E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa e Shqipërisë, shpresa e sezonit për 4 ekipe

TIRANë-Teuta-Vllaznia dhe Besa-Shkumbini janë dy çiftet gjysmëfinale të edicionit të 58-të të Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillohen nesër përkatësisht në stadiumet e Durrësit dhe Kavajës.
Nga katër skuadrat gjysmëfinaliste vetëm Shkumbini nuk e ka fituar asnjëherë Kupën. Vllaznia e ka fituar 6 herë (e fundit në vitin 2008), Teuta 3 herë (2005) dhe Besa një herë (2007). Gjithsesi, Shkumbini ka marrë pjesë katër herë në gjysmëfinale e tenton këtë vit fitimin e trofeut, pasi eliminoi skuadrën më të mirë të Superligës, Dinamon.
Teuta për herë të fundit në finale ka qenë në edicionin 2006-2007 kur humbi me Besën 3-2. Për Vllazninë është e gjashta herë rresht që merr pjesë në gjysmëfinale.
Me Besën, Shkumbini është eliminuar një herë në gjysmëfinale, më 2007 (3-3,1-1), ndërsa dy herë është kualifikuar. Fillimisht më 2001-2002 (1-0, 3-0) dhe sezonin e kaluar (1-1, 1-0).
Për të katër skuadrat ky trofe shihet si ‘shpëtimi’ i sezonit duke parë daljen nga objektivat e tjerë në kampionat. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen në datën 7 prill. Finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet, më datë 9 maj. Asnjë nga ekipet gjysmëfinaliste nuk i përket kryeqytetit kështu që finalja pritet të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›