E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia do të mbulohet edhe me sigurimin privat

Autori i Lajmit: red.
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor synon rregullimin më të plotë ligjor të çështjes së sigurimeve private shëndetësore në vend. Projekligji i ri, i cili është paraqitur tashmë dhe pritet të miratohet nga Qeveria, parashikon që ky sigurim suplementar shëndetësor mund të ofrohet nga persona juridikë të regjistruar në Gjykatë dhe në shoqëri të ndërsjellta shëndetësore. Burime nga ISKSH sqarojnë se ky sigurim lidhet tërësisht me tregun privat. Sipas të njëjtave burime, sigurimi suplementar nuk është i njëjtë me sigurimin e detyruar. Kjo do të thotë që shërbimin bazë do ta financojë vetëm sigurimi i detyrueshëm, kurse sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar, i cili do të marrë përsipër të financojë, ose të blejë ato shërbime, të cilat nuk mbulohen nga fondi bazë e që janë të përcaktuara në ligj. Ndër to, mund të përmenden shërbimi stomatologjik, protezat, shërbimet e syzeve optike, ndërhyrjet e kirurgjisë plastike-estetiste, etj.
Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›