekziston" - ka replikuar Ruçi. Ndërsa kryeparlamentarja ka deklaruar se "Kërkesa u bë në emrin tënd, nuk u bë në emër të grupit, nuk kam asgjë të shkruar përpara, kështu që vazhdoj votimin. E shikoni që PS-ja nuk është për transparencën e zgjedhjeve, ashtu siç e kërkoi dhe komisioneri Fule". Ndërsa kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi u shpreh se "ne jemi për hetimin e zgjedhjeve dhe do ta miratojmë komisionin hetimor". Ky qëndrim i ndarë ka sjellë edhe një kaos në Kuvend, ku socialistët në shenjë proteste nuk kanë pranuar të votojnë kërkesën e Topallit për krijimin e komisionit hetimor. Ata janë ngritur në këmbë, duke i kërkuar kryeparlamentares që të mos ta votojë një nismë të tillë. Pas verifikimit të votave të maxhorancës me anë të prezencës së deputetëve, Topalli ka hedhur për votim nismën tashmë të maxhorancës për hetimin e zgjedhjeve. PS nuk mori pjesë në këtë votim. Pas kësaj seance, dy deputetët e PS-së, Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe janë shprehur të habitur për një veprim të tillë. "Ne do të përballemi në çdo lloj forme ndaj kësaj dysheje kriminale Berisha-Topalli. Protesta do të marrë formë të re dhe ne që nesër do jemi në krye të saj", u shpreh Braçe, pa sqaruar se cila do të jetë rruga që do të ndjekë opozita. Ndërsa sipas Xhafajt, "kryetarja e Parlamentit ka treguar papërgjegjshmëri totale, duke kryer një veprim të paligjshëm".
Përbërja e komisionit
Komisioni i miratuar hetimor do të ketë 15 anëtarë në përbërje të tij dhe se kryesimin do ta ketë përfaqësuesi i Partisë Socialiste. Nënkryetari i komisionit do të jetë i PD-së, ku është përcaktuar Ilir Rusmali. Gjithsej do të jenë 15 anëtarë të komisionit. Maxhoranca ka anëtarë në këtë komision Eduard Halimin, Enkelejd Alibeaj, Aldo Bumçin, Arenca Trashanin, Viktor Gumin, Edi Palokën të PD-së dhe Nasip Naçon e LSI-së. Ndryshe nga kërkesa e PS-së, shumicën në këtë komision do ta kenë të djathtët dhe jo të majtët, ndërsa posti i kryetarit do të jetë i tyre. Sipas vendimit "Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje, përveç çështjeve për të cilat ka vendime të gjykatave të vendit, janë në shqyrtim gjyqësor apo për të cilat është regjistruar kallëzim penal në Prokurori. Objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte ose kompleks faktesh, të cilët tregojnë qartë se për çfarë po hetohet".