Hamilton fiton mimin e Madh te Italise

Nuk fitoi Fernando Alonso, por njëri nga rivalët e tij për titullin botëror. Veçse, jo ai i duhur, ai që kishte gjasat më të mëdha për t’ia marrë kryesimin e kampionatit botëror. Në Monza, në Çmimin e Madh të Italisë, fitoi Ljuis Hamilton në timonin e një makinë të shkëlqyer Meklaren Mercedes, ndërsa pista në Apenine provoi emocione të jashtëzakonshme nga parakalimet dhe befasitë.
Sebastian Fetel doli jashtë, po ashtu si Xhenson Baton, ndërsa Fernando Alonso e rriti epërsinë në krye të renditjes.
Hamilton e ruajti vendin e parë në start, por nuk bëri kështu Xhenson Baton, i parakaluar nga Felipe Masa. Nisje të shkëlqyer pati edhe Fernando Alonso që fitoi 3 vende në dy xhirot e para, por pozitiv ishte edhe starti i Fetelit.
Në vazhdim, Hamilton nuk pati asnjë problem, ndonëse Perez i Zauberit ishte një rival i rrezikshëm dhe i papritur, ndërsa Alonso vazhdoi kryeveprën e tij në garën e shtëpisë së Ferrarit.
Spanjolli provoi të parakalonte Fetelin, duke rrezikuar herën e parë dhe duke kaluar më pas, në xhiron e 29-të. Më pas ndodhën dy goditje. Fillimisht, Baton pësoi defekt në makinë dhe doli nga gara duke qenë i dyti, ndërsa 1 xhiro më pas, në të 34-ën, Fetel u detyrua të shlyente një dënim të dhënë nga komisarët e garës për veprimin ndaj Alonsos dhe kampioni i botës humbi rreth 20 sekonda si dhe shumë pozicione.
Më pas, Ferrari urdhëroi Masën në mënyrë indirekte t’i hapte rrugë Alonsos gjë që ndodhi në xhiron e 42-të, por në garë ishte edhe Perez që nuk pati asnjë problem të parakalonte të dyja makinat “kokëkuqe”, mision që përfundoi në xhiron e 46-të.
Tronditja nuk kishte të përfunduar pasi në xhiron e 47-të Sebastian Fetel u detyrua të dilte nga gara për shkak se makina e tij pësoi gjithashtu defekt.
Hamilton fitoi pas 53 xhirosh në Monza, Perez doli i dyti dhe Alonso i treti. Piloti i Ferrarit kryeson tani botërorin me 189 pikë, ndaj 142 të Hamiltonit dhe 141 të Raikonenit dhe 140 të Fetelit. Për skuadra, Red Bull ka 272 pikë, Meklaren Mercedes 218, Lotus 207 dhe Ferrari 199.