Prifti: “Privatizimet strategjike, ministria do të jetë transparente”
Ervin KOÇI
Qeveria ka nisur nga procesi i privatizimeve të të gjitha objekteve dhe aksioneve shtetërore, gjë e cila do të përfundojë brenda dy vjetëve. Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, e cila po merret direkt me këtë proces, ka hartuar dhe ka publikuar edhe listën e plotë të ndërmarrjeve apo aseteve që do të privatizohen, si dhe mënyrën se si do të bëhen ato. Ajo çka është e re në këtë fillim procesi është fakti që METE do t’i japë mundësinë të parëve pronarëve të trojeve ku janë ndërtuar objektet shtetërore që të kenë të drejtën e parablerjes me letra me vlerë (bono privatizimi). Këto të fundit duket se do të marrin një vlerë disi më të madhe në treg, ku deri tani vetëm sa janë zhvlerësuar me gjithë nisjen e procesit të legalizimeve të zonave informate, prej të cilit pritej rritja e vlerës së tyre. Nga ana tjetër METE duket e vendosur për të qenë sa më transparente dhe rigoroze në bërjen e këtij procesi, për të cilin ka publikuar dhe procedurat e privatizimit, dokumentet që kërkohen, si dhe vlerën dhe vendet ku ndodhen pronat shtetërore.
Objektet
METE ka publikuar listën e plotë të institucioneve të cilat do të privatizohen. Janë gjithsej 325 institucione të ndryshme të cilat do të privatizohen, por lista pritet të jetë edhe më e madhe pasi kësaj do t’i shtohen edhe objekte të tjera të pa përcaktuara mirë. Njoftimin për privatizimin e këtyre objekteve e dha dje vetë Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, në një konferencë për shtyp, ku u njoftua gjithashtu se përparësi do të kenë ish-pronarët e tokave të cilat kanë të drejtën e parablerjes së objektit që privatizohet, por njëkohësisht ata kanë të drejtë dhe mundësi që 80 për qind të vlerës së objektit ta paguajnë me letra me vlerë ose bono privatizimi. Procesi i vlerësimit të pronave do të bëhet nga METE, ndërkohë ankandet e shitjeve do të realizohen nga Ministria e Financave. Kjo lidhet dhe me nevojën për para në buxhet të qeverisë, e cila po punon në mënyrë intensive për të shitur asetet publike. Ministri Dritan Prifti pohoi se “janë rreth 2 mijë pasuri publike që do të privatizohen dhe parashikohet që brenda këtij viti të përfundojnë privatizimet strategjike, siç janë ‘Albpetrol’, pjesa e mbetur e aksioneve në ‘Albtelekom’ apo ‘ARMO’, kompania e sigurimeve ‘INSIG’ etj”. Por në këtë listë janë edhe stadiumet sportive. Sipas ministrit, të drejtën e parablerjes do ta kenë pronarët e ligjshëm. Ndërkohë që pjesë e këtij procesi do të jetë edhe biznesi vendas. Pak muaj më parë kryeministri njoftoi shitjen e çdo pasurie publike, duke përjashtuar shkollat dhe spitalet. Nisma e qeverise u bë publike pas problemeve që po haste buxheti i shtetit në realizimin e të ardhurave publike. Ekspertët e ekonomisë janë në një mendim për këtë proces, që sipas tyre bëhet vetëm për të arkëtuar më shumë para në buxhet.
Vlerësimi i aseteve
Vlerësimi i aseteve të kompanive dhe ndërmarrjeve shtetërore është një proces tjetër mjaftë i rëndësishëm për qeverionë. Kreu i METE-s, Dritan Prifti, priti dje në kuadër të procesit të privatizimeve përfaqësuesit e “Patton Boggs Llp”, me të cilët ka nënshkruar edhe kontratën për bërjen e konsulencës financiare të kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Kompania “Patton Boggs Llp” është caktuar të jetë konsulenti ndërkombëtar i qeverisë në procesin e privatizimit të “Albpetrol”-it, ku për një periudhë 6-mujore përcaktohet që të përfundojë procesi i vlerësimit të aseteve të kompanisë së njohur të naftës në vend. Sipas Priftit, në kontratë përcaktohet një afat prej gjashtë muajsh, gjatë të cilit “Patton Boggs Llp” duhet të përfundojë procesin e vlerësimit të kompanisë dhe marrjen e vendimit për mënyrën e privatizimit. “Patton Boggs Llp” ka përgjegjësinë e marketingut ndërkombëtar në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës, “Albpetrol”, ndërkohë që ka eksperiencë të mjaftueshme në sektorin hidrokarbur, pasi ka kryer konsulentin ndërkombëtar edhe për privatizimin e “ARMO”-s.
Pas gjashtë muajsh duhet të përfundojë puna për vlerësimin dhe kompania “Albpetrol” duhet të dalë në një tender ndërkombëtar për shitje, për privatizim apo për ndonjë formë tjetër koncesionare.
BOX//////////////////////////////////////
Beqiri: “Privatizimet do të sigurojnë mbi 300 milionë euro”
Ministria e Ekonomisë ka bërë publike një listë prej qindra pronash në të gjithë Shqipërinë, nga privatizimi i të cilave mendohet që të hyjnë në buxhetin e shtetit të paktën 100 milionë euro për vitin 2010. Zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiri, në një intervistë për “BBC” tha se, një pjesë e këtyre pronave nuk janë më në shërbim publik dhe pronarët e tyre gëzojnë të drejtën e parablerjes. Sipas tij, ky proces synon edhe vënien në qarkullim të burimeve të rëndësishme ekonomike. “Janë më tepër se 325 objekte të institucioneve të ndryshme që ka inventarizuar ministria, por ka edhe të tjera pasi ka dhe 400 nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe institucione të tjera. Pronarët kanë të drejtën e parablerjes me letra me vlerë”, - tha zëvendësministri i Ekonomisë Leonard Beqiri. Procesi i privatizimit i nisur prej kohësh në Shqipëri pritet të hyjë këtë vit në një faze më intensive. Sipas Beqirit, “pas privatizimit në vitet e kaluara të disa ndërmarrjeve të cilësuara si strategjike, viti 2010 është cilësuar si viti i privatizimeve të rëndësishme të pronës shtetërore”. Qeveria shqiptare po vazhdon me intensitet procesin për privatizimin e pronave shtetërore. Ajo synon që pjesa më e madhe e këtij procesi, rreth 70 për qind, të përfundojë deri në vitin 2011. Procesi i privatizimit të pronave shtetërore në Shqipëri është shoqëruar me jo pak polemika, veçanërisht midis kampeve politike. Por zëvendësministri Beqiri premton se gjithçka në procesin që sapo ka nisur, do të jetë transparente, "për të minimizuar çdo lloj spekulimi dhe për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve".
Procedurat e privatizimit në METE
Në zbatim të programeve të privatizimit, për të gjitha fazat e realizimit të tij, për investitorët vendas dhe të huaj të interesuar për shoqëritë, ofron informacion dhe të dhëna lidhur me:
1. Politikat sektoriale për shoqëritë që privatizohen.
2. Strategjitë e privatizimit për shoqëritë e sektorëve strategjike.
3. Procedurat e nevojshme për të realizuar një proces privatizimi.
4. Kuadrin ligjor të nevojshëm për privatizimin e shoqërive të sektorëve strategjikë.
5. Memorandumin Informativ të shoqërive që privatizohen .
6. Fazën promovuese dhe të marketingut për privatizimin e shoqërive.
Në këtë pjesë janë disa shërbime që ofron sektori për personat fizikë, juridikë, private ose publikë.
1. Kërkon dhe jep informacione me institucione shtetërore për probleme të institucionit në veçanti dhe të ekonomisë në tërësi.
2. Kërkon dhe jep informacione me entet private për zgjidhjen e problemeve specifike ose të veçanta që paraqiten.
3. Përgatit përgjigjet dhe sqarimet e nevojshme, për letrat, kërkesë-ankesa të ndryshme që vijnë në Ministri nga qytetarë të ndryshëm apo persona juridik për problemet që dalin gjatë procesit të privatizimit.
4. Përgatit kushtet për kthimin e pronës të të interesuarit.
ǒfarë procedurash ndiqen për privatizimin e shoqërive në sektorët strategjikë?
Në zbatim të ligjit nr.8306, datë 14.03.1998, për çdo shoqëri të sektorëve strategjikë, përgatitet ligji specifik për shoqërinë që do të privatizohet (p.sh. Ligji nr. 8515, datë 21.7.1999. “Për privatizimin e shoqërisë anonime “Albanian Mobile Communications” (AMC), Ligji Nr.8810, datë 17.05.2001 "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Albtelekom", Ligji nr. 8707, datë 24.01.2001, “Për privatizimin e shoqërisë anonime “Servcom”, Fier”, Ligji nr. 9073, datë 29.05.2003, “Për privatizimin e shoqërisë “Uzina Mekanike e Naftës” Sh.p.k, Kuçovë”, Ligji nr. 9117, datë 24.07.2003, “Për privatizimin e shoqërisë “Armo”Sh.A., Fier” etj.).
Më pas në zbatim të ligjit specifik, hartohen dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave aktet nënligjore:
* Për procedurat e tenderit për zgjedhjen e investitorëve strategjikë dhe për transferimin e aksioneve.
* Për kriteret e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë të interesuar për blerjen e aksioneve.
* Për kriteret e vlerësimit të ofertave për privatizimin e shoqërive të sektorëve strategjikë.
* Për mënyrën e përdorimit të të ardhurave që krijohen nga privatizimi.
* Për miratimin e projekt-kontratës për blerjen e aksioneve dhe të instruksioneve për paraqitjen dhe hapjen e ofertave për privatizimin e shoqërive të sektorëve strategjikë.
* Për miratimin e raportit të vlerësimit të ofertave për privatizimin e shoqërisë.
Si procedurë, Komisioni për Vlerësimin e Ofertave të paraqitura nga investitorët e interesuar për blerjen e aksioneve, harton raportin e vlerësimit dhe e paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave, i cili miraton edhe fituesin e tenderit. Me fituesin zhvillohen negocimet dhe lidhet kontrata e shitjes së aksioneve të shoqërisë. Miratimi i kontratës së shitjes apo koncesionit është aktiviteti përfundimtar i procesit të privatizimit dhe realizohet nga Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti. Për të konfirmuar garancitë e nevojshme për blerësin, kontrata për blerjen e aksioneve, kalon për ratifikim në Parlament (paraprakisht miratohet nga Këshilli i Ministrave projektligji përkatës). Lidhur me marrjen e garancive financiare dhe ligjore për blerësit e interesuar për blerjen e aksioneve, duhet thënë se kërkesat ndaj blerësve publikohen që në ftesën për shprehjen e interesit dhe saktësohen më tej me VKM për kriteret e përzgjedhjes së investitorëve. Të gjitha këto kërkesa vërtetohen nëpërmjet certifikatave zyrtare, të lëshuara nga autoritetet përkatëse ose me anë të dokumenteve të tjera zyrtare, ligjore, financiare dhe bankare.
23 Qershor 2010