E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fustane nusesh kontrabandë dërgoheshin nga Shqipëria

14/06/2009  Kapet në Brindisi shoferi shqiptar

Të shquar për çudira në fushën e aktiviteteve të paligjshme, shqiptarët që kanë lidhje me Italinë kësaj radhe u treguan fqinjëve se asgjë s’është e pamundur. Në bagazhin e një autobusi pasagjerësh, shoferi shqiptar kishte fshehur 87 fustane nusesh dhe i shpuri kontrabandë në Brindisi. Autoritetet doganore kanë mbetur me gojë hapur kur panë gjithë ato fustane të paketuara e të sistemuara në tri kuti kartoni dhe një thes plastik. Në total vlera e tyre shkonte në 180 mijë euro dhe linja e këtyre dërgesave kontrabandë duket se do t’i sillte një fitim të konsiderueshëm si dërguesve ashtu edhe pritësve të mallit, të cilët do t’i shinin më pas fustanet në dyqanet italiane. Autobusi kishte zbritur nga linja e trageteve “Red Star 1” dhe vinte nga Shqipëria, pa përcaktuar qartë portin nga janë nisur Vlorën apo Durrësin. Të gjitha fustanet mbanin etiketën e një forme italiane, e cila këto kohët e fundit duket se është përfshirë nga kriza dhe ndodhet në prag falimentimi. Shoferi i autobusit është akuzuar për kontrabandë dhe u shoqërua në ambientet policore, ku po merret në pyetje për të përcaktuar anëtarët e këtij grupi, mënyra se si funksiononte ky rrjet dërguesish e pritësish si dhe shtrirja kohore e këtij aktiviteti. Sakaq, kohët e fundit në Itali vihet re shtim i rasteve të ngjarjeve që konsiderohen lajme të rralla e të çuditshme nga mediat italiane, ku protagonistë janë shqiptarët. Kështu, vetëm dy javë më parë u kapën disa adoleshentë, ku shumica ishin shqiptarë, të cilët kishin vënë thasë me rërë mbi shinat e trenit, teksa policia arriti të parandalonte një katastrofë të vërtetë.

M. Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›