Ne vendosim

Presidentët Fatmir Sejdiu i Kosovës dhe Bamir Topi i Shqipërisë thanë dje, se të dy vendet, pjesë e të njëjtit territor etnik të shqiptarëve, janë “kontribuues të paqes në rajon”. Komentet Topi dhe Sejdiu i bënë pas inspektimit të punimeve në aksin Rrëshen-Kalimash, të rrugës Durrës-Kukës. Deklarata është mirëfilltas vërtetim i gjendjes së re rajonale i dy shteteve shqiptarë, pavarësisht se njëri prej tyre, Kosova, është pjesë e shtetit politik që nga viti 1912 i Shqipërisë. Njëkohësisht, deklarata është treguese se në këtë gjendje rajonale shqiptarët “vendosin” baraspeshën me grupet e tjerë etnikë. Presidentët Topi dhe Sejdiu thanë se rruga Durrës-Kukës është arteria themelore për kombin shqiptar dhe se ajo realizon ëndrrën e përbashkët, që njerëzit të jenë pranë fizikisht, më shumë se deri tani me zemër e mendje. Sejdiu tha se ndërtimi i rrugës është njëkohësisht plotësim i idesë së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. “Rruga ka qenë dhe mbetet në qasjen e vet themelore, arterie e rëndësishme e një trungu, e një jete. Është me shumë rëndësi që hap perspektivën, hap proceset e zhvillimit, hap proceset e lëvizjeve të lira të qytetarëve në mënyrën më të mirë të mundshme, komunikimet e tyre dhe bashkon njerëzit. Ajo që presidenti Topi e quajti me të drejtë ëndërr të gjeneratave të shumta, vjen dhe bëhet realitet në këtë kohë, me një përkushtim tepër të përgjegjshëm të qeverisë shqiptare, dhe besoj po në të njëjtën kohë një përkushtim që do ta ketë qeveria e Kosovës, që rruga Durrës-Prishtinë do të jetë e kryer në kohë optimale dhe jashtëzakonisht të shkurtër”. Rëndësi, sipas Sejdiut, ka që njerëzit që do të vijnë nga Prishtina dhe qytetet e tjera të Kosovës, ta kenë Durrësin, Tiranën, Shkodrën dhe qytetet e tjera shumë më afër, ndaj ai shtoi se “kjo rrugë do ta mundësojë këtë”. Presidenti Topi tha se Shqipëria dhe Kosova janë pjesë e padiskutueshme e ëndrrës euroatlantike dhe se rruga do të nxisë zhvillimin e zonave përreth. Sipas Topit, “rruga do t’i japë gjithë kësaj zone një zhvillim të paparë, një zonë që dikur ka qenë e harruar dhe e braktisur”. Ai shtoi se rruga është gjithashtu pjesë e asaj që e kemi konsideruar ëndërr shqiptare, të cilën e shikojmë çdo ditë që po realizohet”. Topi, pavarësisht heshtjes së detyruar, për shkak të koniunkturave, nuk e mohon dot që shqiptarët andej dhe këtej kufirit, ashtu sikurse edhe e përmendi, kanë “qenë me zemër, me mendje dhe me shpirt shumë afër, por sot jemi realisht dhe fizikisht shumë, shumë afër për të realizuar ato ëndrra të mëdha që kemi pasur”. Deri tani po punohet në dy tunelet me gjatësi 5.5 kilometra secili nga të dyja anët e malit, duke shënuar nivelin 71 për qind të punës.