E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat në Velipojë, rëra kthehet në tokë bujqësore

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Abuzime të mëdha që kanë të bëjnë me shumëfishimin e sipërfaqes që u takonte ish-pronarëve apo zhvendosjen e pronës me vendime gjykate nga thellësia e territorit për në bregun e detit. Për këto shkaqe, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Shkodër pezullon 12 dosje për zonën e Velipojës, të hartuara mbi bazën e vendimeve të padrejta të dhëna nga gjykata e rrethit. Vetë kreu i kësaj agjencie në Shkodër, Besnik Kastrati i bën të ditura këto fakte. Ai ka deklaruar në një intervistë për “Panorama” se, dosjet e pezulluara për shkak të shkeljeve të rënda i takojnë periudhës qershor-korrik të vitit 2005. Kreu i AKKP-së Kastrati tregon për herë të parë se çfarë ndodh aktualisht në bregdetin e Velipojës që përkon me zonën më të lakmuar në Shkodër.
Duke ditur pozicionin gjeografik të zonës së Velipojës a ka pasur kërkesa pranë agjencisë suaj për kthim prone?
Aktualisht, pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kemi vetëm 1 dosje të plotë, ku kërkohet kthimi i pronës. Por janë dhe rreth 15 kërkesa të tjera, të cilat ende janë thjesht të tilla. Personat e interesuar nuk kanë bërë plotësim të dosjes me dokumentacionin përkatës. Këto kërkesa janë paraqitur kryesisht nga banorë të zonës së Velipojës, por edhe nga qyteti i Shkodrës. Ata pretendojnë se kanë pasur pronat e tyre në Velipojë, por ne pa bërë plotësimin e dosjeve, nuk mund të bëjmë asnjë konstatim për to.
Si ka qenë ritmi i kthimit të pronave në Velipojë deri në ditët e sotme?
Nuk ka statistika të sakta në lidhje me këtë. Por mund të themi se kanë qenë rreth 30 kthime pronash, kryesisht të sipërfaqeve të vogla. Deri në vitin 2004 janë bërë kthime vetëm për trojet. Pas vitit 2004 janë trajtuar për kthim dhe kullotat, livadhet e tokat bujqësore. Në vitin 2005, në muajt qershor-korrik kemi kthime në Velipojë, janë disa vendime që kthejnë mijëra metra në plazh. Janë rreth 500 mijë metra që janë kthyer në këtë periudhë nga ish-Komiteti Vendor i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Në të gjitha këto raste është pretenduar se sipërfaqja e marrë ka qenë pronë e tyre.
Plazhi i Velipojës ka filluar të funksionojë pas vitit 1970. Madje, para këtyre viteve nuk ka pasur as rrugë që të çonte në breg të detit. Si veprohet me pronarët e vjetër të kësaj zone?
Në Velipojë janë bërë abuzime. Dhe pse zona e bregdetit është hapur vonë, edhe këtu janë bërë kthime të tokës në bregdet duke u bazuar në ligjin 7501. Pra, është ndarë si tokë bujqësore. Por këtu qëndron edhe abuzimi, pasi sipërfaqja ranore nuk mund të jetë tokë bujqësore. Po kështu, shkeljet janë vënë re në shtim të sipërfaqes së tokës në pronësi. Shkelje tjetër është ndryshimi i kufijve të tokës në pronësi. Për shembull, një tokë që është në afërsi të qendrës së fshatit, rreth 5 km larg bregut të detit, është zëvendësuar në një zonë tjetër afër bregdetit.
Në raste të tilla çfarë keni bërë?
Disa dosje të kthimit të pronave që kemi pasur të trashëguara nga ish-Komiteti Vendor i Kthimit dhe Kompensimit (KVKKP) i kemi marrë në shqyrtim. Verifikimet kanë nisur në 2007-ën. Janë gjithsej 12 dosje, të cilat me një vendim kanë marrë vlerësimin negativ. Në këto dosje është bërë zhvendosje e pronës. Personat e interesuar kanë arritur që të bëjnë këto zhvendosje me vendime gjykate dhe me ekspertë joprofesionistë. Pas verifikimeve, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka bërë rrëzimin e këtyre kërkesave, pasi pronat nuk ndodheshin në bregdet. Po kështu, mes tyre ka pasur raste kur sipërfaqja është shumëfishuar. Me vendime të gjykatës, sipërfaqet në pronësi nga 40 dynym, janë bërë në 150 dynym. Ka raste kur shumëfishimi i pronës ka shkuar në 3-4 fish. Banorët i kanë justifikuar këto veprime me faktin se në dokumente kanë vendosur më pak tokë, për të mos paguar detyrimet në shtet. Por ky argument nuk qëndron aspak ligjërisht. Ka harta, të cilat i vërtetojnë të gjitha këto zhvendosje të bëra.

Kastrati: Vonesa se janë shtuar procedurat

Kreu i AKKP-së sqaron se, megjithëse pretenduesit për kthim pronash janë ankuar për vonesa në procedura, tashmë rregullat kanë ndryshuar. “Më parë mjaftonte një vendim fakti nga gjykata për të bërë kthimin, kurse tani duhet patjetër vendimi i vjetër i pronësisë. Gjithashtu bëhet një hetim i plotë administrativ, që të mos kemi pretendime nga persona të tjerë pas daljes së vendimit. Nuk duhet të kemi konflikte në lidhje me vendimet tona”, shprehet Besnik Kastrati. Ai thotë se aktualisht paraqiten kërkesa të reja, në të cilat ka dhe vërtetime nga kadastra apo vendime fakti nga gjykata. Këto kërkesa do të trajtohen kur të plotësohet i gjithë dokumentacioni. “Trajtimin e tyre e bën zyra jonë. Sot ligji na e jep të drejtën që të hedhim poshtë vendimet e faktit të gjykatës. Nëse nuk janë gjykime të mirëfillta themeli, ne kemi këtë të drejtë, pra t’i hedhim poshtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›