E Shtunë, 31 Tetor 2026

shkurte,sociale

Këtë vit nuk ka vite të para gjimnaz

Të gjithë nxënësit që kanë mbaruar këtë vit klasën e tetë të arsimit bazë do të edukohen vitin e ardhshëm shkollor në klasën e nëntë, për shkak të ndryshimit të sistemit arsimor parauniversitar. "Si rrjedhojë, për vitin e ardhshëm shkollor nuk do të ketë regjistrime në shkollat e mesme", - deklaroi specialisti i Drejtorisë Arsimore Tiranë, Muharrem Mesi, sipas të cilit, këto ndryshime kanë bërë të nevojshme që në klasën IX mësimdhënia të kryhet nga mësues të gjimnazeve.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore rajonale, po sheh mundësinë që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR-ja, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.

Mesi tha se për sistemin arsimor parauniversitar, që përbëhet nga 376 shkolla të mesme dhe 1749 shkolla 9-vjeçare, MASH-i ka vendosur që fondet e planifikimit dhe shpërndarjes së mjeteve mësimore në arsimin parauniversitar do të shpenzohen përmes formulës "buxhet për nxënës" për çdo shkollë. Përdorimi i kësaj formule për detajimin e fondeve të investimeve, ka si kriter kryesor numrin e përfituesve (nxënësve).

Ndryshime në ligjin e arsimit parauniversitar

Me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në ligjin "Për sistemin arsimor parauniversitar".

Këto ndryshime përcaktojnë ndër të tjera, se "të gjithë fëmijët e moshës 6-vjeçare në Republikën e Shqipërisë duhet të fillojnë arsimin bazë, i cili zgjat jo më pak se 9 vjet". Arsimi bazë është i detyruar dhe i njësuar, ndërsa afati i shkollave të mesme është 3 vjet.

Hyn në fuqi strategjia kombëtare kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Miratohet strategjia kombëtare e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, 2008-2010, si dhe dokumenti plotësues i "Strategjisë kombëtare për luftën kundër trafikimit të fëmijëve dhe mbrojtjen e fëmijëve, viktima të trafikimit". Këto dokumente, të miratuara dje nga qeveria, janë komponentë të strategjisë ndërsektoriale të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit, 2007-2013, sipas teksteve, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Këshilli i Ministrave vendosi që Komiteti Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të monitorojë edhe zbatimin e kësaj strategjie.

Bëhen ndryshime në ligjin “Për statusin e invalidit”

Qeveria miratoi dje në mbledhjen e saj një ndryshim në vendimin për zbatimin e ligjit "Për Statusin e Invalidit".

Me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Këshilli i Ministrave vendosi që fondi 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë të përballohet nga fondi i kontigjencës dhe të derdhet në buxhetin e vitit 2008.

Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar edhe Ministria e Financave.

Ligji për mjedisin

Ndryshojnë afatet e lejeve mjedisore

Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për mbrojtjen e mjedisit", në lidhje me shqyrtimin e lejeve mjedisore u miratuan dje nga Këshilli i Ministrave.

Tashmë ligji për mjedisin parashikon afate për shqyrtimin e deklaratave mjedisore, lejen mjedisore, autorizimin mjedisor dhe pëlqimin mjedisor. Deklarata mjedisore shqyrtohet brenda 3 javëve nga paraqitja e kërkesës; leja mjedisore, brenda 5 javëve nga paraqitja e kërkesës; autorizimi dhe pëlqimi mjedisor, brenda 2 javëve nga paraqitja e kërkesës.

Nëse kërkuesi nuk i përgjigjet, brenda tre muajsh kërkesës me shkrim të organit miratues për plotësim apo përmirësim dokumentesh, vlerësohet se është hequr dorë nga kërkesa për miratim mjedisor. Kur është e nevojshme kryerja e ekspertizave të kualifikuara, organi përgjegjës, me vendim të arsyetuar, mund ta zgjasë kohën e dhënies së secilit dokument deri në dyfishin e kohës së përcaktuar. Nëse organi miratues nuk përgjigjet brenda afateve të mësipërme, secili dokument quhet i miratuar dhe kërkuesi mund ta vazhdojë veprimtarinë.

Miratohen kurset për “Gjuhë shqipe për të huajt”

Këtë vit do të zhvillohen kurse "Gjuha shqipe për të huajt” me miratimin e MASH-it. Do të ketë tri nivele: fillestar, i mesëm, i lartë. Ka leksione nga fusha e historisë, kulturës shqiptare si dhe praktikantë në gjuhën shqipe. Këto cikle leksionesh do të zhvillohen çdo ditë të javës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Për akordimin e pjesëmarrësve dhe shërbimet e tjera do të sigurohen nga Qyteti Studenti. Kursi do të zhvillohet nga 1 shtator-30 shtator 2008 në UT.

35 të rinj, studentë nga e gjithë bota do të kryejnë një kurs veror të mësimit të gjuhës shqipe, i cili do të zhvillohet nga 1 shtator-30 shtator 2008.

Zvicra jep 3 milionë euro për arsimin profesional

3 milionë euro është granti i parashikuar në fazën e parë të marrëveshjes mes shtetit shqiptar dhe atij zviceran për zhvillimin dhe vazhdimin e reformës në Arsimin dhe Formimin Profesional shqiptar (AlbAFP).

Këshilli i Ministrave vendosi para një jave për miratimin e kësaj marrëveshjeje që u nënshkrua dje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Sipas marrëveshjes, do të krijohet një “qendër e lëvizshme” e formimit profesional për zonën verilindore të vendit, e cila është menduar të ushtrojë aktivitetin e saj në qytetet Pukë, Kukës, Tropojë, Peshkopi dhe Burrel.

Qeveria zvicerane, me anë të kësaj marrëveshjeje bie dakord për të akorduar një grant/ndihmë financiare prej rreth 3 milionë eurosh për programin gjatë kohës së zbatimit të fazës së parë nga 1 janari 2007 deri në 31 dhjetor 2008. Projekti “AlbVET” do të mbështesë reformën e nisur në fushën e arsimit dhe formimit profesional dhe është propozuar që komponentë të këtij projekti të jenë mbështetja e shkollave profesionale dhe qendrave publike të formimit profesional, rinovimi dhe përmirësimi i mjediseve të shkollave profesionale dhe qendrave të formimit profesional publik. Sipas marrëveshjes, do të krijohet një “qendër e lëvizshme” e formimit profesional për zonën verilindore të vendit, e cila është menduar të ushtrojë aktivitetin e saj në qytetet Pukë, Kukës, Tropojë, Peshkopi dhe Burrel, me synim rritjen e mundësive për arsimim dhe formim profesional për të gjithë shtetasit sipas standardeve evropiane dhe më tepër mundësi punësimi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›