Topi i beson Shpresa Beçajt kreun e Gjykatës së Lartë
Presidenti i Republikës firmosi dje për emërimin e Shpresa Beçajt në krye të Gjykatës së Lartë. Gjyqtarja me një karrierë të gjatë prej afro 20 vitesh në fushën e drejtësisë do të zëvendësojë vendin vakant të Thimio Kondit, i cili përfundoi mandatin e tij disa muaj më parë. Kreu i shtetit, në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 2, të Kushtetutës, hodhi firmën pikërisht mbi emrin e znj. Shpresa Beçaj, e cila duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit për kryesimin e një prej institucioneve të pavarura në vend. Para se të vendosë për ta bërë atë kryetare të këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë, Topi e ka dekoruar vetëm para pak muajsh me Urdhrin “Naim Frashri” i Artë, me motivacionin: “Për aftësi të larta profesionale e merita të veçanta në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe personalitetin e treguar si një gjyqtare e suksesshme”. Beçaj e ka nisur karrierën e saj profesionale në vitin 1985 si këshilltare ligjore në gjykatën e rrethit gjyqësor Gramsh. Në vitin 1987 është emëruar si gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Gramsh detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1990. Në vitin 1990 është emëruar gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë. Në vitin 1994 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 1989 ka kryer kursin pasuniversitar në specialitetin gjyqtar. Në vitin 2004 është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, kur ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike". Me dekretin nr. 4156 datë 23 mars 2004, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë. Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është 9 vjet.
CV
SHPRESA BEÇAJ, anëtare e Gjykatës së Lartë, ka lindur në Kukës në vitin 1961. Nga martesa ka dy fëmijë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1983. Me mbarimin e fakultetit është emëruar K/Sekretare në gjykatën e rrethit gjyqësor Gramsh. Në vitin 1985 është emëruar këshilltare ligjore po në gjykatën e rrethit gjyqësor Gramsh. Në vitin 1987 është emëruar si gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Gramsh detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1990. Në vitin 1990 është emëruar gjyqtare në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë. Në vitin 1994 është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 1989 ka kryer kursin pasuniversitar në specialitetin gjyqtar. Në vitin 2004 është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, kur ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike".
Me dekretin nr. 4156 datë 23 mars 2004, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë.