E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushë-Krujë, kasaphanë në "Fast Food"

Vetëm në pak metra katrorë të një lokali në qendër të Fushë-Krujës është përzier gjaku i të plagosurve me atë të njërit prej autorëve dhe një të mituri të pafajshëm. Një sherr banal midis kreut të LSI-së në Fushë-Krujë, njëkohësisht nënkryetar i këshillit bashkiak të qytetit, Astrit Baku, me dy persona nga Nikla, është shndërruar në një krim të rëndë. Më shumë se një armë zjarri është shkrepur brenda "Fast Food"-it që ishte në pronësi të Bakut. Si rezultat janë plagosur katër persona, mes tyre një fëmijë 12 vjeç, që ndodhej në vendin e gabuar, në çastin e gabuar. Pak sekonda më pas, njëri nga autorët është larguar me shpejtësi, duke lënë pas bashkëpunëtorin e tij. Nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, bashkëshortja e tij, një i mitur dhe njëri nga autorët e plagosjes, Haxhi Caca, kanë mbetur të plagosur në ngjarjen e ndodhur dje pasdite, e cila ka tronditur mbarë qytetin. Krimi i rëndë ka angazhuar në operacionin për kapjen e autorit tjetër edhe drejtuesit e policisë së qarkut, përveç atyre të Komisariatit të Krujës. Të gjithë kanë zbarkuar në terren për kapjen e Gentjan Koçit, 23 vjeç, nga Nikla e Fushë-Krujës, dhe zbardhjen e plotë të sherrit banal që u shndërrua në një krim të rëndë. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës saktësuan emrat e të plagosurve në ngjarje. Ata janë Astrit Baku, 36 vjeç, bashkëshortja e tij 30-vjeçare, fëmija F.K., 12 vjeç, dhe Haxhi Caca, 34 vjeç. Të gjithë janë nga Fushë-Kruja. Burime nga policia, duke iu referuar atyre spitalore, bënë të ditur për "Shqip" se, për fat të mirë, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, Caca i plagosur, është ndaluar nga policia si bashkautor i krimit. Nuk dihet se në ç‘rrethana ka mbetur ai i plagosur. Nëse është bërë viktimë e plumbave të dalë nga armët e përdorura nga vetë ai dhe shoku, apo edhe Astrit Baku për vetëmbrojtje ka përdorur armë zjarri. Ekspertët e kriminalistikës që shkuan në vendngjarje pohojnë se është përdorur më shumë se një armë zjarri dhe se provat balistike do të saktësojnë numrin e armëve të përdorura dhe llojin e tyre. Burime të policisë lokale thanë se 12-vjeçari i plagosur ka qenë në lokal si klient. Të shtënat kanë terrorizuar qytetarët e shumtë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, në qendër të qytetit, fare pranë tregut. Ata janë shndërruar në dëshmitarët e parë të asaj çka ndodhur brenda lokalit dhe jashtë tij. Ndërsa Gentjan Koçi, autor në bashkëpunim, është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, duke lënë pas shokun e tij të plagosur. Armët janë nxjerrë pas një sherri të nisur mes Bakut dhe Cacës e Koçit, duke vënë në shënjestër dhe gruan e Astritit, e cila ka ndërhyrë për të shuar sherrin, por ka mbetur e plagosur edhe vetë. Të plagosurit janë dërguar brenda pak minutash në drejtim të Spitalit Ushtarak ku kanë marrë dhe ndihmën e duhur mjekësore dhe ndonëse në gjendje jo të mirë shëndetësore, janë jashtë rrezikut për jetën. I plagosuri kryesor i ngjarjes është një figurë e njohur politike në qytetin e Fushë-Krujës dhe i mandatuar në zgjedhjet e fundit të pushtetit vendor përmes forcës së tij politike, LSI-së. Ai është kryetar i degës lokale të kësaj partie dhe njihet si njeri pa probleme dhe konflikte në komunitetin ku jeton e punon. Gjithsesi, gjaknxehtësia shqiptare ka triumfuar edhe këtë herë, duke shndërruar një sherr banal në një ngjarje të rëndë kriminale. Burime nga Fushë-Kruja bëjnë të ditur se, përveç biznesit të vogël që ka, Baku ushtron profesionin e mësuesit në shkollën e fshatit Derven, pranë Fushë-Krujës.

Të plagosurit

Astrit Baku, 36 vjeç, nënkryetar i këshillit bashkiak dhe kryetar i degës së LSI-së në Fushë-Krujë

Anila Baku, 30 vjeç, gruaja e Astritit

F.K., 12 vjeç, klient i "Fast Food"-it

Autorët

Gentjan Koçi, 23 vjeç, nga Nikla

Haxhi Caca, 34 vjeç, i plagosur në ngjarje



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›