Universiteti i Tiranës, procedurat dhe afatet për transferimin e studimeve
TIRANË - Universiteti i Tiranës përcakton kushtet dhe afatet për transferimet e studimeve nga universitetet e rretheve. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se duke nisur nga data 27 gusht deri më 18 shtator, të gjithë studentët mund të bëjnë aplikimet pranë Rektoratit të Universitetit. Sipas Ardit Bidos, përfshihen dy kategori që përfitojnë nga e drejta e aplikimit: studentët që studiojnë jashtë Shqipërisë dhe ata që janë në universitetet private, në sistemin me kohë të plotë. E gjithë procedura kushton 1000 lekë dhe pagesat bëhen në një bankë private në Tiranë.
Dokumentacioni
Shumë studentë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës mund ta përfitojnë të drejtën e tyre nëse plotësojnë në sërë kushtesh. Rektorati i UT-së bëri të ditur dje kushtet, afatet kohore, pagesën dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë aplikantët. Së pari, çdo student duhet të bëjë një kërkesë me shkrim për transferimin e studimeve. Bashkëngjitur do të paraqesë edhe përmbajtjen e planit dhe të programit të studimeve, listat e lëndëve, kreditet dhe notat e fituara. Ndër dokumentet e kërkuara janë edhe një kopje e noterizuar e indeksit të notave (librezës së studentit), kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme. Në rastet kur studentët aplikantë janë jashtë vendit dhe duan të vazhdojnë studimet në Tiranë, ata duhet të përkthejnë në gjuhën shqipe dhe të noterizojnë gjithë dokumentacionin që do të marrin nga universiteti prej nga ku do të largohen. Po ashtu, rektorati u kërkon aplikantëve dhe fotokopje të kartës së identitetit dhe një mandate arkëtimi për shumën prej 1000 lekësh të reja që duhen për të bërë aplikimin për transferim.
Detajet
Pas plotësimit të dosjes së kërkuar këto dokumente duhet të dorëzohen në zyrën e protokollit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, nga data 27.08.2010 deri 18.09.2010. Kjo mundësi u krijohet të gjithë të rinjve që studiojnë në universitetet jashtë Shqipërisë apo në universitetet private në Shqipëri. Pas datës 18 shtator nis puna për seleksionimin e kërkesave dhe brenda një periudhe dyjavore shpallen fituesit, të cilëve u jepet e drejta për të vijuar më tej studimet në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës.
DOKUMENTET E KËRKUARA
1. Kërkesa për transferim me shkrim e të interesuarit (me adresë)
2. Përmbajtja e planit dhe programit të studimit.
3. Lista e lëndëve, krediteve dhe notave të fituara pranë Institucionit të Arsimit të Lartë përkatës.
4. Kopje e noterizuar e indeksit të notave (librezës së studentit), për institucionet që kanë indeks.
5. Kopje e noterizuar e diplomës së shkollës së mesme.
6. Për institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit dokumentacioni duhet të jetë i përkthyer në shqip dhe i noterizuar në Shqipëri.
7. Të gjitha dokumentet duhet të jenë të certifikuara nga institucioni që i lëshon.
8. Fotokopje të kartës së identitetit.
9. Mandat arkëtimi 1000 lekë. BANKA KREDINS Nr: 589007
Ministri Tafaj: “Korrigjim i dyfishtë për testet e Matematikës”
TIRANË - Të gjitha testet e Matematikës së Maturës Shtetërore 2010 do të kenë korrigjim të dyfishtë. Kjo deklaratë është bërë nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, i cili u takua dje në mjediset e shkollës “Sabahudin Gabrani” në Tiranë me vlerësuesit e testit të provimit të Matematikës. “Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore kryhet fillimisht nga 2 mësues korrigjues që vlerësojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe më pas, nëse përgjegjësi që e rikontrollon testin vëren mospërputhje të pikëve në këto vlerësime, kërkon korrigjimin e testit të maturantit nga një vlerësues tjetër”, - thonë burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas njoftimit zyrtar të këtij institucioni, “vlerësuesit e provimit të Matematikës që janë përzgjedhur nga mësuesit më të mirë në të gjithë vendin, janë mbledhur në 4 qendra kombëtare vlerësimi, ku po kryejnë procesin e korrigjimit të testeve për rreth 38 000 maturantë”.
Zoti Tafaj u njoh dje nga afër me procedurën e korrigjimit të testeve dhe theksoi se kjo mënyrë vlerësimi garanton vlerësim objektiv të maturantëve. Ministri Tafaj e cilësoi këtë proces shumë të rëndësishëm dhe vlerësoi punën e mësuesve për të korrigjuar në mënyrë korrekte rezultatet për të gjithë maturantët. Para pak ditësh u zhvillua provimi i dytë i detyrueshëm në lëndën e Matematikës në Maturën Shtetërore dhe tashmë pritet që të bëhet provimi i lëndëve me përzgjedhje. Pas publikimit të rezultateve, çdo maturant ka të drejtën e apelimit për pikët e marra brenda një periudhe 1-javore.
Rriten rastet me ethet hemorragjike, arrin në 13 numri i të prekurve
KUKËS – Të paktën 13 persona janë prekur nga ethet hemorragjike, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë shënuar edhe 3 raste të reja, njëri prej tyre është një fëmijë. Autoritetet e shërbimit shëndetësor në Kukës bënë të ditur gjatë ditës së martë se tre të infektuarit e fundit, përfshirë edhe një fëmijë 12 vjeçar janë transportuar me urgjencë në spital pasi kanë pasur simptoma të etheve hemorragjike.
Mjekët bëjnë të ditur se gjendja e tyre nuk është e rënduar ndërsa mësohet se në spitalin rajonal mungon Ripravina, medikamenti i nevojshëm për të trajtuar të sëmurët me ethe hemorragjike. Mjekët thonë se rastet e rënda do të nisen me urgjencë drejt Tiranës ndërsa sigurojnë se gjendja aktuale është nën kontroll.
Gjatë muajit qershor, rishfaqja e etheve hemorragjike ka shkaktuar panik tek banorët e Kukësit dhe të Hasit, veçanërisht tek të afërmit e të prekurve. Sipas mjekëve të Spitalit rajonal të Kukësit, gjatë qershorit ka pasur 13 raste, mes tyre dhe fëmijë, ndërkohë që një grua nga Hasi ka humbur jetë në Spitalin e Prishtinës pasi sëmundja kishte avancuar së tepërmi. Të prekurit nga kjo sëmundje kryesisht janë të moshës 12–50 vjeç.
Ethet hemorragjike e kanë burimin e infeksionit te kafshët si miu e insektet, veçanërisht nga rriqra, që në këtë periudhë gjallon në të gjitha mjediset. Kjo sëmundje jep temperaturë, ethe dhe hemorragji të brendshme dhe, nëse nuk kurohet me shpejtësi mund të shkaktojë vdekjen.
Prefektura, Ministrisë së Financave: Bllokoni Bashkinë në Thesar
TIRANË – Rikthehen përplasjet mes Prefekturës dhe Bashkisë së Tiranës, por kësaj radhe shkak është bërë auditimi i njësive vendore, gjë që e ka nxitur prefektin Keltis Kruja që t’i kërkojë Ministrisë së Financave që të bllokojë veprimet në Thesarin e Shtetit. Kreu i Prefekturës, zoti Keltis Kruja, tha se kryetari i Bashkisë, zoti Edi Rama, nuk po respekton ligjin, pasi “në bazë të Urdhrit 41, datë 03.05.2010 të ministrit Financave për auditimin e krijimit dhe përdorimit të fondit të veçantë për vitin 2009, sektori auditimit të brendshëm pranë prefektit të qarkut Tiranë ka planifikuar dhe depozituar një program auditimi në një sërë njësish vendore, ndër to edhe në Bashkinë Tiranë”. Madje, ai thotë se për këtë çështje ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë të ndahet nga praktikat private me të cilat administron Bashkinë e Tiranës dhe ta drejtojë këtë bashki në respekt dhe përputhje të plotë me ligjin”, - deklaroi kreu i Prefekturës. Ai i kërkoi dje zyrtarisht qeverisë dhe ministrit të Financave të ngrijë veprimet në Thesarin e Shtetit dhe të bllokojë fondet e buxhetit të shtetit për Bashkinë e Tiranës, duke qenë se kjo bashki dhe kryetari i saj refuzojnë kontrollin dhe transparencën ndaj këtyre fondeve.
23 Qershor 2010