E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli për femra, gjithnjë e më popullor

Autori i Lajmit: red.
“Tirana AS” ka fituar për të dytin vit radhazi, Kupën e Promocionit në Futboll për femra, që është zhvilluar në qytetin e Sarandës. 6 ekipe kanë diskutuar këtë herë trofeun, që pat startuar verën e kaluar, duke u bërë i pari i historisë së futbollit të femrave në Shqipëri. Mijëra njerëz kanë ndjekur me emocion takimet e pazakonta të futbollit të femrave, megjithëse është luajtur në formatin e vogël, 5 me 5. Tre pjesëmarrëseve të vitit të shkuar, “Tirana AS”, “Juban-Shkodra” dhe “Rubiku”, u janë shtuar këtë vit tre debutantët: Tropoja, Memaliaj dhe “Butrinti” vendas. Në një garë me sistem eliminimi, kupa ka nxjerrë në finale fitueset e vjetshme nga kryeqyteti si dhe “surprizën” Memaliaj, që vinte në fakt me dy përforcime nga kampionati maqedonas. Bëhej fjalë për dy lojtaret shqiptare Veliu dhe Malka, që e kanë ndihmuar ekipin jugor, të kalojë pas penalltive “Juban-Shkodrën” dhe Rubikun. Por në finale, përballë ekipit fitues në fuqi, memaliotet nuk arritën të tregonin shumë gjëra dhe jo për faj të tyre. Një lojë profesionistesh nga vajzat e kryeqytetit, ka nxjerrë jashtë skeme Memaliajn, duke bllokuar boshtin e tij, dy futbollistet shqiptare të përtej kufijve. “Tirana AS” e ka zgjidhur situatën mjeshtërisht, duke shënuar 3 herë brenda pjesës së parë, me dygolëshin e shënueses më të mirë të edicionit të parë, Ana Baro dhe atë të Elsa Kryemadhit. Një penallti e shndërruar në gol nga Advie Veliu, u ka dhënë shpresa për pjesën e dytë memalioteve. Por ka menduar ndryshe Ana Baro, që ka shënuar golin e katërt për kryeqytetaset, që në frymëmarrjet e para të pjesës së dytë. “Tirana AS” është treguar superiore edhe kur ka mbetur me një lojtare më pak, madje duke shënuar edhe golin e pestë me kapitenen Aurora Seranaj, e mbiquajtur “Ronaldinja”. Një gol i Malkës, ka qenë ngushëllimi i memalioteve, të cilat, megjithatë, kanë regjistruar një debutim të suksesshëm, duke merituar vendin e dytë dhe një kupë përkatëse. Posta Shqiptare ka dhënë nga ana e saj një kupë simbolike për ekipin e vendit organizator me mesazhin e afrimit të njerëzve, siç bën edhe puna fisnike e këtij institucioni. “Tirana AS” është shpallur kësisoj fituese në aktivitetin e sponsorizuar nga AMC si sponsor general si dhe Posta Shqiptare e Pro Credit Bank dhe mbështetur nga Bashkia e Sarandës. Në formacionin e saj, vihet re kompaktësia e veprimeve ku klasit të Seranajt dhe Baros, që është sërish shënuesja më e mirë ( së bashku me kosovaren Veliu) me 8 gola, i janë bashkangjitur siguria në portë e Rexhmatit, saktësia e mbrojtëseve Driçi e Koçi, energjia dhe loja taktike e Kryemadhit, Muçës e Dashit si dhe ndihmesa e Gegës. “Kupa Promocion 2” është një moment i mirë që tregon se zhvillimi i futbollit të femrave në Shqipëri, po njeh momente të mira, pavarësisht se promotori i saj mbetet gazetari i njohur Genc Ymeraj, që regjistroi kësisoj kupën e 4-t të organizuar në një periudhë njëvjeçare.
Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›