E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata zgjedhore, Kryeministri vazhdon prerjen e shiritave

Kryeministri Sali Berisha vazhdon turin elektoral me përurime rrugësh dhe shkollash në Vlorë dhe Orikum. Në kuadër të investimeve të kryera në këto zona, kreu i qeverisë ka përuruar dje tre vepra madhore në Rrethin e Vlorës, ku përfshihen rruga Transballkanike, Unaza e Orikumit dhe rikonstruksioni e zgjerimi i shkollës 9-vjeçare "Balil Pelari", po në Orikum. Kreu i qeverisë u ndal fillimisht në rrugën Transballkanike, ku preu shiritin e investimit prej 7 milionë eurosh. Në fjalën e tij përpara mediave, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e kësaj rruge për Vlorën. Berisha e konsideroi rrugën Transballkanike si "autostradën më të gjerë në Shqipëri", duke e cilësuar eveniment të rëndësishëm për Vlorën. "Kjo rrugë është një arterie jetike për qytetin, që e mbron atë nga transporti i mjeteve të rënda. Socialistët, premtuan, prenë shirita, por ne e ndërtuam. Kjo rrugë i jep Vlorës një nga aspektet e saj më madhështore", vijoi Berisha. Më tej, duke iu referuar programit për Vlorën, Berisha u shpreh se "do të ketë parkun e saj industrial, kampusin universitar dhe në katër vitet që vijnë do të marrë zhvillim të fuqishëm. Porti i kontenierëve do të ndërtohet me siguri, me koncesion dhe në të do të punësohen 40-50 mijë punonjës dhe specialistë". Më pas, kreu i qeverisë u ndal në Orikum, ku pas prerjes së shiritit në Unazën e Re, ai u shpreh se "Orikumi është një bizhu e vërtetë në brigjet e Shqipërisë, që po kthehet në identitet dhe që po transformohet në qendër të fuqishme evropiane për turizmin". Më tej, në sheshin e Orikumit, ku foli përpara shumë qytetarëve, kreu i qeverisë u bëri thirrje të pranishmëve për t‘ju bashkuar vazhdimit të ndryshimit edhe në katër vitet e ardhshme. Ai tha se në këto vite në Orikum është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura. "Në këto katër vite, ne kemi realizuar dhjetëra e dhjetëra herë më shumë investime se qeveria socialiste", u shpreh Berisha. Kryeministri përmendi disa nga investimet e qeverisë në Bashkinë e Orikumit, e konkretisht: "Në katër vjet ne kemi investuar në Unazën e Orikumit me një vlerë prej 1.2 milionë dollarësh. Shëtitoren e Radhimës me vlerë 48 milionë lekë, rrugën e Dukatit me vlerë 60 milionë lekë, shëtitoren e Dukatit me vlerë 77 milionë lekë, shëtitoren në Orikum me vlerë 60 milionë lekë, hyrjen e Orikumit me vlerë 43 milionë lekë". Berisha përmendi edhe shkollën e Orikumit, një investim prej 43 milionë lekësh, ambulancën e Radhimës 36 milionë lekë. Ndërsa projekti më i madh i zonës mbetet parku eolitik, i cili do të ketë një vlerë investimi prej 1.2 miliardë eurosh. Kreu i qeverisë nuk la jashtë vëmendjes fermerët, ku theksoi dhe nismën e tij të ullirit, duke premtuar subvencionimin e rreth 3 mijë hektarëve të mbjellë me ullinj në këtë zonë. Duke iu referuar kartave të identitetit, Berisha theksoi rëndësinë që ka aplikimi dhe ftoi qytetarët ta bëjnë këtë veprim. "Më 28 qershor, shqiptarët do të votojnë me dëshmitë e identitetit më moderne të prodhuar në Europë", u shpreh Berisha. Në fund të fjalës së tij ai ftoi qytetarët e Orikumit dhe gjithë zonave rreth tij, të vijojnë në rrugën e nisur të ndryshimit, për një Shqipëri europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›