Halimi: Fjalëkalimi i Ramës është bllokimi, ka ngujuar deputetët edhe në grevë urie

Në seancë plenare Kuvendi debatoi lidhur me disa ndryshime në Kodin Penal, teksa pjesë e debateve u bënë mazhoranca dhe opozita. Deputetët e të dy palëve shkëmbyen akuza, ku opozita këmbëngulte sipas saj, për hartimin e një projektligji cilësor, ndërsa mazhoranca akuzoi se gjithçka bëhet me qëllim të qartë bllokimin e reformave nga kryetari i PS-së, Edi Rama. Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, deklaroi se gjithçka po ndodh me reformat, është në vazhdën e politikës bllokuese që ndjek lideri i PS-së, sikurse bëri dhe me procesin e liberalizimit të vizave, kur i ngujoi deputetët në grevë urie.
“Pas tre javësh angazhimi të diskutimit të kodit penal, në fund fjalëkalimi i deputetëve të Edi Ramës, ishte bllokimi. Katër nismat për ndryshimin e kodit penal presin prej vitesh miratimin në Kuvend. Ato janë hartuar me këshillimin më të mirë të BE-së dhe aktorëve të tjerë me synim reformimin e ligjit penal në përputhje me zhvillimet e shoqërisë shqiptare” - u shpreh ministri i Drejtësisë, Halimi. Për ministrin Halimi, sa herë që Shqipëria do i kërkohen amendime në legjislacion, më parë duhet ndryshuar ‘passwordi’ i Edi Ramës. “Si këto dhe kjo nismë duhet të presë deri sa Edi Rama të ndryshojë fjalëkalimin. Është propozuar arrestimi për luftimin e korrupsionit e bazuar mbi konventat kundër korrupsionit por edhe kjo nuk do të miratohet pasi duhet të presim që Edi Rama të ndryshojë passwordin. Fjalëkalimi i kryetarit të PS-së për çdo reformë integruese është bllokim, edhe pse opozita paraqiti 20 amendamente vetëm për një nen, nenet konsultohen diskutohen, por kjo e drejtë nuk mund të përdoret si mekanizëm bllokues” - deklaroi ai.