E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Futbolli im është ai anglez"

E ardhmja e Zhoze Murinjos mund të jetë larg Milanos dhe ngjyrës zikaltër. I intervistuar nga "The Times", trajneri portugez ka zbuluar dëshirën për t‘u rikthyer në një pozicion stabël në Premier League, në mënyrë që të mund të vazhdojë projektet e tij deri në fund të karrierës: "Po mendoj për zhvillimin e sektorit të të rinjve, por Italia nuk është vendi i duhur për ta bërë këtë". Murinjo e thotë këtë në mënyrë të qartë dhe prerazi: "E dashuroj Interin, por futbolli im është futbolli anglez". Pa fjalë me nënkuptime, siç flet zakonisht ai, trajneri zikaltër rrëfen te "The Times" projektet për të ardhmen: "E dua Interin dhe do të doja të ndërtoja një të ardhme këtu. Në fakt po e bëj një gjë të tillë tani, sepse nuk jam një trajner egoist dhe po mendoj për një të ardhme në terma afatgjatë në lidhje me zhvillimin e sektorit të të rinjve dhe moshës mesatare të grupit të futbollistëve. Por Italia nuk është vendi i duhur për këto lloj gjërash. Vendi ideal është Anglia. Futbolli im është pikërisht ai i Premier League". Mbetet për t‘u kuptuar se cili do të jetë destinancioni i ardhshëm i portugezit pasi të ketë ezauruar përvojën zikaltër. Te Mançester Junajtid, për të zëvendësuar Aleks Fergusonin, i cili është pranë vendimit për t‘u tërhequr nga profesioni, apo do të tentojë te kushërinjtë e Mançester Sitit, në vend të Hjuxhs. Më pak e mundur është hipoteza e Liverpul, pas përplasjes me tifozët "Reds" në të kaluarën. Sugjestionuese është edhe hipoteza e Totenhemit, ku do t‘i dilte përpara detyra për të rindërtuar një klub që nga themelet. Por në Angli janë të sigurt, "Special One", një ditë do të rikthehet. "Do të ishte joreale të qëndrosh për kaq shumë kohë në një klub, siç ka ndodhur me Fergusonin", janë fjalët e Murinjos te "The Times". "Por jam gati për një fazë të re të karrierës. Dhe dëshiroj të shikoj në perspektivë. Te Porto, objektivi ishte të fitoja për të siguruar mundësinë për të drejtuar klube në Perëndim. Te Çelsi dëshiroja të ndërtoja një pjesë të historisë, edhe pse e dija së në ‘Stamford Bridge‘ nuk kishin kulturën tradicionale të stabilitetit tipik të Anglisë". Ai durim, shpjegon Murinjo, që të jep mundësinë për të realizuar një projekt edhe pa fitore, siç ka ndodhur me Fergusonin, të cilit i është dashur të presë më shumë se gjashtë sezone, përpara se të fitonte trofeun e parë. Ose siç është rasti i Vengerit, prej katër vitesh pa arritur asnjë sukses. "Te Çelsi, roli im ishte t‘i jepja Abramoviçit atë që dëshironte, fitoret. Në një kohë sa më të shpejtë të mundshme. Isha i vetëdijshëm se herët a vonë momenti do të vinte. Kam dashur të shkoj në Itali, sepse është atdheu i taktikës, i katenaçios dhe futbollit difensiv. Doja të fitoja titullin në Serinë A në një kampionat mbrojtës dhe t‘i përgënjeshtroja të gjithë ata që nënvizonin se trajnerët e huaj do të kishin shumë pak sukses në kampionatin italian. Por koha për të gjetur stabilitet do të vijë shpejt, për këtë jam i sigurt", e ka mbyllur rrëfimin trajneri i Interit me fjalët që tingëllojnë si një lloj lamtumire nga Italia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›