E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle: Mundësitë për statusin janë reale – duhet shpejtësi me axhendën e integrimit

02-03-2012 / Gazeta 55

Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule, pret në një takim në Bruksel zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fule priti dje në një takim në Bruksel, zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Fule dhe Haxhinasto diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në lidhje me procesin e integrimit evropian. Komisioneri Füle komentoi hapat pozitivë të muajve të fundit, forcimin e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës në kuadër të reformave institucionale. Gjatë takimit ai nënvizoi se “një dialog politik konstruktiv do të bëjë të mundur që Shqipëria të japë rezultate konkrete për zbatimin e marrëveshjes politike të nëntorit të kaluar, veçanërisht përsa i përket reformës zgjedhore dhe reformës së rregullores së procedurave parlamentare”. Shqipëria, nënvizoi z. Fule, duhet ta çojë më tej përparimin e bërë për përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit, duke theksuar në mënyrë të veçantë “krijimin e një historiku të besueshëm në fushën e sundimit të ligjit si dhe në luftën kundër korrupsionit”. Duke përsëritur angazhimin e Komisionit Evropian dhe mbështetjen e plotë të këtyre përpjekjeve, Komisioneri Füle ftoi Shqipërinë të përqendrohet në reformat gjithëpërfshirëse, të cilat janë të nevojshme për arritjen e objektivit kombëtar të integrimit evropian. “Unë do të doja të theksoja edhe një herë se, që të ketë sukses në axhendën e BE-së, për një vend është e rëndësishme që kjo të kthehet në një axhendë kombëtare, për qeverinë, për opozitën dhe për shoqërinë civile. Një proces i vërtetë dhe gjithëpërfshirës është çelësi për suksesin e Shqipërisë në përpjekjen e saj reformuese”- theksoi Komisioneri Stefan Fule.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›