Futbolli, sipas filozofisë sime

Trajneri i Besës, më i përgëzuari në Superligë pas 1-1 ndaj Tiranës, tregon mënyrën e tij të punës, marrëdhëniet me presidentin e lojtarët dhe gjykimin mbi lojën
Ilir Daja reflekton pamjen e një njeriu të zgjuar. Ish-futbollisti i Dinamos, më pas trajner i ekipeve të moshave tek blutë, trajner i ekipeve përfaqësuese të moshave dhe i skuadrës së parë të Dinamos, drejton sot Besën e Kavajës. Pas barazimit 1-1 në Tiranë ndaj kryesuesve me të njëjtin emër, ai ka të drejtë të jetë i lumtur. Besa ka 15 pikë, një më pak se Dinamo e vendit të dytë dhe 4 më pak se Tirana.
Ai nuk është i mërzitur, veçse duket i kujdesshëm. “Skuadra po e merr veten, të paktën sipas atij koncepti që kam unë për futbollin, - thotë ai, - kemi një problem, na mungojnë mbrojtësit tipikë, edhe për shkak dëmtimesh, sidoqoftë po përpiqemi të “kavardisemi” kështu siç jemi”.
Ndonëse jo i natyrës mjaft ekspresive së Mexhit Haxhiut, Farruk Sejdinit, Luan Senglës apo Ardian Memës, do ta përfshija Dajën në “kastën” e trajnerëve të iluminizmit në futbollin e këtij vendi. Mendimet dhe investimi që ai bën për veten duket se shkojnë vetëm në një drejtim, në atë të modernizimit të lojës në Shqipëri, nëpërmjet studimit të thellë dhe aspak empirik, sëmundje e thellë këtej rrotull.
“Ndaj Tiranës u përpoqa që t’ua ndaloja manovrën pa i lënë shumë hapësirë, - tregon ai mënyrën sesi e vendosi Besën në “Qemal Stafa”, - Tirana ka lojtarë shumë të mirë, si në qendër të mbrojtjes, në krahë, në mesfushë, por dhe në sulm. Jam i impresionuar nga cilësia e Tiranës, ndaj e ftova skuadrën që të bënte presion në thellësi. Natyrisht, nuk ia arrin gjithnjë qëllimit, por ishte mënyra më e mirë për të luajtur përballë tyre”.
Daja ka një marrëdhënie të veçantë me presidentin tashmë shumëvjeçar, Nexhat Bizhdili. Stili i tij si trajner i përket atij të komunikimit, si me lojtarët, ashtu edhe me punëdhënësin. “Është e natyrshme që presidentin e respektoj, ai është punëdhënësi, - thekson Iliri, - dhe më takon që ta sqaroj, të diskutoj me të. Si çdo trajner tjetër që ka respekt për vetveten dhe profesionin, vendimet në lidhje me skuadrën duhet t’i marr unë. Bizhdili është nga ata presidentë që di të të dërgjojë dhe i pëlqen argumentet”.
Një nga ish-lojtarët që ka luajtur me të, Arlind Nora, e çmon shumë aftësinë taktike të Dajës. “Kur Besa erdhi në Peqin, - thotë gjirokastriti, - në pjesën e parë ka luajtur futbollin më të mirë që ndonjë kundërshtar na ka bërë në fushën tonë”. Në pushim të ndeshjes dyshohet se kanë ndodhur gjëra “të liga” dhe në pjesën e dytë Besa nuk ishte më ajo e fillimit.
Ai është njëkohësisht, edhe optimist, edhe pesimist lidhur me zhvillimin e futbollit këtu. “Po ta shikoni kasetën e ndeshjes Tirana-Besa do të vëreni një nivel mjaft të mirë loje”, - gjykon. Ndoshta prania në kampionat e një grupi trajnerësh si Lika (tashmë i dorëhequr, zëvendësuar nga Duro), Canaj, Daja, Starova, pse jo Gerti Haxhiu, Daliç, Slishkoviç apo e ndonjë tjetri luan rolin e vet.
Pse pesimizëm? “Shpesh herë shikohet që nuk jemi as tek “a”-ja, - shprehet trajneri i kavajasve, - përveç Tiranës dhe, deri diku, Dinamos ne nuk kemi fusha të mira stërvitore. Unë përdor një shprehje. Nëse një shofer është mësuar të ecë tërë kohën në rrugë me gropa, me 20 km në orë, edhe po të dalë në rrugë të mirë, nuk ecën dot me mbi 50 km në orë. Unë e shikoj vetë vështirësinë me skuadrën time. Nuk arrijmë dot të mbajmë për një kohë të gjatë një ritëm të lartë me lojë me nga një takim të topit. Jo më, në gjithë fushën, por edhe në sektorë të ndarë”.
Jo më kot, Daja më duket nga soji i njerëzve të zgjuar. Kur bën plane ai mendon edhe pasojat dhe gjykon se me çfarë shpejtësie duhet të ecë përpara në to. “Nuk mundet që të bësh një projekt i cili nuk të jep siguri afatgjatë dhe pastaj, për shkak të këtij projekti, të prishesh me shumë njerëz, që kanë lidhjet e tyre sepse kështu nxjerr veten jashtë loje dhe nuk mund të kontribuosh më në zhvillimin e futbollit”. Kjo është motoja e punës së tij.
Një nga njerëzit që ka më shumë “merak” është Mexhit Haxhiu, ndoshta një nga mësuesit e tij në rrugën e trajnimit. “Pasi erdhi nga Anglia, ai më tha se “në Angli në qendër të vëmendjes gjatë stërvitjes është futbollisti, këtu tek ne, është trajneri”. Daja pati dëshirë ta shtjellonte këtë koncept.
“Në Angli, trajneri i ndërfut në stërvitje edhe lojtarët, duke i pyetur, pra duke garantuar vëmendjen e plotë të tyre, ndërsa tek ne zakonisht trajnerit i duket më normale kur flet gjithë kohën vetë, - thotë, - edhe unë e kam bërë zakon që të aktivizoj lojtarët, duke i pyetur, ndryshe kam frikë se, kur unë flas, ata do të luajnë me plej stejshën. Kjo ndodh më së shumti gjatë teorisë. Unë i pyes në mënyrë individuale, për një sekuencë filmime, pa të drejtë përsëritje me ngadalësim. Kështu që futbollisti duhet të jetë i vëmendshëm dhe arrin të mësojë më shumë”.
Nuk dihet se ku do të arrijë Besa e Dajës këtë kampionat. Ai nuk e ka marrë që nga faza përgatitore, ndërsa cilësia e lojtarëve nuk është ajo e vitit të kaluar. Sidoqoftë, shqetësimi i momentit për trajnerin është vetëm ky. “Nuk di sesi do të reagojë skuadra kur të pësojmë gol të parët”, - përfundon ai. Një herë i ndodhi, në Peqin, por atë ndeshje është shumë e vështirë ta marrësh për bazë.