E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Krujë, shpërthen eksploziv në territorin e fabrikës së çimentos

 

FUSHE KRUJE - Një shpërthim i fuqishëm mëngjesin e djeshëm tronditi periferinë e qytetit të Fushë-Krujës. Burime të policisë bënë të ditur se rreth orës 09:30, një sasi prej rreth 200 gramë tritol ishte vendosur në një kamion të firmës së fabrikës së çimentos në Fushë Krujë. Mjeti ishte i parkuar në territorin e saj kur persona të paidentifikuar kanë mundur të hyjnë në brendësi të fabrikës dhe të vendosin eksplozivin nën shasinë e kamionit, i cili ishte i ngarkuar me çimento. Pas krimit, autorët kanë mundur të largohen pa u vënë re nga ana e rojeve. Rojet e fabrikës mbërritën menjëherë tek vendi i shpërthimit vetëm pasi dëgjuan zhurmën. Ata konstatuan se kamioni ishte pothuajse i shkatërruar. Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit të eksplozivit nuk ka pasur njerëz në afërsi të automjetit me tonazh të rëndë. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes pas sinjalizimit të dhënë, duke kryer ekspertizën përkatëse. Gjithashtu, grupi i hetimit mori në pyetje rojet e fabrikës, por dëshmia e tyre nuk ka ndihmuar në identifikimin e autorëve, pasi ata nuk kishin parë asnjë person të dyshimtë para momentit të shpërthimit. Fabrika e çimentos në Fushë-Krujë ka qenë disa herë objekt sulmi apo i protestave nga ana e banorëve. Policia bëri të ditur se ka nisur hetimet për ngjarjen e djeshme, por motivi dhe autorët për momentin mbeten mister.                                      r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›