Futen forcërisht në fabrikë, arrestohen 3 punëtorët e Norgës
VLORË Rreth orës 09:00 të paradites së djeshme, gjashtë punonjës së fabrikës të birrës Norga janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Dhjetëra punonjës së kësaj fabrike, si zakonisht, dhe ditën e djeshme kanë ardhur përpara dyerve të fabrikës me shpresën se do të fillonin punën. Por disa makina policie të drejtorisë së Policisë së Vlorës, të cilat kanë ardhur në atë orë përpara kësaj fabrike, kanë marrë pa asnjë njoftim gjashtë nga këta punonjës, të cilët në momentet e shoqërimit kanë pretenduar se nuk po bënin asgjë, thjesht kanë ndenjur para fabrikës. Punëtorët pretenduan se janë marrë me forcë nga punonjës së policisë, janë futur në automjetet e policisë dhe më pas janë shoqëruar në ambientet e këtij institucioni. “Këta punonjës së fabrikës, nuk kanë konsumuar asnjë vepër penale” janë shprehur ata pak punonjës që kishin ngelur pa u shoqëruar në polici. “Ishim duke qëndruar dhe pa pritur disa makina policie i morën me dhunë dhe i futën në makinat e policisë. Pas kësaj, punonjës së Policisë së Vlorës kanë rrethuar ambientet e kësaj fabrike dhe nuk janë lejuar as pronarët e kësaj fabrike për të shkuar në oborrin të fabrikës. Pasi janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, punonjësit janë mbajtur të izoluar për disa orë dhe më pas janë lënë të lirë, ndërkohë që kanë komunikuar se morën sinjale se nëse do të rrinin sërish para fabrikës, do të kishin penalizime.
Bllokimi
Afro një javë më parë, përmbarimi ka mbyllur fabrikën Norga, pasi pronarët e saj nuk kishin shlyer këstet e kredisë që kishin marrë pranë bankës “Raiffeisen”. Shoqëria ‘A&B Group’ sh.p.k denoncoi veprimet kundra ligjore të ‘Raiffeisen Bank’, siç thuhet në letër, e cila që prej ditës së djeshme ka bastisur paisje dhe makineri të kësaj shoqërie pa marrë parasysh koston materiale me qëllim mospërmbushjen në kohë të detyrimeve që burojnë nga kontrata e kredisë midis dy subjekteve.“Ndaj subjektit ‘A&B Group’ shpk po aplikohet çuditërisht një terror masiv, i përqendruar, i gjithanshëm, i frikshëm. Që prej ditës së djeshme, në mungesë të plotë të një urdhri ekzekutimi të gjyqësorit shqiptar, kompetent, bazuar në procedurat ligjore në fuqi, Raiffeisen Bank e pajisur me mjete të rënda të transportit dhe polici ka filluar bastisjen dhe shkatërrimin e biznesit që ushtron prej disa vitesh subjekti ‘A&B Group’ sh.p.k, duke çmontuar makineri e pajisje, linja prodhimi duke i transportuar në vende të pasigurta, pa menduar që vlera e tyre minimale është e barazvlefshme me miliona euro” - thuhet në letër.
Në letrën e shoqërisë ‘A&B Group’ shpk, citohet më tej se Raiffeisen Bank me këtë veprim po tenton të nxjerrë jashtë tregut një konkurrent të fortë pavarësisht se ajo i ka shlyer të gjitha detyrimet e kredimarrjes që kishte me bankën në fjalë, ndërkohë që i ka bërë thirrje institucioneve më të larta të vendit që të sensibilizohen për precedentin.
“Kjo edhe se subjekti kredimarrës ka likuiduar për një periudhë kohore katër vjeçare që kur ka filluar marrëdhënia e kredisë, në favor të kësaj banke është 8.000.000 euro. Dhe në një kohë kur afati i kredimarrjes është 6 vjet. Kjo luftë e madhe e drejtpërdrejtë, e pa precedentë dhe pa asnjë lloj baze ligjore ka thjesht si synim jo likuidimin korrekt të kredisë, por shkatërrimin dhe nxjerrjen jashtë tregut të kompanisë ‘A&B Group’ sh.p.k, konkurrente e rëndësishme në tregun shqiptar” - thuhet më tej në letrën e hapur të Shoqërisë ‘A&B Group’.