Paaftësia e qeverisë, dëm ekonomik me 2.7 miliardë lekë

Pjesa më e madhe e dëmit financiar është shkaktuar nga Tatim-Taksat dhe Doganat, sikurse edhe nga skandale në fushën e prokurimeve. Gjatë këtij 9-mujori, nga ana e KLSH-së janë bërë 24 kallëzime penale, të cilat janë në hetim nga organi i akuzës
Plot 2.7 miliardë lekë është vlera që arrin dëmi ekonomik i shkaktuar nga Tatim-Taksat, Doganat, Prokurimet etj. Në një raport të publikuar dje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar se vendin e parë për shkelje e zënë degët e Tatim-Taksave, pasi vlera e përgjithshme e konstatuar si shkelje tejkalon 1 miliard lekët. E dyta në listën e institucioneve “të paafta” dhe të mbushura me korrupsion është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me disa nga degët kryesore në shkallë vendi, me një dëm fiskal në vlerën totale të afro 700 milionë lekëve, ndërkohë që në të njëjtët nivele përllogariten pak a shumë edhe shkeljet në fushën e prokurimeve. Gjatë 9-mujorit të vitit 2008, KLSH-ja nga 107 kontrolle të planifikuara, në fakt ka përfunduar dhe evaduar 116 kontrolle në total. Dëmi përkatës i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007 dhe 6-mujorin e parë të vitit 2008.
Tatim-Taksat
Vlera e përgjithshme e përllogaritur si shkelje financiare nga kjo kategori rezulton të jetë afro 1 miliard lekë. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në degët e Tatim-Taksave Tiranë, Elbasan dhe Pogradec spikasin detyrime tatimore dhe penalitete për tatim- fitimin, TVSH-në, dividend dhe tatim në burim, si dhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzim në afat të bilancit financiar. Gjithashtu, departamentet e Taksave e Tarifave Vendore në Tiranë, Durrës e Vlorë rezultojnë me moszbatim të procedurave ligjore në përllogaritjen dhe arkëtimin e detyrimeve për taksat dhe tarifat vendore, për subjekte të kategorive të ndryshme të aktivitetit.
Prokurimet
Në sektorin e prokurimeve, dëmi ekonomiko-financiar përllogaritet në rreth 718 milionë lekë, ndërkohë që vendin e parë në listë për shkelje duket se e mban përsëri Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, e ndjekur nga Bashkia e Shkodrës, së cilës edhe i është caktuar një buxhet shumë i lartë për vitin 2009. KLSH-ja evidenton si problematike në fushën e prokurimeve edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave në Durrës, si dhe Bashkinë e Krujës.
Doganat
Edhe pse doganat vazhdojnë të rezultojnë problematike në listat e institucioneve me shkelje financiare, drejtori i përgjithshëm, Përparim Dervishi, vazhdon të qëndrojë në atë post, që mesa duket nuk i takon më, pasi paaftësia e tij për të drejtuar doganat nuk ka të sosur, ndërsa funksioni që ka mbetet vetëm politik dhe aspak profesional. E themi këtë, nga fakti se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me degët e saj vartëse vazhdon të rezultojë mjaft problematike, pasi KLSH-ja ka vënë re shkelje në totalin e afro 695 milionë lekëve. Kjo shumë përbëhet nga detyrime doganore të papaguara në zhdoganimet e disa artikujve, autoveturave dhe nga subjektet që kanë operuar me autorizim për regjimin e përpunimit aktiv, si dhe mosaplikim të sanksioneve ligjore.
Fusha e urbanistikës
Afro 154 milionë lekë është dëmi financiar i evidentuar nga KLSH-ja në fushën e urbanistikës, ku vendin e parë e zë komuna e Dajtit, me dëm të shkaktuar nga mospagesa e taksës së infrastrukturës në masën 1 për qind të vlerës së investimit. Gjithashtu, problematike rezulton edhe komuna Farkë, AFP edhe Bashkia e Divjakës.
Shkelje të tjera
Shkelje janë vënë re nga Kontrolli i Lartë i Shtetit edhe në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, në shumën e përgjithshme të rreth 10 milionë lekëve. Plot 30 milionë lekë janë shkeljet e disiplinës financiare nga institucionet shtetërore, ndërkohë që në fushën e shpenzimeve operative, dëmi fiskal përllogaritet në rreth 80 milionë lekë.