Shëndetësia në krizë

Sistemi shëndetësor është i tejmbushur me probleme. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, spitalet nuk përmbushin as nevojat më minimale
TIRANË - Sistemi shëndetësor në Shqipëri po kalon një fazë me probleme nga më të larmishmet. Mjafton të shkoni për një vizitë të thjeshtë në spital, për të parë se sa e rënduar është gjendja, se sa papërgjegjshmëri tregohet nga ana e stafit spitalor dhe se sa mungesa të rëndësishme ka në infrastrukturën e brendshme të spitaleve. Disa burime pranë Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor thanë se gjendja nëpër spitale është me të vërtetë kritike, pasi këto të fundit nuk plotësojnë as kushtet minimale që duhet të ketë një spital. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, problemet e këtyre niveleve hasen për shkak të një menaxhimi jo të efektshëm dhe të një buxheti jo optimal në shërbimet spitalore. Për zgjidhjen e këtyre problemeve, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një projekt për përfshirjen e spitaleve rajonale në skemën e sigurimeve shëndetësore. Në kuadër të këtij projekti u mbajt dje një takim me temë “Shtrirja e skemës në spitale, statusi dhe shkalla e autonomisë”, i cili u organizua nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, me mbështetjen e fondacionit gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung”. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila ishte e pranishme në këtë takim, foli për problemet dhe avaritë më të prekshme të sistemit shëndetësor dhe punën e përbashkët që po bëhet me ISKSH-në, për eliminimin e këtyre problemeve. Sipas saj, ndër problemet më kryesore dhe më të prekshme në sistemin tonë shëndetësor sot, renditen ato të lidhura me shërbimin në spitale. “Prej kohësh, një reformë në sistemin tonë spitalor ka rezultuar e nevojshme, por tashmë duket e domosdoshme. Kjo do të thotë jo vetëm një shërbim më të mirë spitalor të ofruar qytetarit, por edhe një impakt pozitiv në të gjithë sektorët e tjerë të shëndetësisë”, theksoi ministrja Godo. Ajo shtoi se në çdo etapë të projektit që është ndërmarrë nga MSH-ja do të bashkëpunohet me ISKSH-në, e cila me anë të strukturave të saj do të bëjë monitorimin dhe mbajtjen nën kontroll të lëvizjeve financiare, për çdo shërbim të ofruar dhe për çdo strukturë spitalore. Në mënyrë që projekti të ketë një ecuri të suksesshme, MSH-ja bëri të ditur se grupet e punës që do të merren me këtë reformë, do të ndjekin disa hapa. “Decentralizimi i fondeve dhe i kompetencave nga dikasteri në nivel kryesisht rajonal, do të jetë hapi i parë. Kjo gradualisht do të japë kënaqësinë e të qenit autonom deri në një masë të caktuar. As decentralizimi dhe as autonomia nuk do të jenë fillimisht në masën e plotë. Këto do të vijnë me kalimin e kohës dhe pas monitorimeve të vazhdueshme të aktiviteteve spitalore, nën supervizimin e rreptë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISKSH-së”, tha Godo. Sipas saj, pranë Ministrisë së Shëndetësisë janë ngritur grupe të përbashkëta me ISKSH-në, apo me specialistë që po punojnë për ndryshimet ligjore të kujdesit shëndetësor që vetë reforma i imponon. Gjithashtu, po punohet për ndarjen e buxheteve përkatëse dhe për hartimin e protokolleve të shërbimeve të ofruara nga çdo strukturë. Protokollet e hartuara do të jenë bazë për të përcaktuar saktësisht e në detaje çmimin e çdo shërbimi të ofruar, proces ky i domosdoshëm për kontrollin e lëvizjeve të fondeve të akorduara. Kostifikimi i çdo shërbimi do të jetë i nevojshëm jo vetëm për të arritur qëllimin e etapave përfundimtare të reformës, por edhe për të vendosur në baza të drejta konvencionet midis sektorit publik dhe privat. Problemet kryesore që vihen re haptazi në sistemin tonë shëndetësor janë: mungesa e medikamenteve dhe e materialeve të konsumit, aparaturat “e fjetura”, të pavëna në përdorim apo jashtë funksionit prej shumë kohësh, shërbimet e mangëta, shërbimet e munguara dhe personeli jo gjithmonë me profesionalizmin e pretenduar.