Policia e Tiranës: Autori ka pranuar vrasjet dhe grabitjet
Policia e Tiranës ka konfirmuar arrestimin e Viktor Gushit si autor të vrasjes së arkëtares Leonora Kaloçi. Mësohet se ai ka pranuar edhe të tjera krime, mes tyre edhe vrasja e një argjendari.
U arrit të kurorëzohej me sukses kapja e autorit të tentativës së grabitjes ku si pasojë gjeti vdekjen arkëtarja Leonora Kaloçi si dhe u plagos roja i bankës, deklaroi mbrëmjen e sotme, drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Bernard Çaushaj.
Doli se arma që i sekuestruam ishte e njëjta që kryen vrasjen. Po ashtu u gjetën maska dhe prova të tjera materiale, tha kryepolici Çaushaj.
Gushi ishte nga Patosi i Fierit. Policia thotë se janë disa grabitje dhe dy vrasje që dyshohet se i ka kryer Viktor Gushi.
Që fillimisht i ka pranuar të gjitha krimet që ka kryer, konfirmoi z. Çaushaj.
Ai tha se në banesë i janë gjetur doreza dhe maska që i ka përdorur edhe në raste të tjera, ndërkohë që jetonte prej disa vjetësh në Tiranë dhe kishte ardhur nga Greqi në 2005-ën.
Gushi kishte një aktivitet loto sporti dhe një kazino-tha Çaushaj, ndërsa theksoi se detajet do të jepen nesër në një konferencë për mediat.
Pas shpërblimit prej 10 mijë eurosh të vënë nga policia, ka qenë një telefonatë që ka mbërritur në polici, e cila ka informuar për vendndodhjen e autorit. Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në banesën e autorit dhe kanë kryer arrestimin e tij në momentin e hyrjes së autorit në banesë, ku nuk është parë asnjë rezistencë e këtij të fundit.
Aktualisht autori Viktor Gushi është izoluar në drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Arrestohet edhe tmerri i grabitjeve
Ndërkohë, një tjetër operacion policor ka përfunduar me sukses ditën e enjte. Në Vlorë është kapur në shtëpinë e tij në Drashovicë tmerri i lagjeve të pasura të Romës.
Ali Islamaj, 29 vjeç, ishte arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Itali në datën 14 janar 2011. Aksioni për arrestimin e shtetasit Ali Islamaj nga efektivat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë është finalizuar me sukses si rezultat i operacioni i përbashkët me Skuadrën e Lëvizshme të Policisë se Romës të koduar I Shumëkërkuari policisë së Vlorës dhe forcave speciale.
Sipas burimeve në operacion për arrestimin e 29-vjeçarit morën pjesë rreth 30 forca policia mes tyre dhe 5 uniforma italiane.
Aksioni për kapjen e 29-vjeçarit ka filluar në orët e para të mëngjesit, për rreth 40 minuta forcat e policisë kanë bërë kontroll në disa banesa të pabanueshme në zonën e Pyllit të Sodës, ku kishte informacion se 29-vjeçari mund të fshihej.
Më pas forcat e policisë kanë udhëtuar për në fshatin Drashovicë ku dhe kishte informacion se 29-vjeçari ishte në fshatin e tij të lindjes.
Mbas 30 minutash udhëtim policia ka mbërritur në zonë duke bllokuar rrugët kryesore në hyrje dalje të këtij fshati dhe më pas është bërë kontrolli i banesës ku kishte informacion së banonte 29-vjeçari, forcat e policisë kanë mundur të arrestojnë 29-vjeçarin pa bërë rezistencë në banesën e tij.
Në ngarkim të këtij shtetasi Gjykata e Penale e Romës ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar pasi dyshohet se në bashkëpunim me 8 persona të tjerë shqiptarë të arrestuar nga policia italiane që para një viti ka kryer më shumë se 50 grabitje.