E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Suksesi, studimet jashtë dhe biografia, ndërprisnin çdo karrierë”

14/06/2009  Urbanisti dhe arkitekti i njohur Rustem Myteveli tregon për kohën e diktaturë

“Deri atë çast nuk e kisha çuar asnjëherë ndërmend se suksesi, origjina e familjes dhe studimet jashtë shtetit mund të ktheheshin në fatkeqësi për çdo njeri”, me këto fjalë nis të tregojë peripecitë e jetës së tij, urbanisti dhe arkitekti i mirënjohur në gjithë vendin, 79-vjeçari Rustem Myteveli, pasardhësi i themeluesit të qytetit të Korçës, Iljaz bej Mirahori. Myteveli në rininë e tij përfundoi studimet për urbanistikë dhe arkitekturë në Bashkimin Sovjetik në Moskë. “Nuk e kisha menduar kurrë këtë gjë, nis të tregojë sërish ai, edhe pse duhej ta kisha menduar kohë më parë. Ditën që kuptova gjithçka është e lidhur me një mbledhje të organizuar nga Kryeministria ku pas atij takimi mua do të më largonin përfundimisht nga Tirana”.

Mbledhja

“Duhet të ketë qenë viti 1975-‘76”, nis të rrëfehet për gazetën “Metropol”, Rustem Myteveli. Na thanë se do të ishte një mbledhje e madhe ku do të merrnin pjesë më shumë se 300 veta, inxhinierë, arkitektë, urbanistë etj. Mbledhja organizohej nga Kryeministria, ndërsa do të drejtohej nga Spiro Koleka dhe të tjerë njerëz që do të zinin vend në podium. Rendi i ditës nuk ishte edhe aq i thjeshtë: do të kritikoheshin ndikimet e huaja në fushën e ndërtimeve dhe arkitekturë. Sigurisht pati edhe nga ata që u ndjenë të shqetësuar, por unë deri atë çast vazhdoja të isha i qetë. Solla ndërmend punën time dhe nuk më dukej se isha i ndikuar nga arkitektura e huaj, megjithëse gjithkush prej nesh e kishte ëndërr të ndërtonte diçka sipas arkitekturës më të mirë botërore, por këtë gjë e thoshim vetëm midis shokësh të mirë. Në universitet kishim mësuar shumë nga arkitektura e vendeve të tjera të botës, por nuk kishin asnjë mundësi t’i realizonim në terren… Gjithsesi u nisëm drejt Pallatit të Kulturës, mbledhja do të bëhej në një nga sallat e tij”.

Vazhdoja të isha i qetë, sepse deri atë ditë kisha punuar me një përkushtim të çuditshëm. E donim vendin dhe donim ta shihnim me një arkitekturë tjetër më moderne. Në vitin 1962 kur Gjirokastra dhe Përmeti u përmbytën nga shirat, në grupin e punës që u ngrit për marrjen e masave, që përmbytje të tilla të mos ndodhnin më, isha edhe unë. Punova në qytetin e Gjirokastrës. Atje qëndrova për ditë të tëra me radhë. Sa herë që vinin për kontroll nga ministria më gjenin mes shiut dhe baltës, i veshur me çizme dhe i lagur deri në palcë. Shirat e asaj kohe nuk patën të pushuar. Pra, kisha arsye të mendoja se në atë mbledhje mund të më lavdëronin dhe kurrsesi të më kritikonin për ndikime të huaja. Veç kësaj unë isha ai që në vitin 1967-1968 nisa projektimin e stadiumit të Gjirokastrës me 10 mijë vende, kisha ndërtuar një nga shkollat më të bukura në qytetin e Çorovodës, kisha nisur projektimin e ambienteve të administratës, mensave dhe objekteve të tjera në Metalurgjikun e Elbasanit. Këtë projekt e kisha menduar me 8 kate. Do të ishte një ndërtim madhështor, i veçantë dhe i bukur. Veç këtyre kisha punuar edhe për projektimin urbanistik të disa qyteteve. S’kisha përse të ndihesha i shqetësuar”.

Kritikat

Njerëzit që zunë vend në podium dhe që kryesoheshin nga Spiro Koleka nuk dukeshin dhe aq miqësorë. Qëndronin tepër seriozë, sikur kërkonin të na paralajmëronin se fundi i asaj mbledhjeje nuk kishte për të qenë dhe aq i mirë. Kjo ndjesi frike nga përshkoi të gjithëve. Çfarë mund të kishim bërë ne deri në atë kohë me ndërtimet tona?. Ndoshta atë çast gjithkush i bënte vetes këtë pyetje: “Çfarë kemi bërë”?! Pas një hyrje të shkurtër nisën nga kritikat. Ata që drejtonin mbledhjen thanë se ndërtimet tona dhe arkitektura kishin qenë të ndikuara nga arti i ndërtimit borgjezo-revizionist. U përmendën disa emra. Befas u përmend dhe emri im. Mbeta i befasuar. Nuk e kisha pritur. Po kritikohej gjithçka që kisha projektuar së fundi. U kritikua stadiumi i Gjirokastrës vetëm pse shkallët i kisha veshur me gurë. Sipas tyre, ishin harxhuar fonde të panevojshme, kur shumë mirë shkallët e tij mund të ishin bërë me beton. U kritikua shkolla e Çorovodës si një ndërtim luksoz, u kritikua projekti i Metalurgjikut. Projekt ndërtimin që parashikonte ndërtimin e një korpusi 8 –katësh ma konsideruan si një ndikim të pastër të huaj. Spiro Koleka më tha se nuk kisha zbatuar vijën e partisë dhe të Shokut Enver Hoxha. Që të jem i sinqertë, mund të them se nuk po kuptoja asgjë nga ato që thuheshin. Nuk po e kuptoja ku ishin ndikimet. Kisha menduar që ndërtimet t’i përgjigjeshin kohës, por kurrsesi të mënjanonim çdo arritje të arkitekturës botërore”.

Autokritika

Drejtuesit e mbledhjes më kërkuan të ngrihesha në këmbë dhe të bëjë autokritikë. Edhe këtë mund ta bëja, por nuk mundesha. Në të gjithë projektet e mia nuk bëhej fjalë për ndikime, por për zbatim të arritjeve më të mira të arkitekturës të vendeve të përparuara, madje edhe ato i kisha projektuar me rezerva. Në vend të autokritikës nisa të përligjja gjithçka që kisha projektuar. Stadiumi i Gjirokastrës nuk mund të vishej me beton, sepse Gjirokastra ishte një qytet i gurtë. Veç kësaj guri ishte aty dhe kushtonte më lirë nga sa mund të kushtonte betoni. Mbi të gjitha ishin harxhuar të njëjtat fonde që ishin parashikuar dhe nuk kishte pasur shtesa në shpenzime. Vendi ku e kisha projektuar sodiste klanet e qytetit dhe gjithë Gjirokastrën. Kisha punuar veçse me përkushtim dhe asgjë tjetër. Në projekt kisha parashikuar (dhe që ishin ndërtuar) tribunën, tunelin e daljes të sportistëve, dhomat e zhveshjes, fushën e volejbollit, të basketbollit, gropat e kërcimit, pistat e vrapimit me 5 korsi, e deri te hedhja e gjyles. Nga ana e kodrës së Baba Manes stadiumi kishte 12 shkallë në gërmin, ndërsa nga ana e qytetit shkallët u realizuan me mbushje. Krijonte një pamje mjaft tërheqëse dhe të këndshme. Ruante në mënyrë racionale terrenin. Kisha siguruar kanalizimet që stadiumi të mos kishte asnjë mundësi përmbytjeje. Godina e stadiumit kishte konstruksion betonarmeje me strehë tip “membrane”. Dua të them se gjithçka ishte e përkryer. Ua thashë të gjitha këto, por ata nuk donin justifikimin, kërkonin vetëm autokritikën”.

Dy standardet

“Sërish nuk isha në gjendje të kuptoja asgjë. Në inaugurimin e stadiumit, në vitin 1972-’73, kishte marrë pjesë Mehmet Shehu së bashku me Nexhmie Hoxhën dhe kishin mbetur të kënaqur, kurse tashmë pas 3 vjetësh, gjithçka po e shikonin me një sy tjetër. Veç kësaj,më 5 prill të vitit 1974, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastrës, Medin Hoxha, i dërgoi një letër Institutit të Projektimit nr. 1 të Urbanistikës dhe Arkitekturës në Tiranë ku shkruante:

“Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Rrethit në emër të qytetarëve të Gjirokastrës përshëndet punonjësit e Institutit tuaj dhe në mënyrë të veçantë projektuesin direkt, shokun Rustem Myteveliu e bashkëpunëtorët e tjerë që morën pjesë në projektimin e stadiumit të qytetit tonë. Zgjidhja urbanistike dhe arkitektonike e tij është harmonizuar shumë mirë me vendin dhe karakterin e qytetit muze dhe ka kënaqur dëshirat e popullit të Gjirokastrës dhe të shumë vizitorëve të tjerë. Ju bëtë gjithashtu një punë të mirë, duke ndihmuar vazhdimisht gjatë procesit të ndërtimit të tij. Ne ju falënderojmë dhe ju urojmë që edhe në të ardhmen t’i dhuroni atdheut vepra sa më të bukura dhe ekonomike”. Kjo kishte qenë letra e tij, por tashmë po shihja se gjithçka kishte ndryshuar. Më e çuditshmja po kritikohesha edhe për shkollën e mesme të Çorovodës, kur vetë Enver Hoxha në librin e tij “Raporte dhe Fjalime” (1974-1975), fq. 242 kishte shkruar: “Unë kam vizituar shkolla në Skrapar, por kam vizituar shkolla edhe në Pragë. Mund të them me gjithë mend, se nuk kishte asnjë ndryshim shkolla e mesme e përgjithshme “Ramiz Aranitasi”, që është ndërtuar në Çorovodë, me shkollat e kësaj kategorie që kam parë unë në Çekosllovaki. Shkolla e mesme e Çorovodës ishte shumë e bukur, me dy-tre kate, e pajisur me laboratorë të pasur e me gjithë të mirat....”. Por edhe pse për punën time kishte folur edhe Enver Hoxha në atë mbledhje po më hidheshin poshtë të gjitha. Pak kohë më para isha propozuar edhe për të marrë çmimin e Republikës, kurse tani gjithçka ishte harruar…”

Qartësimi

Koha për të goditur

pas artistëve dhe arkitektët

“Më kot kisha shpresuar se në atë mbledhje edhe mund të lavdërohesha. Ndërsa kisha mbrojtur gjithë punën time isha ulur në vend. Gjithçka nisi të më qartësohej. Unë kisha studiuar në Moskë. U ktheva në Tiranë pas përfundimit të studimeve, në vitin 1957 u martova me një moskovite që kur isha në shkollë. Me të pata dy fëmijë. Punonim që të dy në Institutin e Projektimit në Tiranë. Në janar të vitit 1961 na thirrën në Degën e Brendshme. Ata na dhanë urdhër që të ndaheshim. Unë do të mbaja djalin dhe ime shoqe do të mbante vajzën që ishte vetëm 2 vjeçe, na ndanë edhe nga fëmijët. Nuk dëshiroj të sjell ndërmend ato kujtime. U ndamë, sepse nuk kishim rrugë tjetër. Në vitin 1973, na erdhi në Korçë për vizitë Pilo Peristeri, sepse njëra prej motrave të mia, Floresha Myteveliu ishte dëshmore e atdheut. Peristeri tha fjalë të mira për Floreshën, por nuk ndenji pa thënë që kishte qenë edhe bijë e beut të Korçës. Kohë më parë na kishin marrë të gjitha dokumentet që tregonin se ishim pasardhës të themeluesit të Korçës Iljaz bej Mirahori. Tashmë po e kuptoja. Ishte koha kur po goditej gjithçka, ashtu si në art dhe letërsi duhej të gjendeshin edhe njerëz që të goditeshin edhe në artin e arkitekturës. Duket se unë dhe disa të tjerë ishim më të përshtatshmit: Kishim studiuar në Bashkimin Sovjetik, ishim të martuar me gra të huaja dhe vinim nga një origjinë që për ta ishte e dyshimtë… Kur mbledhja ishte në përfundim e sipër, drejtuesit e mbledhjes m’u drejtuan përsëri. Shoku Myteveli, m’u drejtuan mua, ju nuk bëtë autokritikë, por vetëm sa u arsyetuat. Kjo nuk është gjë e mirë…. Të nesërmen më larguan përfundimisht nga Tirana. Punova në Kombinatin e Sheqerit në Maliq, por gjithë jetën nuk do të harroja që kisha tre të këqija; studimet, origjinën dhe suksesin, nëse do t’i kisha harruar nuk di ç’ mund të më kishte ndodhur tjetër, por e vërteta është se karriera ime mbeti atje ku sapo kishte filluar…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›