E Diel, 1 Nëntor 2026

Rivlerësimi i banesave - Qeveria shtyn amnistinë fiskale deri në muajin gusht

29-03-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave 20 prillin si “dita e Shqipërisë së pastër”


Rritja e kërkesave për regjistrimin e shtëpive nisur nga kthimi i emigrantëve gjatë sezonit turistik, bëjnë që qeveria të shtyjë edhe për disa muaj amnistinë për zërin “banesa”, deri në datën 31 gusht të këtij viti


Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, shtyrjen me 5 muaj të afatit të regjistrimit të banesave deri më datën 31 gusht. Sipas kreut të ekzekutivit kjo kërkesë bëhet e domosdoshme si pasojë e fluksit të madh në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe nga interesi shumë i madh i qytetarëve. Ai tha se ecuria e ligjit të faljes ka pasur një rezultat të shkëlqyer për qytetarët. “Amnistia fiskale pati një rezultat të shkëlqyer, kjo pasi janë futur në treg pasuri të paluajtshme 171.7 miliard lekë. Vetëm në periudhën janar-shkurt, 20 mijë qytetarë kanë përfituar nga një proces i tillë, përveç bizneseve. Por ende shihet një dyndje e qytetarëve, duke krijuar radhë të mëdha pranë zyrave, mbi 800 mijë aplikime në ditë. Ndaj Ministria e Financave vetëm për zërin banesa ta zgjasë afatin gjer më datë 31 gusht”, u shpreh Berisha. Ndërkaq, në deklaratën e fundit publike, numri dy i Financave, Alfred Rushaj deklaroi se pritshmëritë për legalizimin e kapitalit financiar për biznesin ishin më të larta, pasi kjo ishte një mundësi e mirë që qytetarët dhe biznesi të ligjëronin ato para, që i mbanin jashtë llogarive bankë dhe si të tilla cilësohen si informale. Ky ishte në fakt synimi kryesor i amnistisë, deklarimi i parave gri, që qytetarët në një mënyrë ose tjetër (përjashto ato kriminale) kishin fituar duke shmangur sistemin tatimor të deklarimit. Vetëm dy javë para afatit të mbylljes së amnistisë fiskale, ministria e Financave në një bilanc paraprak dhe thirrjen e fundit për të përfituar, tha se kapitali i legalizuar nga pasuritë e paluajtshme llogaritet 158 miliardë lekë. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, tha se, “nga fillimi i procesit deri në 10-ditshin e parë të muajit mars rezulton që individët të kenë legalizuar 30 milionë dollarë dhe është paguar shuma 95 milionë lekë si tatim për këtë lloj legalizimi. Bizneset kanë legalizuar 995 milionë lekë asete nga pasuria e tyre e paluajtshme dhe kanë paguar tatim në masën 29 milionë lekë”. Nga ana tjetër, biznesi ka legalizuar makineri dhe pajisje në shumën 688 milionë lekë, duke paguar 20 milionë lekë tatim për rivlerësimin. Rushaj deklaroi se pas datës një prill do të nisë mbledhja me forcë e të gjitha detyrimeve tatimore dhe doganore për biznesin. 20 prilli, Dita e “Shqipërisë së pastër” Mjedisi dhe mbajtja pastër e tij ishte një nga çështjet më kyçe në të cilat u përqendrua fjala e kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë. Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit vendi ynë ka të përqafuara për mjedisin ligjet më të avancuara të kohës, por përpjekjet të janë të pamjaftueshme. “Dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj dhe të shoqërisë sonë disa probleme të mprehta, të rëndësishme, ndër të cilat çështja e Shqipërisë së pastër, mjedisit të pastër. Ky përbën një nga problemet madhore me te cilat ne përballemi dhe përbën një nga problemet me të cilat ne duhet të angazhohemi me të gjithë potencialin për ti dhënë përgjigjen më të shpejtë të mundshme. Përpjekje serioze po bëhen por përsëri jemi larg së paraqituri një vend i pastër siç duhet të jemi dhe kjo përbën një problem shumë madhor e serioz, përbën një problem shumëplanësh dhe që kërkon një ndryshim rrënjësor të qëndrimit, të psikologjisë, së sjelljes ndaj mjedisit, kërkon një ndërgjegjësim të plotë që në mosha të hershme të njeriut, se asgjë nuk ndikon më shumë në jetën  e tij se sa mjedisi ku ai jeton, se asgjë nuk ka më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të tij sesa mjedisi i pastër dhe në kushtet e standardeve më të mira. Shqipëria sot popullohet në tërësi gjatë vitit me dyfishin e popullatës së saj. Mendoj që të caktojmë datën 20 prill, si ditën e ‘Shqipërisë së Pastër’ ku të dalim të gjithë nga çdo skaj dhe në çdo skaj të këtij vendi të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugët, të prekim me dorë mjedisin. Ministria e Mjedisit duhet të marrë të gjitha masat të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve dhe administrata shkollat, institucionet, komunitet në mbarë vendin do të angazhohen në këtë ditë për mjedisin”, u shpreh Berisha. Sipas tij, shoqëria civile ka paraqitur një datë tjetër për pastrimin e mjedisit, por premtoi se qeveria do ta mbështesë atë në këtë nismë që ka ndërmarrë. “Shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe i përshëndes dhe u kërkoj të gjitha institucioneve t’i japin mbështetjen totale nismës së tyre, kanë përzgjedhur 9 majin. I garantoj se do kenë vetëm mbështetje se do të jemi realist sikur çdo javë të bëhet ajo ditë nevojë ka ky vend në këtë gjendje që e kemi katandisur të gjithë”, tha kryeministri. Gjithashtu Berisha ka kërkuar forcim të ligjit për mbajtjen pastër të vendit, ndëshkim të ndotësve dhe vëmendje e madhe ndaj mbledhjes së taksës së pastrimit, si më e rëndësishmja që duhet mbledhur. Sipas tij, vendorët të bëjnë gjithçka për mbledhjen e saj se mjedisi nuk mund të mbahet pa resurset financiare të domosdoshme dhe rezulton se kjo taksë është fare e ulët. “Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të paraqitet si një vend zhuli e plehrash. Nesër do takohem me prefektët e vendit, autoritetet e ministrisë së mjedisit për të marrë një seri hapash të reja në përcaktimin e vendeve të depozitimit të mbetjeve. Janë në ndërtim e sipër një seri landfilesh dhe impiantesh të ujërave të zeza, punimet e të cilave duhet të shpejtohen”, tha ai.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›