Pesë thika për dozën e radhës
TIRANË - Teksa shihte të ëmën duke dhënë shpirt, ka mundur vetëm të hedhë thikën e përgjakur nga dora dhe të telefonojë policinë. Ka pritur efektivët e policisë që të vijnë, duke u vetëdorëzuar i pashpresë e duke bërë gati kyçet që ata t’i vinin prangat. Ndoshta aty ka kuptuar atë që kishte bërë dhe ka shfaqur pendesë, duke mundur vetëm të shqiptojë fjalët: “Ndodhi gjithçka aq shpejt....”. E vetëm pasi ka nisur këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët kriminalistë janë përballur me krimin makabër, ku djali kishte qëlluar pesë herë me thikë të ëmën. Sipas hetimeve paraprake të policisë, u tha se Alkent Birko, 35 vjeç, qëlloi 58-vjeçaren Shpresa Birko, pasi kjo e fundit nuk kishte para që t’i blinte dozën e radhës djalit të saj, të njohur si narkoman.
Vrasja
Rreth orës 18:55 të pasdites së djeshme, salla operative e policisë mori një telefonatë, e cila njoftonte vrasjen e një të moshuare. Një zë mashkulli lajmëronte se kishte vrarë të ëmën. Duke dhënë qartazi adresën ku banonin, në vendin e ngjarjes janë nisur menjëherë forcat policore të Komisariatit Nr. 3, të cilët mbulojnë zonën ku ndodhi krimi. Me të arritur në pallatin katërkatësh pranë Medresesë, përballë shkollës “Misto Mame”, forcat policore kanë nisur hetimet njëkohësisht me Sektorin Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Nuk u është dashur shumë kohë, që specialistët të kishin edhe pistën e parë të ngjarjes, atë të një narkomani i cili prej 15 vitesh ishte përdorues i rregullt droge e që kishte vrarë të ëmën në gjendje të rënduar depresioni, pasi ajo nuk i kishte dhënë paratë për të blerë dozën e radhës.
Motivet
Sipas banorëve të pallatit dhe paralelisht nga burime të besueshme policore, mësohet se 35-vjeçari Birko jetonte vetëm me të ëmën, pasi kjo e fundit ishte divorcuar nga i shoqi kur autori i dyshuar i krimit kishte qenë vetëm 3 vjeç. Pas ndarjes, me rritjen e Alkentit ishte marrë e ëma. Por vitet e fundit, 35-vjeçari bënte një jetë të çrregullt prej narkomani, dhe shkonte në shtëpi rrallëherë, sa herë që kishte nevojë për para. Ai ishte i papunë dhe në të shumtën e rasteve lekët për të marrë “mallin” ia merrte pas grindjeve të shumta së ëmës. Por e moshuara dje kishte refuzuar që t’i jepte lekë, e lodhur nga jeta e të birit dhe nga sherret me të. I rënduar nga momenti kur duhet të merrte dozën, si dhe nga gjendja depresive, Birko ka shkuar në kuzhinë dhe pasi ka marrë thikën e bukës, ka qëlluar pamëshirshëm pesë herë resht nënën 58-vjeçare. Në momentin e parë të kthjellimit ka lajmëruar policinë. Tashmë atij i rëndon akuza e “vrasjes”.