Aparati im Shqipëria ime
Roland Tasho, një ndër emrat më të njohur të fotografisë shqiptare të 25 viteve të fundit, është rikthyer tek peizazhi, fryma e tij e fillimit të artit të shkrepjes qëkur punonte për revistën e njohur të para 90-ës, “Ylli”, e cila i mëshonte shumë artit të fotos dhe cilësisë së saj në faqe. Tasho ka hapur një ekspozitë me rreth 50 foto në galerinë “Ibrahim Kodra” në hyrje të godinës së MTKRS-së, të titulluar thjesht e shkoqur “Peizazhe shqiptare”. Pra, e ka lëvruar edhe më herët peizazhin, tërheqjen pas tij, fiksimin në objektiv të pamjeve unike të natyrës, një pasuri mbitokësore shqiptare që ende ushqen krenarinë tonë “arbënore” për trojet ku kemi lindur e ku jetojmë. Por, siç thotë Tasho, pas ndryshimeve politike, e rrjedhimisht sociale e shoqërore pas viteve ‘90, objektivi i aparatit ishte bërë si një gojë që kishte nevojë për tjetër ushqim. Ngjarjet e ndryshme, ndryshimet e befta, absurdet që realiteti po prodhonte çdo ditë, rishfaqja e njeriut ndryshe, si një protagonist zhvillimesh, ku imponohej ta paraqiste vetveten në disa pamje, nga më ekstremet, të gjitha këto bënë që objektivi i Tashos, si dhe i shumë të tjerëve ta linin mënjanë peizazhin, natyrën, pemët, relievet piktoreske e gjithçka që qerthullonte rreth një ndjesie: “romanticitetit”, për t’iu përveshur punës në fiksimin, regjistrimin e arkivimin e ngjarjeve të kohës; për futjen në objektiv të një epoke më vete, që dikush e mban thjesht në memorie, dikush e ka regjistruar në fletë të bardha ditarësh e dikush në celuloid. Tasho do ta kryente më së miri misionin e vet për dhjetëra vite me radhë. Pa dyshim, në përditshmërinë mediatike të tranzicionit, emri i tij është skalitur fort si një prej fotoreporterëve më produktivë e më cilësorë. Por tani është nevoja për një pushim; për pak shtriqje e çlodhje. Është koha për t’iu rikthyer peizazhit, natyrës e për t’u qetuar me të. Është për Tashon ajo një pasuri e vlerë unikale, që nuk po mundemi ta shfaqim e ta prezantojmë siç duhet e sa duhet. “Ky profesion më ka bërë të shëtis e të bredh shumë, e mund të them se peizazhi shqiptar është i paparë”, shprehet Tasho. Ndër shumë peizazhe, ku larminë e shpalosin jo vetëm stinët, por edhe terrenet e fotografuar, janë fiksuar edhe detaje, të cilët në një kuptim, janë aftësi e syrit të fotografit që u jep aq jetë e i bën aq joshëse. Për shembull, të bie në sy një shtëpi me çati prej rrasash guri apo një tufë qepësh. Mjeshtërisht ato vijnë si foto më vete, plot jetë e kumt, e nuk do të ishte e mundur që në një situatë të zakonshme ta përcillnin magjinë që e shpalosin nëpërmjet fotos. Tek fotot e Tashos është pothuajse e gjithë Shqipëria. Është veriu i egër e i ashpër, heroik e romantik njëherësh, ashtu si edhe jugu i butë e ëndërrimtar. Disa prej fotove datojnë që nga vitet ‘80, kohë pra, kur Tasho punonte për revistën “Ylli”. Siç shprehet ai, gjinia e peizazhit nëpër botë është shumë e ezauruar nga një numër shumë i madh fotografësh, por edhe nga shumëllojshmëri aparatesh, duke ofruar albume unikale. “Ndërsa tek ne, peizazhi ende mbetet i pashfrytëzuar tërësisht, - thotë Tasho, - ngase edhe për faktin se shumë fotografë janë të prirur drejt realitetit, përditshmërisë, njeriut dhe paradokseve që ai prodhon”. Gjithsesi, peizazhi mbetet një çlodhje, një lloj arratisjeje nga “rruga”, nëse mund të shprehemi kështu, dhe këtë metamorfozë po përjeton edhe Roland Tasho vitet e fundit, duke e shprehur më së miri tek ekspozita më e fundit, “Peizazhe Shqiptare”.