Futbolli i femrave per moshen deri 20 vjec SHBA - kampione bote

U këndua himni amerikan dhe jo ai gjerman në Tokio. Kryeqyteti japonez ishte dëshmitar i një finaleje të vështirë të Botërorit të futbollit të 20-vjeçareve për femra, finale që SHBA e fitoi me rezultatin 1-0 duke shkaktuar një të papritur të madhe.
Skuadra amerikane arriti suksesin me golin e shënuar në minutën e parafundit të pjesës së parë me autore Kilia Ohein, ndërsa Gjermania ishte favorite absolute për të dalë fitimtare.
Skuadra gjermane ishte kampione e botës në fuqi dhe për më tepër e kishte mundur ekipin amerikan 3-0 në fazën e grupeve në këtë turne. Për më tepër, Gjermania kishte arritur në finale pa pësuar asnjë gol.
Pavarësisht presionit të madh të europianeve në pjesën e dytë, Shtetet e Bashkuara arritën të mbahen në këmbë, falë edhe traut të portës së tyre, që ndaloi një gjuajtje të fuqishme të Leoni Maierit.
Portieria amerikane, Brajani Heberlin bëri disa pritje shpëtuese duke pasur një kontribut të madh në këtë sukses. Ky ishte titulli i tretë në këtë moshë për Amerikën, që i ka fituar të tria finalet e luajtura, ndërsa në një rast ka dalë në vend të tretë.
Gjithsej janë zhvilluar 6 Botërorë për 20-vjeçaret nga të cilët amerikanet kanë fituar 3, Gjermania 2, ndërsa një titull e ka fituar Koreja e Veriut.