E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futboll, Partizani kërkon fitoren në tavolinë ndaj Kamzës

TIRANë- Pas barazimit 1-1 në fushën e Kamzës, fundjavën e shkuar, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë së Parë, skuadra e Partizanit u është drejtuar sot organeve juridike në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke pretenduar anulimin e ndeshjes, ose marrjen e tri pikëve në tavolinë.

Nëpërmjet një deklarate zyrtare për shtyp, klubi i Partizanit ka bërë të ditur se ka paraqitur sot në Komisionin e Disiplinës të gjitha materialet dhe provat filmike për ta mbështetur këtë kërkesë.
Ndeshja në Kamëz u zhvillua mes tensionit, ndërsa fillimi i saj u shty me afro 15 minuta, pasi drejtuesit e Partizanit nuk u lejuan që t’i afroheshin stadiumit, për të ndjekur skuadrën në aksion.
“Strukturat drejtuese të klubit zhvilluan një mbledhje të jashtëzakonshme, ku shqyrtuan ngjarjet e fundjavës. Në përfundim u vendos që F.K. Partizani do t'i drejtohet Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, që të shpallë të pavlefshëm rezultatin e ndeshjes me Kamzën”, shkruhej në deklaratën e Partizanit .
“Klubi ynë do të kërkojë dhënien e 3-pikëshit në favorin tonë në tavolinë, ose anulimin e ndeshjes dhe zhvillimin e saj në një fushë asnjanëse. Në kërkesën që do të paraqesim, do të parashtrojmë provat që disponojmë, përfshirë ato filmike”, theksoi zëdhënësja për shtyp e të kuqve, Dasara Karaiskaj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›