E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime mbi të penduarin

TIRANË - “Dëshmitari paraqet shenja të paqëndrueshmërisë mendore, prandaj kërkojmë që t’i bëhet një ekzaminim mjeko-ligjor, për të vërtetuar gjendjen e tij”. Kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga mbrojtja e të akuzuarve si pjesëmarrës në ngjarjen e vitit 1997 në Cërrik, ku humbën jetën 6 punonjës të Gardës së Republikës. Avokatët kanë vënë në dyshim thëniet e Bujar Buzanit, pasi sipas tyre, ai nuk ka qenë i qartë në deklarimet e tij dhe ka pranuar se ka pasur probleme në të shkuarën. Buzani në fakt ka pranuar se ka qenë i alkoolizuar për një kohë të gjatë dhe se nuk e ka kryer shërbimin ushtarak, pasi ka qenë i sëmurë. Kërkesën për ekspertim mjeko-ligjor e ka bërë në seancën e djeshme avokati i të pandehurit Roland Xhepaxhiu, ndërsa avokatët e tjerë do të shprehen në seancën e ardhshme, kur dhe do t’i drejtojnë pyetjet e tyre të pandehurit dëshmitar, që në këtë rast është në rolin e të penduarit. Gjithsesi, nisur nga thëniet e Buzanit, pritet që të gjithë avokatët të bashkohen në kërkesën për kontroll të gjendjes së tij psikike.

Dëshmia

I ka inkriminuar që të gjithë me dëshminë e tij, madje edhe veten e vet. Bujar Buzani ka treguar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda të gjithë skemën e organizimit dhe realizimit të asaj, që nga prokuroria është konsideruar si një masakër. I penduari, që duket se për shkak të pozicionit të tij do të ketë përfitime ligjore në fund të procesit, ka deklaruar se organizatorët e ngjarjes kanë qenë Llazar Bicja dhe Meti Bozi. Ata sipas Buzanit, kishin marrë vesh të parët për mbërritjen e forcave të policisë dhe më pas kishin njoftuar edhe të pandehurit e tjerë për të organizuar pritën. Buzani nuk ka kursyer edhe veten. Ai ka pranuar se ka qenë pjesëmarrës aktiv në këtë ngjarje të rëndë.

Debatet

Debatet mes akuzës dhe avokatëve mbrojtës nuk kanë munguar gjatë zhvillimit të seancës. Mbrojtja është munduar të hedhë hije dyshimi mbi të penduarin Buzani, për më tepër që ai është autor i disa veprave penale të tjera dhe njihet si kontingjent krimi. Ndërkaq, në seancën e ardhshme pritet që avokatët të bombardojnë me pyetje të penduarin, në përpjekje për të treguar se ai është i instruktuar nga prokuroria. Në të njëjtën kohë pritet që mbrojtja të kërkojë edhe ekspertimin e tij mjekësor.

Prokuroria ka akuzuar nëntë persona se janë pjesëmarrës aktinë në vrasjen e gjashtë efektivave të Gardës së Republikës në 23 maj të vitit 1997, në qytetin e Cërrikut. Procesi ndaj të pandehurve Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepaxhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi, të akuzuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana të cilësuara”, e kryer në bashkëpunim, po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet.

Dokumenti

S’pranohet prova, u botua te “Korrieri”

Një dokument i Bankës së Kursimeve, i vitit 1997, që provonte se Garda e Republikës kishte marrë automjete të blinduara “borxh” nga ky institucion, për të shkuar në qytetin e Cërrikut, është paraqitur dje përpara gjykatës. Avokati Saimir Visha, i cili mbron të pandehurin Roland Xhepaxhiu, i kërkoi trupit gjykues administrimin e kësaj prove, që sipas tij tregon se mjetet që shkuan në Cërrik nuk ishin ushtarake, por civile, ashtu sikurse edhe një pjesë e efektivave të Gardës ishin të rekrutuar me kontrata afatshkurtra. Por prokuroria e ka kundërshtuar këtë dokument, me argumentin se ajo ishte botuar më parë në gazetën “Korrieri” dhe nuk mund të merrej në cilësinë e provës. Pasi ka dëgjuar pretendimet e të dyja palëve, trupi gjykues ka vendosur të rrëzojë kërkesën e mbrojtjes dhe të mos pranojë në cilësinë e provës dokumentin e paraqitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›