E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku e Xhuvani, duartrokiten dhe në Kuvend



Në seancën e djeshme kanë ndodhur edhe përplasje ndërmjet dy aktoreve të skenës së filmit shqiptar, tashmë përfaqësuese të Kuvendit të Shqipërisë. Luiza Xhuvani deputete e PS-së për qarkun e Vlorës ka folur për herë të parë në Kuvend, ndërsa i është përgjigjur me të njejtin ton demokratja Rajmonda Bulku. E para ka folur Xhuvani, e cila në diskutimin e saj është fokusuar në ngjarjen e Gërdecit, përmbytjet e fundit në Shkodër dhe për situatën ekonomike në vend. "ç'po ndodh me Gërdecin, ju nuk kërkuat falje, ju shpërblyet fajin. Emëruat ministër të Mjedisit, atë ministër që komandoi Gërdecin, me përmbytjet në Shkodër, shpërblyet sërish", tha Xhuvani. Ndërsa Bulku në fjalimin e saj ka hequr një paralele mes kohës kur u rrëzua regjimi i komunizmit. "Zëri juaj i ashpër në fjalimet tuaja nuk ka ndryshuar, është i njëjti si në kohën e regjimit më gjakatar. Prandaj ashtu si asaj kohe më vjen të thërras në këtë sallë "poshtë komunizmi"",tha Bulku. Në fund të diskutimit të tyre, të dyja aktoret deputete, janë duartrokitur nga deputetët e kampeve respektive për fjalimet e tyre entuziazmuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›