Atentat në mes të Shkodrës, shpëton 23-vjeçari
Shkodra tronditet përsëri nga një atentat për motive gjakmarrjeje. Një 23-vjeçar i ka shpëtuar për mrekulli një atentati me armë zjarri, që ka tmerruar dhjetëra njerëz në qendër të Shkodrës. Izmir Shpuza, 24 vjeç, nuk ka ngurruar të nxjerrë pistoletën dhe të shtjerë në drejtim të bashkëfshatarit të tij nga Shtoji i Ri, në mes të qytetit, përpara Bashkisë së Shkodrës. Shpuza ka shtënë disa herë në drejtim të hasmit, por Bledar Dhampiraj ka shpëtuar pa marrë asnjë plagë. Në afërsi të ngjarjes janë gjendur disa agjentë të policisë, të cilët menjëherë u vunë në ndjekje të autorit të atentatit, i cili është kapur 300 metra larg vendit të ngjarjes. Sipas policisë, ngjarja ndodhi për motive gjakmarrjeje, pasi Izmir Shpuza ka dashur të hakmerret për babain e tij, të vrarë para dy muajsh nga vëllai i Bledar Dhampirajt, Besmiri. Duke iu referuar edhe deklaratave të të arrestuarit, policia konfirmoi se tentativa për vrasjen e Dhampirajt erdhi pas vrasjes së Hysni Shpuzës. Historia e konfliktit midis dy familjeve fqinje në fshatin Shtoj i Ri ka nisur para katër vitesh. Në 2004-ën, Albert Dhampiraj kërkoi të fejohej me vajzën 15 vjeçe të Hysni Shpuzës. Familja Shpuza e refuzoi këtë kërkesë dhe ai, në shenjë hakmarrjeje, tentoi të vrasë Hysniun, cili i shpëtoi atentatit. Në vitin 2006, Albert Dhampiraj, me vëllezërit e tij Ermalin dhe Bledarin, qëlluan vëllain e Hysniut, Hamza Shpuzën, i cili mori plagë të lehta në krah. Më pas, Albert Dhampiraj, me vëllain e tij Ermalin, rrëmbejnë vajzën e Hysni Shpuzës dhe largohen, duke e dërguar atë në disa zona të thella malore. Policia ndërmerr më 19 korrik 2006 një operacion, që përfundoi me lirimin e vajzës, por dy vëllezërit, të cilët hapën zjarr mbi policët, arritën të largoheshin. Ata u arrestuan në shtator dhe tetor të atij viti, por konflikti midis dy familjeve nuk u mbyll. Më datë 6 shtator të vitit 2008, Hysni Shpuza u ekzekutua me armë zjarri në qytetin e Shkodrës. Autor i kësaj vrasjeje, sipas policisë, ishte Besmir Dhampiraj, i cili është ende në kërkim. Ngjarja e djeshme në qendër të Shkodrës paralajmëron të tjera përplasje midis dy familjeve.