E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli shqiptar shndërrohet në histori gurësh



Dash Frashëri

Skënderbeu doli fitues në 75 minuta lojë ndaj Gramozit (1-0) në fushën e vështirë të Ersekës, në një ndeshje të ndërprerë për 20 minuta e më pas të pezulluar përfundimisht për shkak të “breshërive” me gurë të tifozerisë kolonjarë ndaj vendimeve të treshes së gjyqtarëve të kryesuar nga Artan Taullahu. Derbi juglindor Gramozi-Skënderbeu, një sfidë midis dy skuadrave të vendeve të fundit, regjistroi një tjetër akt dhunë në futbollin shqiptar, të mbërthyer së fundi nga paracaktimi i rezultateve. Për Skënderbeun bëhet fjalë për fitoren e 5-të rresht në Superligë.

NDESHJA
Skënderbeu e gjeti golin pa kaluar ende minuta e parë, Klevisi Roshi gjuajti nga një distancë rreth 40 metra, portieri i Gramozit reagoi, por topi u rikthye te sulmuesi kroat i korçarëve, Milaim Guerrib, i cili i dha avantazhin skuadrës së tij, duke shënuar njëherësh edhe golin e tij të 11-të sezonal.
Semir Haxhibuliç i kishte të gjitha mundësitë për të barazuar rezultatin në minutën e 12-të, por mesfushori boshnjak nuk e shfrytëzoi rastin. Marius Ngjela shënoi një gol për Gramozin, pro asistenti Ergin Doda kishte ngritur më parë për pozicion jashtë loje. Haxhibuliç goditi shtyllën pingule të portës së Llapanjit në minutën e 60-të.

INCIDENTET
Në minutën e 75-të, gjyqtari kryesor i takimit, Artan Taullaraj, ndërpreu ndeshjen pas “lumit të gurëve” të hedhur në fushë nga tifozët kolonjarë, ku disa prej tyre goditën edhe anësorin Ergin Doda, teksa Skënderbeu udhëhiqte me rezultatin 1-0. Shkak për irritimin e tifozerisë kolonjare u bë anulimi i golit të Ngjelës, por dhe disa pozicione jashtëloje. Dy tifozeritë përveç fjalorit të sharjeve bënë edhe garën e hedhjes së gurëve. Treshja e arbitrave më pas ka hyrë në dhomat e zhveshjes së bashku me delegatin e Federatës Besnik Çela dhe pas 25 minutash konsultime, është marrë vendimi që takimi të mos rifillojë. Pas pezullimit të ndeshjes e largimit nga stadiumi, policia ka shoqëruar disa tifozë. Tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës, por është e qartë se pas kësaj, Gramozi do ta humbasë ndeshjen në tavolinë me rezultatin 2-0 si edhe do të penalizohet me gjobë dhe me dënim të fushës. Sa për kuriozitet, në ndeshjen e fazës së dytë, takimi Gramozi-Skënderbeu (2-0) u luajt pa praninë e tifozëve. Skënderbeu me fitoren ndaj Gramozit u ngjit në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Kastrioti e Vllaznia (një ndeshje më pak), duke lënë në dy vendet e fundit, Flamurtarin (27 pikë, një ndeshje më pak) dhe Gramozin (22 pikë). Skuadra kolonjare me diferencën e krijuar, duket se vetëm matematika i mban në Superligë.

FSHF
Pas incidenteve që shoqëruan ndeshjen Gramozi-Skënderbeu (java 25 e Superligës), Federata Shqiptare e Futbollit i bëri thirrje të gjithë qytetarëve, tifozëve, lojtareve dhe drejtuesve te klubeve të futbollit që të distancohen nga veprime të tilla jo normale që nuk kanë asgjë të përbashkët me lojën e bukur të futbollit. “Duke prishur imazhin e tij, këto akte të dhunshme cenojnë edhe bukurinë e garës, e cila është shumë e rëndësishme jo vetëm për aktorët pjesëmarrës, por edhe për të gjithë në që e duam këtë lojë. FSHF i kërkon sportdashësve të ruajnë qetësinë, ta ndihmojnë dhe jo ta pengojnë zhvillimin normal të ndeshjeve. Sepse vetëm kështu, do t’i bëjmë një shërbim të vyer futbollit, sportit me të dashur në botë”, - theksohet në deklaratë.
Vendimi për ndërprerjen e ndeshjeve u morr për shkak të hedhjes së vazhdueshme të sendeve të forta në fushë, nga ana e tifozerisë vendase. Pasi ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të këtyre veprimeve të dënueshme të cilat për fat të keq kanë vazhduar, arbitri Artan Taullahu vendosi ndërprerjen e saj. Deri në minutën e 75-të takimi ishte fiksuar në shifrat 0-1 për skuadrën e Skënderbeut.

Gurët e Bilishtit, 50 mijë lekë gjobë

Komisioni i Disiplinë gjobiti me 50 mijë lekë gjobë klubin e Bilisht Sport, për hedhje të gurëve e sendeve të forta në fushë nga të cilat është dëmtuar fizikisht arbitri por jo deri në atë masë sa të bënte të pamundur vijimin e arbitrimit. Lojtarët e KF “Burreli” Alban Selmani dhe Ervis Neli për goditje me grushte e shkelma të vëzhguesit në bazë Kodit të Drejtësisë Sportive dënohen secili me nga një vit pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe me nga 100 mijë lekë gjobë.

29 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›