E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Për Berishën rëndësi ka pushteti, jo varfëria e qindra mijërave shqiptarëve”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi nga Shijaku se efektet e krizës globale në vend po thellohen për shkak të Sali Berishës dhe qeverisë që ai drejton. Gjatë takimit në këtë rreth me “Vullnetarët socialistë”, Rama u ka bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të mos tregohen indiferentë përpara rekomandimeve jo vetëm të opozitës, por në radhë të parë të organizmave financiarë ndërkombëtarë. Duke nënvizuar se kriza është globale, kreu i PS-së përsëriti se është përgjegjësi e kryeministrit dhe e qeverisë për të menaxhuar pasojat e kësaj krize, duke marrë si bazë edhe sugjerimet e partnerëve financiarë ndërkombëtarë. Rama u shpreh se Shqipëria rrezikon të zhytet shumë më thellë për shkak se qeveria dhe kryeministri e mohojnë krizën. Ai tha se qeveria po bën syrin qorr përballë realitetit të familjeve shqiptare, që e kanë gjithmonë e më të vështirë të nxjerrin fundin e muajit. “Shqiptarët, në qytet dhe në fshat, nuk gjejnë dot më një punë për të jetuar me punë të ndershme”,- tha Rama.
Kreu socialist paralajmëroi se vendi rrezikon të gjendet përpara një hendeku tjetër të pakapërcyeshëm, si ai që u gjend kur Berisha nuk dëgjoi në vitin 1996 kambanat e FMN-së në kohën kur ishte president. Kryetari i PS-së e akuzoi Berishën se po shpenzon pa asnjë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri ato të ardhura që duhen për të përballuar krizën për arsye të mirëfillta interesash elektorale pushteti. Ai u shpreh se kryeministri nuk do t’ia dijë fare për atë që vjen pas 28 qershorit. “Interesat për pushtetin e tij personal janë shumë më të mëdha dhe shumë më të rëndësishme sesa interesat e familjeve shqiptare, sesa interesat e vendit, që nuk po arrijnë dot të përballen siç duhet me një krizë ekonomike, e cila rrezikon të dalë jashtë kontrollit”, - deklaroi kreu i opozitës.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›