Fushë-Krujë, dy aksidente në një orë, 6 të plagosur rëndë
FUSHË-KRUJË - Dy aksidente të rënda i shtohen morisë së madhe të aksidenteve në aksin më të rrezikshëm në vend, Tiranë-Milot. Sot rreth orës 09:30 në afërsi të fshatit Derven janë përplasur dy automjete të tipit Mercedes Benz. Katër persona u nxorën nga automjetet me plagë të rënda dhe u transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas policisë, shkelja e rregullave të qarkullimit dhe lagështia në rrugë janë bërë shkak i këtij karamboli të fortë.
Nuk ka zgjatur një orë kur është shënuar aksidenti i dytë, afro një kilometër larg nga i pari. Një automjet me targa të Matit dhe një tjetër me targa Tirane janë përfshirë në aksident, ku dy automjetet përfunduan jashtë rrugës. Për pasojë drejtuesit e tyre morën plagë të rënda, dhe u transportuan në Spitalin Ushtarak. Sërish komunikata e policisë flet për shkelje të rregullave dhe lagështisë në rrugë. Ende nuk ka një informacion mbi identitetin e të lënduarve.