E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë Shala e Çollaku: Akuzat e Dionisit, trillime

Atletika është në udhëkryq. Ky është problemi kryesor i sportistëve të kësaj disipline, të cilët tashmë presin një zgjidhje të shpejtë nga mbërritja e një delegacioni nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës sot në vendin tonë dhe që nesër do të ketë takime me aktorët kryesorë, të cilët e kanë çuar atletikën në kaos: presidenti Gjergj Ruli, i njohur nga IAAF-ja, ende nuk ka marrë funksionet; ndërsa MTKRS vazhdon të mbështesë drejtuesit jolegjitimë të "Mbretëreshës". Në këtë federatë problemet nuk kanë të sosur, por çështja aktuale ka të bëjë me një polemikë të fundit të shpërthyer një ditë më parë. Akoma pa zënë vend akuzat e sekretarit Nikolin Dionisi në lidhjen me përvetësimin e padrejtë të një shume prej 2 milionë lekësh të reja nga dy nga sportistët kryesorë të përfaqësueses sonë, atletes Klodiana Shala dhe hedhësit të çekiçit, Dorian Çollaku, ka ardhur edhe reagimi i këtyre të fundit, të cilët shfaqën indinjatën e tyre për këto akuza të pabazuara në fakte. "Është e vërtetë që fondi grant ishte 2 milionë lekë, por sekretari Dionisi nuk thotë të vërtetën, pasi paratë iu shpërndanë të gjithë sportistëve dhe trajnerëve. Nuk është e vërtetë që e kemi përfituar vetëm ne. Shuma që ka marrë secili prej nesh është vetëm një shumë prej 360 mijë lekësh, ose e thënë ndryshe 30 mijë lekë në muaj rrogë", theksojnë Shala dhe Çollaku. Hedhësi i çekiçit e nënvizon si të pavërtetë edhe faktin se ai nuk ka marrë pjesë në asnjë garë. "Në 2009-ën unë kam marrë pjesë në mitingun e Finlandës, ku kam garuar për Shqipërinë dhe kam arritur një rezultat të mirë me 70.46 metra, shpjegon hedhësi i çekiçit. Ndërsa Klodi, në Ballkaniadën 2009 zuri vendin e dytë, mori medalje argjendi dhe fiksoi një rekord kombëtar në 60 metra (rekord që kishte 20 vjet pa u thyer)". Po ashtu, të dy atletët kanë bërë të ditur se akuzat e sekretarit janë thjesht trillime, pasi sipas tyre Dionisi nuk është shkarkuar dhe rrjedhimisht ata nuk kanë marrë pjesë në një mbledhje ku u vendos shkarkim i tij, por në një mbledhje mes sportistëve më të mirë, trajnerëve të tyre dhe kryesisë së federatës, ku është diskutuar në lidhje me përcaktimin e një projekti për të ardhmen e atletikës. Për shkak të pezullimit, asnjë nga sportistët kryesorë nuk ka marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare të këtij viti, si Kupa e Europës, Lojërat e Mesdheut, Kampionati Ballkanik, Kampionati Botëror i të Rinjve dhe të Rriturve. Por shpresat e tyre janë te përfaqësuesit e IAAF-së, të cilët do ta vizitojnë sot Shqipërinë, për të studiuar nga afër situatën dhe për t‘i dhënë një zgjidhje përfundimtare asaj.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›