E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli italian si piceri

Dikur futbolli italian ishte superfuqi në garat evropiane, por sot situata ka ndryshuar. Serie A aktualisht gjendet e katërta në koeficientin e UEFA-s, por nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani frikësohet se situata do të përkeqësohet edhe më tepër në vitet e ardhshme. Ai parashikon se edhe Franca do ta tejkalojë Italinë pas ndërtimit të stadiumeve të reja për Euro 2016. Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 12:35

Klubet nga Serie A dikur ishin fuqi e respektuar në garat evropiane gjatë viteve të 1990-ta dhe 2000-ta, por tani situata ka ndryshuar.

Nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani frikësohet se Serie A mund të mbetet liga e pestë më e suksesshme në Evropë.

Si rezultat i paraqitjeve të fundit në garat evropiane të klubeve, liga italiane ka rënë prapa Anglisë, Spanjës dhe Gjermanisë në koeficientin e UEFA-s dhe nga ky sezon vetëm tri skuadra nga Serie A do të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve.

Galliani tani ka thënë se pret që edhe Ligue 1 e Francës ta tejkalojë Serinë A në vitet e ardhshme dhe insistoi se klubet “nuk mund të bëjnë asgjë” për të parandaluar këtë për shkak të ligjeve për ndërtimin e stadiumeve të reja.

“Falë stadiumeve të reja që do të ndërtohen për Euro 2016, parashikoj se edhe francezët do të na tejkalojnë”, tha Galliani për të përditshmen sportive italiane La Gazzetta dello Sport.

“Ne duhet të jemi konkurrentë me faktorë dhe situata të barabarta, por fatkeqësisht kjo nuk qëndron. Spanja ka përparësi që nuk ka marrëveshje kolektive për të drejtat televizive. Gjermania na ka tejkaluar falë stadiumeve të reja të mrekullueshme që ndërtoi për Kampionatin botëror më 2006”, shtoi Galliani para se të bëjë një krahasim interesant.

“Është sikur teatrot dhe restorantet. Ka teatro të bukura dhe të këqija, ka restorante luksoze e më pas edhe piceri. Por, ne nuk mund të bëjmë asgjë. Pa stadiume, ne nuk mund të bëjmë asgjë dhe pa një ligj të ri, ne nuk mund të ndërtojmë stadiume të reja. Edhe politikanët e kanë kuptuar këtë, por ligji i ri ka mbetur i bllokuar nga dy fraksionet në parlament”, vazhdoi ai.

Pas eliminimit në edicionin e kaluar të Ligës së Kampionëve nga debutuesit Tottenham në rrethin e dytë të garës, Galliani është i vetëdijshëm se Milan nuk do të konsiderohet në mesin e favoritëve këtë sezon, por shpreson që skuadra e tij të shkaktojë befasi.

“Ne jemi bërë autsajder, por gjithmonë ka befasi në Ligën e Kampionëve. Shikojeni Schalken sezonin e kaluara, ata shkuan deri në gjysmëfinale. Shpresoj që Milan të jetë befasia e ardhshme”, përfundoi Galliani.

Juventus do të jetë klubi i parë italian që ka në pronësi stadiumin e tij, kur arena e re e tij të hapet për fillimin e sezonit 2011/12.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›