Futboll dhe diplomaci: Si e ndjekin Kampionatin Europian, europianët e Tiranës

Ambasadori italian, Massimo Gaiani
Emanuela Sako
Kampionati europian i futbollit i ka ngërthyer të gjithë para ekranit, por meqë bëhet fjalë për një kampionat europian, vallë si e ndjekin diplomatët europianë në Tiranë?
Me sa konstatojmë, të zhveshur nga petku diplomatik, ata i shohin ndeshjet ku të munden, në ambiente publike apo edhe në shtëpi me familjen.
Ambasadori italian: Ftova Haxhinaston
Ambasadori Italin, Massimo Gaiani, shprehet për Jetë se Italia do të jetë skuadra fituese e këtij europiani, sipas tij. Diplomati fqinj ka organizuar një festë me miqtë në residence për ndeshjen e parë të Italisë, madje e ka ndarë këtë kohë me ministrin e jashtëm, Edmond Haxhinasto, të cilin e konsideron si mik të tijin.
Mundësisht kur nuk kam ndonjë shërbim i shikoj në shtëpi dhe ndonjëherë i kam parë edhe në zyrë. Me rastin e ndeshjes së parë të Italisë, Itali-Spanjë, kam bërë një organizim në rezidencën time, me një grup miqsh shqiptarë dhe spanjollë për të parë ndeshjen. Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, na nderoi me pjesmarrjen e tij në një pjesë të ndeshjes, – tha dje z.Gaiani për Shekullin.
Ai thotë se është një ndjekës i rregullt edhe i ndeshjeve të kombëtares shqiptare. Disa herë ka qenë mirë disa herë ka qenë e pafatë. Meritonte më shumë. Sigurisht që kam qenë gjithmonë në kontakt me trajnerin e kombëtares shqiptare De Biasi, i cili është edhe miku im thotë kryediplomati italian në Tiranë.
UK dhe Humori anglez për tifozërinë
Tifozët anglezë të futbollit konsiderohen si tifozët më të flaktë të Europës. Edhe diplomatët britanikë në Shqipëri nuk bëjnë përjashtim. Megjithëse jo nga stadiumi, ata rrinë të ngulur para televizorit në familjet e tyre.
Nga kontakti që Shekulli pati me ambasadën, përfaqësuesit shprehen se shumica e stafit e ndjek nga shtëpitë e tyre kampionatin europian. I ndjekim në shtëpi ndeshjet e futbollit. Tifozëri e kuptoni vetë se për kë bëjmë, – përgjigjet me humor anglze stafi i Ambasadës.
Diplomatët spanjollë: Fitojmë prapë ne!
Kombëtarja Spanjolle mban titullin kampione e Europës. Ambasadori spanjoll në Tiranë, z. Manuel Montobbio është ndjekës i rregullt i kampionatit europian. Këtë gjë e konfirmon vetë Ambasada Spanjolle në Tiranë, të cilët u shprehën dje gjatë këtij vëzhgimi të Shekullit se ambasadori i ka ndjekur disa nga ndeshjet në lokal me stafin e tij, dhe disa të tjera në shtëpi me familjen.
Duket se të gjithë në ambasadë janë të përfshirë nga entuziazmi i kampionatit, pasi punonjësit diskutojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin: Edhe këtë vit jemi pretendentë dhe shpresojmë që ta mbajmë titullin edhe për këtë europian.
Lokalet: Janë shtuar shumë vajzat tifoze
Kryeqyteti ka nisur të marë një pamje të pazakontë në kohën e transmetimit të ndeshjeve të Europianit. Lokalet mbushen plot, ndërsa rrugët boshatisen. Nga vëzhgimi në lokale vihet re me lehtësi, se kësaj here ka kapur vala shumë më tepër femra se më parë. Të pyetur se çfarë vërejnë të veçantë këtë vit në fluksin e tifozëve që mbushin lokalet, menaxherët janë në një mendje: që ka shumë më tepër vajza se herët e tjera që shohin ndeshjet.