Futbolli shqiptar, drejtësi me gjyqtarë italianë

Dash Frashëri
-Gjyqtari italian 42-vjecar Nicola Airoldi, një nga arbitrat më autoritarë të Serisë A, do të jetë sot në Shqipëri së bashku me ndihmësit e tij Xhankarlo Rubino dhe Roziario Angrizani, jo si gjyqtarë të përcaktuar nga FIFA apo UEFA në një ndeshje ndëkombëtare të cfarë do niveli qoftë, por për të gjykuar të mërkurën në stadiumin "Loro Borici" (ora 19:00) një ndeshje tërësisht shqiptare: Vllaznia-Teuta.
Airoldi është emri te i cili duhet të besojmë se me bilbilin në gojë dhe kartonat (kuq e verdhë) në xhep, mund të vendosë drejtësinë në futbollin e përfolur shqiptar, që në javët e fundit ka rënë dukshëm pre e rezultateve të paravendosura dhe kalkulimeve të drejtuesve më të lartë të klubeve, si atyre që luftojnë për një vend në zonën europiane, por dhe të tjerëve që luajnë për mbijetesën.
Në kërkim të një gjyqtari të huaj, duket se po bëhet moda e rë në Shqipëri. Dy nga skuadrat më të mira të Shqipërisë për këtë edicion, Teuta e vendit të dytë (60 pikë) dhe Vllaznia e vendit të tretë me një pikë më pak (59) mund të besojnë vetëm të drejtësia që mund të sjellin të huajt. Për të dy ekipet është ndeshja e vitit, edhe pse Teuta ka një mundësi më shumë se Vllaznia për të qenë në Kupën UEFA, pasi një fitore e durrsakëve e kombinuar edhe një lëshim (kompesim) të Teutës në finalen e Kupës së Shqipërisë me Besën, do ta conte skuadrën shkodrane në Kupën Intertoto.
Ishte Teuta ajo që kërkoi që në ndeshjen me Vllazninë (të mërkurën, më 9 maj) të gjykojë një gjyqtar i huaj. Deri ditën e diel u përmendën emrat sllovakut Mishel Lubosh dhe italianit Stefano Farina, i cili kishte drejtuar më parë dhe finalen e Kupës së Shqipërisë 2005, Vllaznia-Tirana (0-1), por që më pas u akuzua nga presidenti Fushaj se ishte blerë nga drejtuesit e Tiranës, akuza që u bënë publike përmes medias, por u përgënjeshtruan si nga bardheblutë, por dhe nga zyrtarët më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në fakt, ndërsa nuk është hera e parë që një ndeshje futbolli e Superligës gjykohet nga një treshe gjyqtarësh të huaj, pasi janë katër rastet e mëparshme. Historia fillon me derbin e kryeqytetit të vitit 2002, Tirana-Dinamo (0-0), kur futbollistët e dy ekipeve iu nënshtruan pa më të voglin kundërshtim vendimeve të gjytarit spanjoll Fernandez Marin në Kampionatin e 63-të Kombëtar. Italiani Xhanluka Paparesta erdhi një vit më pas (2003) për të gjykuar ndeshjen Lushnja-Apolonia 4-1, e vlefshme për plejof-in e Kampionatit të 64-t Kombëtar, që solli edhe rrëzimin e skuadrës fierake në Kategorinë e Parë. Dy finale të Kupës së Shqipërisë, ato të vitit 2003 dhe 2006 u gjykuan nga dy treshe italianësh të drejtuar nga Alfredo Trentalanxhe (Dinamo-Tirana 1-0) dhe Stefano Farina (Vllaznia-Tirana 0-1).
Kush eshte Nikola Airoldi
Gjyqtari Nikola Airoldi, 42 vjec, ka gjykuar për herë të parë në Serinë A, më 9 janar të vitit 2000, në takimin Peruxhia-Udineze (0-5). Arbitri i kolegjiumit të Molfetës është një nga gjyqtarët më autoritarë në Itali. Gjatë këtij sezoni është një nga dy gjyqtarët që ka gjykuar më shumë në Serinë A (18 herë) po aq sa Ricoli. Edhe vëllai i tij, Stefano Airoldi është gjyqtar, por kryen rolin e asistentit.
Ia vlen për 3000 euro?
Ky është cmimi që duhet të paguajnë së bashku dy klubet Teuta dhe Vllaznia për treshen e gjyqtarëve italianë, të kryesuar nga Nikola Airoldi, një shumë të paktën 20 herë më shtrenjtë se sa do të paguheshin gjyqtarët shqiptarë. Gjithsesi duket se për xhepat e dy presidentëve Hasanbelliu (Teuta) dhe Fushaj (Vllaznia) janë të pallogartishme, kur flitet për një vend në Kupën UEFA, që sjell 70 mijë euro ardhura në arkat e klubeve.
Shqiptarët, të pabesueshëm?
Edhe pse Shqipëria ka dy gjyqtarë ndërkombëtarë me përvojë (Albano Janku, Sokol Jareci), duket qarte se të paktën Teuta dhe Vllaznia nuk ka besim te ata. Gjyqtarët shqiptarë janë akuzuar jo pak herë se disa nga vendimet e diskutuara të tyre janë bërë për llogari të njërës apo tjetrës skuadër. Klubet kanë listat e tyre të "zeza" ku janë jo pak emra gjyqtarësh të njohur. "Këpuca" e Bizhdilit ndaj gjyqtarit Bardhyl Pashaj është një nga më të bujshmet.
Albania-sport.com