Tensioni, fyerje mes deputetëve
BLEDAR HOTI
Përplasja e dytë mes maxhorancës dhe opozitës për çështjen e hapjes së kutive është shoqëruar me sharje dhe fyerje nga më të ndryshmet nga ana e deputetëve të të dy kampeve. Pas diskutimit maratonë të një dite më parë, situata në ditën e dytë të seancës ka qenë tepër e ndezur, aq në çdo moment mund të kthehej në ndonjë debat më të ashpër mes palëve. Kulmi i acarimit të dy kampeve ka qenë menjëherë pas diskutimit të deputetit socialist, Ilir Gjoni. "Arena politike, falë fjalorit banal të drejtuesve tuaj tashmë ka degraduar në sulme personale dhe do të duhej një përmbysje e madhe për të rikthyer vlerat e rrënuara të standardeve të edukatës politike që do të lejonin një debat të arsyeshëm mbi çështje të rëndësishme të vendit, siç është dhe çështja që diskutojmë sot", deklaroi Gjoni. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeparlamentares Topalli, e cila i është kundërpërgjigjur se "Parafolësi tjetër tha që do t'i përmbysim këto vlera. Zoti Gjoni, njëzet vjet më parë kemi përmbysur babanë tuaj, por unë nuk kam asnjë urrejtje për ty". Ndërsa deputeti i PS-së, i është kundërpërgjigjur se "Ju dhe Kryeministri juaj, ai që ka shkatërruar këtë vend, ai që ka vrarë njerëz, ai që bëri '97. Ti nuk mund të hedhësh baltë mbi babën tim. Baba im dhe të gjithë atë brezi është i nderuar. Se babai im, po të ishte këtu para 15 viteve, ka qenë 15 vjet liri se sa Kryeministri jot. Do ta kopsiste atë Kryeministrin tënd. Ti nuk mund të hedhësh dot baltë zonja Jozefinë ndaj gjithë atij brezi që ka punuar për këtë vend". Ndërsa Topalli ka replikuar se "Shiko ka vdekur komunizmi, Ilir Xhelil Gjoni. Nuk kthehet më komunizmi Ilir Xhelil Gjoni. Nuk kthehet më komunizmi Ilir Xhelil Gjoni, ka vdekur koha kur baba jot mbante Shqipërinë të izoluar, e mbante me luftë klasash. Harroje se ka më përmbysje në Shqipëri". Nuk kanë munguar as sharjet mes Ilir Gjonit të PS-së dhe Flamur Nokës të PD-së. Në këto diskutime nuk kanë munguar as replikat ndërmjet ministrit të Kulturës, Ferdinand Xhaferri me kreun e grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, si dhe replikat e kundër replikat mes ministrit Mediu dhe aktores, Luiza Xhuvani, deputete e PS-së.
debatet ne parlament
Jozefina Topalli: Parafolësi tjetër tha që do t'i përmbysim këto vlera. Zoti Gjoni, njëzet vjet më parë kemi përmbysur babain tuaj por unë nuk kam asnjë urrejtje për ty.
Ilir Gjoni: Po kë ke përmbysur ti moj
Jozefina Topalli: Nuk kam asnjë urrejtje për ty. Por ti nuk mund të përmbysësh vlerat e NATO-s zoti Gjoni as nuk mund të përmbysësh ato vlera që ne arritëm me 28 qershor. E di pse jeni kaq të frustuar që të gjithë, nuk ju besohet që me 28 qershor ju mund të humbisnit dhe e dini pse? Zoti Gjoni, ka ikur koha e përmbysjeve. Janë përmbysur 20 vjet përpara, harroje ti se përmbys një vend që është anëtar i NATO-s. Harroje! Mund ta dëshirosh ndoshta si babai yt, harroje se mund ta përmbysësh.
Jozefina Topalli: Fjalën e ka zoti Shehu
Socialistët kërkojnë t’i jepet fjala replika...
Ilir Gjoni, PS: Zonja Topalli është turp për ju si kryetare e Kuvendit për këtë qëndrim dhe këtë gjuhë që mbani. Mu më bëhet qejfi se fjala ime ju paska djegur shumë. Ju dhe kryeministri i juaj, ai që ka shkatërruar këtë vend, ai që ka vrarë njerëz, ai që bëri '97, ai që në '96...
Jozefina Topalli: Ai që përmbysi babën tënd dhe prandaj e ke këtë urrejtje.
Ilir Gjoni, PS: Baba im, baba im
Jozefina Topalli: Të përmbysi babën dhe ju bllokmenët e rinj
Ilir Gjoni, PS: Babai im dhe të gjithë të atij brezi janë të nderuar. Se babai im po të ishte këtu para 15 viteve, ka qenë 15 vjet liri se sa Kryeministri jot. Do ta kopsiste atë Kryeministrin tënd, por nuk është si ai...
Jozefina Topalli: Shiko bllokmenët e rinj, bllokmenët e rinj kërkojnë ta mbajnë Shqipërinë e izoluar tamam si baballarët e tyre. Sa të jemi ne këtu, Ilir Xhelil Gjoni nuk do të lejmë që Shqipëria të mos liberalizojë vizat.
Ilir Gjoni: Po mi Jozefinë Ruzhdia, qepe gojën, qepe
Jozefina Topalli: Harroje ti se mund të përmbysësh Qeverinë të dalë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, harroje zoti Gjoni.
Ilir Gjoni, PS: Ulu nenjun aty, e paska hequr karrigen, ulu nenjun aty. E paske hequr karrigen, diku i paske thërrit mendjes. Më shumë do të shkurtohet karrigia, ty me këtë gjuhë që flet. Ti nuk mund të hedhësh dot baltë zonja Jozefinë ndaj gjithë atij brezi që ka punuar për këtë vend.
Jozefina Topalli: Për Xhelil Gjonin e ke fjalën ti mor
Ilir Gjoni: Ti nuk mund të hedhësh dot baltë...
Jozefina Topalli: Shiko ka vdekur komunizmi, Ilir Xhelil Gjoni. Nuk kthehet më komunizmi Ilir Xhelil Gjoni, Nuk kthehet më komunizmi më Ilir Xhelil Gjoni, ka vdekur koha kur baba jot mbante Shqipërinë të izoluar, e mbante me luftë klasash. Harroje se ka më përmbysje në Shqipëri. I mjeri ti, vazhdo zoti Shehu.
Debati Flamur Noka- Ilir Gjoni
Flamur Noka, PD: Mbylle mër gojën mër
Ilir Gjoni, PS: Qepe mer ti
Flamur Noka, PD: Kujt i flet ashtu ti mër gjakatar. Do ta çaj gojën mos m'u drejtua mua ashtu
Ilir Gjoni, PS: Ik më zagar
Flamur Noka, PD: Po ik mër se unë.....
Jozefina Topalli: Fjalën zagar zoti Gjoni, mund ta përdorni në shtëpinë tuaj, në asamblenë tuaj, jo kolegëve të tjerë. Të tërheq vëmendjen në bazë të nenit 64 të Rregullores. Këtu jemi në Parlament, që do të thotë parlare dhe parlare në bazë të Rregullores të etikës parlamentare.
Alfred Dalipi, PS: Pse nuk i flet dhe deputetit tënd për shkeljen e etikës.
Përplasja Topalli-Xhuvani
Jozefina Topalli: Tha zonja parafolëse se, kur era i bie te balli, te faqja dhe kur loti i derdhet te goja për shkak të korrupsionit, tha "ata shiten dhe blihen". Zonjë, ti s'njeh se çfarë është partia. çdokush mund të shitet dhe blihet por kurrë militantët. Kurrë militantë e partisë nuk shiten dhe nuk blihen. Dhe është shumë e rëndë ajo që ke thënë ti sot. Jashtëzakonisht e rëndë. Por duhet të fillosh ta duash militantin e ta respektosh partinë.
Luiza Xhuvani, PS: Ju falënderoj për mikpritjen që më bëtë sot në Kuvend. Nuk e dija se fjalimi im do të ishte kokë turku sot.
Gent Strazimiri, PD: Kur transmetohet prapë..
Luiza Xhuvani, PS: Dhe do t'ju thosha se më akuzuat se nuk e dua elektoratin tim. Do t'ju këshilloja që shkoni ta takonit elektoratin tim dhe ta shihni se çfarë relacioni ka Liza Xhuvani me elektoratin, ndoshta nuk e keni parë kurrë. Mirupafshim.
Gent Strazimiri, PD: Po për votat e Gërdecit pse nuk foli, se si doli.
Fatmir Toçi, PS: Po si s'keni turp që flisni për Gërdecin, aty vdiqën 26 vetë
Replikat Malaj-Topalli
Arben Malaj, PS: Pse nuk i sjell komisionierin këtu në Parlament se është turp që nuk e ke ftuar, e ke lënë në mes të Tiranës.
Jozefina Topalli: Do ta takoj sot pasdite zoti Malaj, në fakt ti nuk do të kesh fatin ta takosh, në fakt unë ju ftoj që të jeni aty. Kërkoi leje zoti Edi Rama që të vini edhe ju kur jem unë në zyrë po s'të lë ai, si nuk të lë të marrësh pjesë në Parlament.
Arben Malaj, PS: Unë nuk i marr leje njeriu.
Debati Xhaferri-Ruçi
Ferdinand Xhaferri, PD: Kjo justifikon vetëm një vendim që ka marrë zoti Rama, i cili ka vendosur t'ju lërë jashtë institucioneve dhe jashtë Parlamentit.
Gramoz Ruçi, PS: Po Ismail Qemalin ku e le..
Ferdinand Xhaferri, PD: Unë kam bërë dhe mund të bëj lapsuse, por një gjë garantoj se fëmijët e mi kurrë s'do marrim pistoletë në dorë për të vrarë në mes të Tiranës.
Gramoz Ruçi, PS: O Xhevrie çfarë flet.
Ferdinand Xhaferri, PD: Xhevrie nuk di, po jo si ju me pistoletë në brez
Gramoz Ruçi, PS: E ke nga pas.
Ferdinand Xhaferri, PD: Nga pas futjani kryetarit tuaj
Përplasja Mediu- Xhuvani
Luiza Xhuvani, PS: Maxhoranca të hapë ndërgjegjen, jo të shpërblejë Gërdecet me postë. ç'po ndodh me Gërdecin, ju nuk kërkuat falje, ju shpërblyet fajin. Emëruat Ministër Mjedisi atë ministër që komandoi Gërdecin, me përmbytjet në Shkodër, shpërblyet sërish. Nuk është mirë, hapni ndërgjegjen. Mazhoranca vuan kompleksin e Akilit dhe ruan thembrën për ndonjë shigjetë.
Fatmir Mediu, PR: Me ato recitimet e tua dhe lotët false, ti kërkon të bësh lojë politike. Ju moj zonjë, e keni nisur mbrapsht punën. Hera e parë që vini në Kuvend dhe nuk e nisni parsh por e nisni mbrapsht. Vlerësoj hapjen, po jo më shumë se ç'duhet, se të bën dëm. Ki individualitetin tënd dhe jo tekstet për recitim të kryetarit tënd.