Japonia, kredi 66.2 milionë euro me Japoninë për largimin e ujërave të zeza në Tiranë
Komisioni Parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi të mërkurën kredinë me qeverinë japoneze prej 66.2 milionë eurosh për realizimin e projektit "Përmirësimi i Sistemit të Largimit të Ujërave të zeza për Tiranën e madhe". Kredia, e cila i jepet qeverisë shqiptare nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), është me terma të favorshme, me afat shlyerje prej 40 vjetësh, ndërkohë që vetëm pas 10 vjetësh do të fillojë shlyerja e principalit. Në tërësinë e tij, projekti parashikohet të realizohet në tri faza. Faza e parë synon kryesisht qendrën e Bashkisë së Tiranës, aty ku edhe ndërhyrja është më e nevojshme. Agjenci zbatuese për këtë projekt do të jetë Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nëpërmjet Drejtorisë se Përgjithshme të Ujësjellës- Kanalizimeve. Qyteti i Tiranës ka një sistem të vjetruar të kanalizimeve që daton nga vitit 1960 dhe nuk disponon asnjë Impiant Trajtimi të Ujërave të Zeza.