E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhërrëfyesit grabisin kosovarët

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Ktheheshin nga pushimet në Durrës, grabiten afër tunelit të Kalimashit turistët kosovarë. Policia e Kukësit, në bashkëpunim me atë të Rrëshenit prangosi dy protagonistët e kësaj ngjarjeje, të cilët janë nga fshati Thirrë i komunës Fan në Mirditë. Sipas policisë, pasditen e djeshme janë arrestuar Gjergj Deda, 21 vjeç dhe Martin Çuni, 29 vjeç. Arrestimi i dy të rinjve u bë me akuzën e grabitjes me dhunë të pasurisë së tjetrit. Në sajë të hetimeve të kryera rezultoi se autorët, mbrëmjen e së premtes kishin përcjellë në shtegun malor, sipër tunelit Thirrë-Kalimash, disa autovetura të kosovarëve që ktheheshin nga pushimet në Durrës. Kosovarët kishin mbërritur tek porta e tunelit në Thirrë, por nuk lejohej hyrja në të për efekt të punimeve që bëhen në galeri në orarin 23:00-07:00. Dy djemtë e Thirrës, të cilët prej disa kohësh kishin nisur të bënin punën e udhërrëfyesit në orët e natës, u kanë kërkuar grupit të turistëve t'u paguanin atyre nga pesë euro për t'i ndihmuar më pas që të kalonin në rrugën në mal, sipër tunelit nga Thirra në Kalimash. Kjo rrugë është hapur për kalimet e makinave të firmës ndërtuese kur ende nuk ishte vënë në funksionim tuneli. Në mungesë të funksionimit të galerive, kjo rrugë është shfrytëzuar gjatë natës. Teksa udhërrëfyesit kanë devijuar tunelin, përgjatë rrugës ata kanë grabitur kosovarët duke iu marrë forcërisht 135 euro. Dyshohet se ata kanë qenë të pajisur edhe me armë, por policia për afekt të hetimeve nuk bëri të ditur detaje në lidhje me grabitjen. Pasi kanë kaluar shtegun, kosovarët kanë kryer denoncim në polici sapo kanë mbërritur në Kukës. Blutë e Kukësit sinjalizuan për ngjarjen e ndodhur policinë e Rrëshenit. Kjo e fundit pas hetimeve të kryera bëri të mundur identifikimin e autorëve dhe të numrave të tyre celularë. Nëpërmjet telefonit, policia u kërkoi atyre të paraqiteshin në komisariat, nga ku më pas edhe i arrestoi në këto ambiente dhe ia kaloi për hetime të mëtejshme rajonit të Kukësit. Fillimisht Deda dhe Çuni kanë tentuar të mohojnë akuzën e policisë për grabitjen e grupit të turistëve kosovarë, të cilët mendohet të kenë qenë disa familje bashkërisht. Tek porta e tunelit në Thirrë ka dhe shërbim të Policisë Rrugore, por rruga sipër në mal është krejt jashtë kontrollit. Në pjesën veriore, në fshatin Kolsh të Kukësit rruga mbyllet që 5 km pa mbërritur në tunel, kështu që ata që duan të lëvizin kalojnë nga rruga e vjetër. E njëjta gjë ndodh edhe në pjesën tjetër kur vjen nga Rrësheni, kështu që kur makinat nuk e kapin të hapur tunelin, duhet të presin deri në mëngjes, ose të marrin shtegun sipër në mal. Një muaj më parë, në tentativë për t'i grabitur, tre të rinj nga Kukësi plagosën një udhëtare kosovare. Në këto ditë kur fluksi i lëvizjeve të kosovarëve shënon kulmin deri me 20 mijë në ditë, policia ka marrë masa për sigurimin e rrugëve dhe në to patrullojnë edhe forcat speciale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›