E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në “tregun e zi” interesat e shitjes së letrave me vlerë arritën dje në 12 për qind

14/06/2009  Qeveria lejoi shlyerjen deri në 80 për qind të vlerës së objektit me bono

Legalizimet, rritet interesi për bonot

Qeveria vendosi të rifusë në qarkullim përdorimin e letrave me vlerë, si pjesë e shlyerjes së detyrimeve financiare për qytetarët që përfitojë nga procesi i legalizimit. Kjo ka bërë që në tregun e zi të këmbimit të valutës në kryeqytet të rritet interesi për shitjen dhe blerjen e bonove të privatizimit. Vendimi i para dy ditëve u jep mundësi qytetarëve që të kanë në përdorim ose mund të blejnë në treg sasi të caktuara të bonove për të shlyer deri në 80 për qind të vlerës së objektit që u është caktuar si detyrim financiar me to. Sipas ligjit të legalizimeve, këto detyrime financiare caktohen për 300 deri në 500 metra katrorë në Tiranë dhe në rrethet e tjera. Sipas llogaritjeve të bëra nga specialistët e ALUIZNI-t, këto detyrime nuk shkojnë më shumë se 4-5 milionë lekë të vjetra. Futja e mundësisë së përdorimit të letrave me vlerë ka bërë që procesi i shitjes dhe blerjes së tyre në tregun e zi, të rigjallërohet, pas një periudhe të gjatë ndalese. Kjo ka bërë që interesat të rriten ndjeshëm gjatë ditës së djeshme konkretisht si çmimi i blerjes së tyre nga 6-8 për qind e vlerës, ndërkohë shiteshin me 10-12 për qind të vlerës. Sipas agjentëve në tregun e këmbimit, pak ditë më parë interesat për bonot e privatizimit nuk arrin më shumë se 3- 4 për qind të vlerës. Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se aktivizimi i këtyre bonove është veçse një vendim politik i qeverisë. Aktivizimi apo aplikimi i tyre mund të ndodhë në momentet e privatizimit, madje ato mund të përfshihen në bursë, por mund të kuotohen edhe jashtë saj. Sipas të dhënave, numri i personave që kanë zotëruar bono privatizimi dhe letra me vlerë, arrin në mbi 700 mijë. Megjithatë, aktualisht nuk mund të flitet për një numër të saktë, për shkak se ndër vite poseduesit kanë shitur letrat me vlerë apo bonot e privatizimit. Gjithsesi sipas të dhënave, vlera e përafërt e bonove dhe letrave me vlerë, të cilat nuk janë përdorur arrin në rreth 77 miliardë lekë bono dhe letra me vlerë. Në këtë proces duhet të përfshihen edhe luhatjet e vlerës së bonove dhe letrave me vlerë në kushtet aktuale. Ndërkaq, Agjencia e Legalizimeve ka vijuar punën për shpërndarjen e lejeve të legalizimit dhe plotësimin e dosjeve për hipotekimin e këtyre objekteve. Më shumë se 600 milionë lekë janë shlyer deri tani nga qytetarët që kanë pasur ndërtime të paligjshme dhe kanë qenë pjesë e procesit të legalizimit. Shlyerja e detyrimeve është një proces që varet tërësisht nga vullneti i qytetarëve. Për ato objekte që tashmë janë kualifikuar për të marrë lejen e legalizimit, qytetarët mund paguajnë menjëherë dhe në këtë rast aplikohet një zbritje prej 20 për qind të detyrimit, prej rreth 800 mijë lekë, duke marrë parasysh që detyrimet për një objekt arrijnë në rreth 4 milionë lekë të vjetra, me çmimet e tregut. Sipas ligjit, nga të ardhurat që do të mblidhen prej procesit të legalizimit 80 për qind do të shkojnë për të kompensuar ish-pronarët, pronat e të cilave janë zënë nga banorët që kanë ndërtuar në këto troje. Ndërsa 20 për qind e të ardhurave të mbledhura do të shkojnë për të financuar planet rregulluese të këtyre zonave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›