Tenis - US Open te henen finalja

Ishte shiu protagonisti kryesor në gjysmëfinalen e dytë të turneut të Çmimit të Madh në tenis, “US Open”. Në kompleksin “Flashing Midous” të Nju Jorkut, Novak Gjokoviç dhe David Ferrer nuk arritën ta përfundonin në kohë përballjen mes tyre, pasi reshjet u bënë të plotfuqishme.
Spanjolli Ferrer po kryesonte 5-2 në setin e parë kur u mor vendimi që ndeshja të mos vazhdohej më. Kjo gjë solli automatikisht shtyrjen e finales nga e diela për të hënën dhe numri 1 i botës, serbi Gjokoviç, mund të quhet më i lumturi nga të dy tenistët pasi nuk po luante në nivelin e tij të zakonshëm.
Në gjysmëfinalen e parë triumfoi britaniku Andi Marrej. Numri 4 i botës fitoi ndaj çekut të fortë, Tomash Berdih pas 4 setesh, madje duke humbur të parin. Berdih, numri 6 i turneut, eleminoi Rozher Federerin në çerekfinale, por nuk ia doli të kishte vazhdimësinë e duhur.
Skocezi humbi setin e parë 5-7, pastaj fitoi shumë lehtë dy setet në vazhdim: 6-2 e 6-1, ndërsa seti i katër ishte tepër i fortë dhe u vendos pas lojës vendimtare taj-brejk. Marrej fitoi taj-brejkun 9-7 dhe krejt ndeshjen 3-1.
Britaniku do të synojë të fitojë titullin e parë Grand Slem në karrierë, diçka që nuk ka arritur ta bëjë kurrë ndonëse ka luajtur 4 finale deri tani. Tri prej tyre i ka humbur ndaj Rozher Federerit dhe një ndaj Novak Gjokoviçit. Gjithsesi, Marrej e ka një titull të madh, pasi u shpall kampion olimpik këtë verë në “Londër 2012”.