E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, një parti-ushtri e mbetur në kazermë

Kur perëndia krijoi kohën mendoi mirë ta bënte të gjatë. Sepse opozitarët socialistë vonojnë edhe në dasmë, jo më në Kuvend. Rishtarët e parlamentit kanë shumë punë private për të bërë sesa qëndrimi në Odën e demokracisë, aty ku elektorati i ka licencuar të kryejnë punën dhe të bëjnë realitet ëndrrën e tyre europiane. Mirëpo edhe pse nuk ka nevojë për ftesë, gjallojnë të sillen si të paftuar, si të hidhëruar për kutizën e pahapur të Rruzhdies. Ftesën për të qenë në parlament e kanë marrë me 28 qershor 2009, dhe atyre i takon një vend dhe një mision i nderuar në banketin e demokracisë, kuvendin e Shqipërisë: opozitën. Por komandanti Edi Rama siç e quan Artan Lame për të shfrytëzuar një efekt mediatik pret derisa ahengu të fillojë për të kënduar edhe ata këngën e “transparencës së kutive në kuadër të liberalizimit të vizave”.
I vetmi moment arsyetimi nga opozita ishte vlerësimi apriori se procesi i liberalizimit të vizave është shumë i rëndësishëm për vendin dhe duke mos dashur që të bëhen pengesë e këtij procesi, deputetët e PS-së kanë “vendosur” që të jenë të pranishëm në seancë vetëm për këtë pikë të rendit të ditës, duke vijuar bojkotin për pjesën tjetër të agjendës parlamentare.
Kuptohet vetiu se Partia Socialiste demonstroi se ishte një parti e mbetur në kazermë, demonstroi se deputetët e saj nuk janë civilë të qytetëruar, por ushtarë-rrula që sapo e kanë filluar karantinën. Atyre u mësohet doktrina e luftës sa primitive aq dhe ideologjike,
dhe jo për qëllimin patriotik të liberalizmit të vizave, por për të pasur një foltore ku mund të baltoset kryeministri Berisha.
Deputetja Arta Dade përcolli si refleksionet moderne pro-pozitive të shefit të saj pas ekskursionit politik në Strasburg, po ashtu me të prekur në Rinas veset e një politike ciflosëse anti-qeveri. Tragji-komedia nuk ka përfunduar akoma, pasi provokimet nuk kanë të reshtur për një pjesë të politikës antagoniste. Mirëpo atë që nuk ka kuptuar opozita është se këtu, në këtë moment krucial për vendin nuk po luhet cic-mic me interesin e përbashkët të shqiptarëve mbi heqjen e vizave me Bashkimin Evropian. Assesi. Do të ishte dritëshkurtësi.
Sot çuditërisht socialistët janë për konsensus, kurse dje ishin për bojkot. Nuk ka ndryshuar asgjë në opozitë përveçse rikthimit të arsyes në një moment shumë veçantë për vendin. Sajdisja me raportin e DASH duke cilësuar vetëm anekset negative të një shtëpie moderne që ka bërë shumë hapa përpara. Zonja deputete Dade, e ardhur me keqardhje
private, por edhe publike, pasi Olta Xhaçka i ka marrë vendin në KiE, sillej të kërkonte
një podium për të lëshuar helmin e ndasisë politike në kuvend. Në relacionin zyrtar të Partisë Socialiste u fol për gjithçka, përpos rezolutës “pro” liberalizimeve të vizave. Assesi pretencat me akt-akuzë nuk kanë munguar as në këtë ligjëratë nën hyqmin e liderit të opozitës Rama. Padurimi i togës recidive me anti-berishizmin e zellshëm nuk u ndal as në ditën ku ishte e nevojshme shtrimi i një diapazoni të përbashkët, ku diafragma të cilësonte nevojën për një konsensus. Një dashuri e madhe evropiane nuk lind nga detyrimi, por nga dëshira që ia arritën të miratonin një rezolutë të tillë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›